Fillojnë kampet verore të Kishës sonë
Si çdo vit, kampet orthodhokse për djem e vajza do të fillojnë rregullisht
aktivitetin e tyre. Gjithashtu, kampe të tjera ditore ose me kohë të caktuar
zhvillohen pranë çdo dioqeze etj.
Gjithmonë shprehim ndjenja mirënjohjeje dhe falënderimi për Kishën
tonë, e cila, nën kujdesin e veçantë të Kryepiskopit Anastas, që në hapat
e parë të ringritjes së saj nga gërmadhat, kishte ndër përparësitë kryesore
edukimin e brezit të ri. Pjesë e këtij kujdesi atëror ishte edhe organizimi
i kampeve verore për fëmijë dhe të rinj.
Sivjet mbushen 22 vjet nga hapja e tyre (nga viti 1996), gjithmonë me
përkushtim e përkujdesje në edukimin shpirtëror të brezit të ri, i cili ishte
i privuar për dekada me radhë. Ato zhvillohen me bekimin dhe fondet e
siguruara nga Kryepiskopi Anastas.
Si çdo vit, kampet për vajza do të zhvillohen në mjediset e Manastirit
të Shën Joan Vladimirit, pranë Elbasanit. Dy kampet e para për djem, do
të zhvillohen në mjediset e Manastirit të Shën Vlashit dhe të Akademisë
Teologjike, pranë Durrësit. Kampi i tretë për djem, ai me studentët, do të
zhvillohet në Manastirin e Shën Theodhorëve, pranë Vunoit, Himarë.
Tema e kampeve verore sivjet do të jetë: “Çdo gjë që bëni, bëjeni si
për Zotin!”. Kampet e para, me fëmijët e moshave 10-13 vjeç, do të fi-
llojnë më 30 qershor dhe do të mbarojnë më 9 korrik. Kampet e dyta,
për moshën 14-17 vjeç, do të zhvillohen në datat 12-21 korrik. Kampi i
tretë i djemve do të zhvillohet më 20-31 korrik dhe kampi i tretë i vajzave
më 23 korrik-1 gusht.