EmailFacebookKontakt

Nuk ka gjë më të fuqishme sesa dashuria

Nga Homelia e njëzetë e Shën Joan
Gojartit mbi Letrën e Pavlit drejtuar
Efesianëve (5:22-23)
…Kur një njeri i ditur po mendonte se cilat
bekime ishin më të rëndësishme, përmendi:
“një grua që pajtohet me burrin e saj” (Siracidi
25:1). Dhe përmend gjithashtu: “një grua duhet
të jetojë në harmoni me burrin e saj” (Siracidi
40:23). Dhe, që nga fillimi, Perëndia e ka
planifikuar në providencën e Tij këtë bashkim
të burrit dhe gruas, duke folur për të dy si një
person i vetëm: “mashkull e femër i krijoi ata”
(Gjeneza 1:27) dhe “nuk ka as mashkull, as
femër, sepse të gjithë jeni një në Jisu Krishtin”
(Galatianëve 3:28). Sepse nuk ka marrëdhënie
më intime se ajo midis burrit e gruas, nëse ata bashkohen ashtu siç
duhet…
Kjo dashuri është më e fuqishme se çdo pasion, vërtet që mund të
ketë edhe dëshira të tjera që mund të jenë të fuqishme, por kjo dashuri
nuk venitet kurrë. Ajo është e rrënjosur thellë brenda qenies sonë dhe,
pa u kuptuar, i tërheq ndaj njëri-tjetrit trupat e burrit e të gruas, sepse në
fillim gruaja doli nga burri dhe më pas nga bashkimi i burrit me gruan
dolën edhe burra e gra të tjera. A e shikoni tani sa e ngushtë është kjo
lidhje dhe si Perëndia e krijoi atë providencialisht nga një natyrë e vetme?
Kjo dashuri mund t’i shkaktojë të këqija dhe përfitime të mëdha, si
familjes ashtu edhe shtetit. Sepse nuk ka asgjë që ta bashkojë aq shumë
njeriun sa dashuria e burrit me gruan… Sepse kur ata janë në harmoni,
fëmijët do të edukohen mirë, e tërë shtëpia do të jetë në rregull dhe
miqtë, fqinjët dhe të afërmit do të kenë fjalë lavdëruese. Përndryshe
gjithçka do të kthehet përmbys dhe do të krijohet pështjellim. Kur
gjeneralët e një ushtrie janë në paqe me njëri-tjetrin, gjithçka shkon në
rregull, por kur janë në konflikt, gjithçka pështjellohet.
…A do që gruaja të të bindet ashtu siç i
bindet Kisha Krishtit? Kujdesu atëherë edhe
ti për të, ashtu siç kujdeset Krishti për Kishën
e, madje, edhe nëse nevojitet të japësh jetën
për të dhe të jesh gati që të durosh çdo vuaj-
tje për të, mos u tërhiq. Edhe sikur t’i nën-
shtrohesh të gjitha këtyre vuajtjeve, megjitha-
të as nuk i je afruar asaj që hoqi Krishti, sep-
se ndërsa ti po e bën për atë me të cilën je
bashkuar, Ai e bëri për atë që i kishte kthyer
shpinën dhe e urrente. Në të njëjtën mënyrë,
pra, si Ai e fitoi atë që i kishte kthyer shpinën,
e kishte urryer dhe përbuzur, jo me kërcëni-
me, as me dhunë, apo frikësim, a me ndonjë
tjetër mënyrë të ngjashme, por me dashurinë
e Tij të paepur, po ashtu edhe ju silluni me
gruan. …Me kujdesin, dashurinë dhe butësinë e madhe që do të tregosh
ndaj saj, ke për ta fituar atë. Sepse nuk ka gjë më të fuqishme sesa
dashuria, sidomos për një burrë e grua. Një shërbëtor mund të mësohet
të nënshtrohet nga frika, por nëse do të provokohet shumë, nuk do të
vonojë shumë dhe do të arratiset. Por shoqja e jetës, nëna e fëmijëve,
themeli i çdo gëzimi, nuk duhet të lidhet kurrë me anë të frikësimit dhe
kërcënimeve, por me dashuri dhe butësi. Sepse ç’martesë mund të jetë
ajo, në të cilën gruaja ka frikë nga burri? Dhe ç’kënaqësi do të provojë
burri nëse do të jetojë me gruan si me një skllave dhe jo me një grua që
i është dhënë me vullnetin e saj të lirë?…
…Vini re se ai e shpjegon dhe madje në detaje parimin e dashurisë,
duke e krahasuar me dashurinë e Krishtit për Kishën dhe dashurinë që
kemi për mishin tonë, duke thënë: “prandaj njeriu do të lërë të atin e të
ëmën” (Efesianëve 5:31), por nuk shpjegon gjë në lidhje për respektin.
Po për çfarë arsye? Sepse ai dëshiron që parimi i dashurisë të mbi-
zotërojë, sepse aty ku ekziston dashuria, pason çdo gjë tjetër, ndërsa kur
mungon dashuria, frika nuk do të sjellë dobi.

Nuk ka gjë më të fuqishme sesa dashuria

2