Edhe si lindi Jisui në Betlehem të Judesë, në ditët e mbretit Herod, ja, ca
magë nga Lindja erdhën në Jerusalem, duke thënë: Ku është mbreti i Judenjve
që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij nga Lindja dhe erdhëm që t’i falemi.
Edhe mbreti Herod kur dëgjoi, u drodh edhe bashkë me të edhe gjithë
Jerusalemi. Edhe si mblodhi gjithë kryepriftërinjtë edhe shkruesit e popullit,
pyeste të merrte vesh prej tyre se ku lind Krishti. Edhe ata i thanë atij: Në
Betlehem të Judesë. Sepse kështu është shkruar me anë të profetit: “Edhe
ti, Betlehem, dheu i Judesë, aspak nuk je më i vogli ndër të parët e Judesë;
sepse prej teje do të dalë një prijës, i cili do të kullosë popullin tim Izrael”.
Atëherë Herodi thirri fshehurazi magët, edhe mori vesh me saktësi nga ata
kohën e yllit që ishte dukur. Edhe duke i dërguar ata në Betlehem, tha:
Shkoni e vëzhgoni mirë për fëmijën, edhe si ta gjeni, të më lajmëroni, që të
vij edhe unë e t’i falem atij. Edhe ata si dëgjuan mbretin ikën; edhe ja ylli që
kishin parë në Lindje tek shkonte përpara tyre, deri sa erdhi e qëndroi sipër
tek ishte fëmija. Edhe ata kur panë yllin, u gëzuan me gëzim fort të madh.
Edhe kur erdhën në shtëpi, panë fëmijën bashkë me të ëmën, Marinë, edhe
duke rënë përdhe iu falën atij, edhe si hapën thesaret e tyre, i prunë atij
dhurata, ar e temjan e miro. Edhe si iu tregua atyre nga Perëndia në ëndërr
të mos kthehen tek Herodi, ikën në vendin e tyre nga një tjetër udhë.
(Mattheu 2:1-12)