Në këtë ditë, Kisha e Krishtit ruan Indiktin
ose shpalljen e Vitit të Ri Kishtar. Termi e ka
prejardhjen nga praktika e perandorëve
romakë, të cilët kishin zakon të vinin në këtë
kohë një taksë vjetore për mbajtjen e ushtrisë
së tyre. Interesi i kësaj takse të përvitshme ishte
caktuar me anë të shpalljeve çdo pesë-
mbëdhjetë vjet. Kjo është arsyeja përse çdo
cikël pesëmbëdhjetëvjeçar, duke filluar nga
mbretërimi i Cezar Augustit, tre vjet para
lindjes së Krishtit, është quajtur indikt.
Përveç kësaj, shtatori është koha për vjeljen
e frutave të dheut dhe për ta bërë gati për një
tjetër cikël prodhimi, kështu që është e drejtë
të nderohet fillimi i ciklit agrokulturor, duke i
ofruar falënderime Perëndisë për mirësinë e Tij
të madhe ndaj krijesës së Tij. Kjo kryhej edhe
nga judenjtë nën Ligjin e Vjetër. Në ditën e
parë të muajit të shtatë (që korrespondon me
fillimin e shtatorit) ata kremtonin Festën e
Trumbetave, duke u çlodhur nga çdo lloj pune
dhe duke ia përkushtuar veten krejtësisht
ofertës së sakrificave të një shije të ëmbël dhe
lavdërimit të Perëndisë (Lev. 23.24-25).
Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, Krijuesi
i kohës dhe i hapësirës, Mbreti i parajetshëm i
të gjitha kohëve, që mori trup për të restauruar
të gjitha gjërat në unitet dhe të pajtojë mbarë
njerëzimin, judenjtë dhe kombet, në një Kishë
të vetme, ka dashur gjithashtu të mbledhë tek
Ai gjërat që janë subjekte të ligjeve të natyrës
dhe të asaj që urdhëroi në Ligjin e shkruar.
Për këtë arsye, në këtë ditë, kur natyra bëhet
gati të shpalosë një tjetër cikël të stinëve, ne
kujtojmë ndodhinë kur Zoti Jisu Krisht hyri në
sinagogë dhe hapi librin e Isaias e lexoi vargun
kur profeti thotë në emrin e Tij: “Shpirti i Zotit
është mbi mua, sepse ai më ka lyer të
ungjillëzoj të varfrit… të shpall vitin e
pëlqyeshëm të Zotit” (Lluk. 4.18-19).
Dhe në këtë mënyrë, sot mbarë Kishat, të
mbledhura në një mendje, lavdërojnë me një
zë Atë që është unik në natyrën e Tij dhe i
trefishtë në Persona, që banon në një shkëlqim
të përjetshëm, që i mban të gjitha gjërat në
jetë dhe derdh bekime mbi veprat e duarve të
Tij në të gjitha kohët. Është vetë Krishti që na
çel dyert e vitit dhe që na fton ta pasojmë Atë,
për të marrë pjesë gjithashtu në përjetësinë e
Tij.
Dita e parë e muajit shtator,
INDIKTI ose Fillimi i Vitit të Ri Kishtar