Marsi i këtij viti shënon 3 përvjetorë tepër të rëndësishëm e domethënës për Kishën tonë: 8 marsi është 110-vjetori i dorëzimit të Imzot
Theofan Nolit në prift, 22 marsi është 110-vjetori i Liturgjisë së parë Hyjnore në gjuhën shqipe nga atë Theofani dhe i themelimit të Kishës
shqiptare të Shën Gjergjit në Boston dhe 13 marsi është përvjetori i fjetjes së Hirësisë së Tij, Theofan Nolit (1965).
Më 22 mars 1908, në Feniks Holl të Tremont Strit, Boston, u mbajt
mbledhja themeluese e Kishës-katedrale të Shën Gjergjit, Kisha e parë
Orthodhokse Shqiptare në Amerikë.
Anëtarët e këtij komiteti organizator ishin Nikolas Kristofer, arkëtar,
Xhorxh Toli, sekretar, Filip Vasili, ndihmëssekretar, si dhe Misto Millona,
Harri V . Kaçka, Xhon Kozma e Kosta Racka. Po në të njëjtën ditë, u
hodhën bazat edhe për krijimin e komiteteve themeluese në disa qytete
të tjera.
Në fillesat e saj, Kisha ndërroi shpesh seli. Deri në vitin 1910, Shërbesat
e Shenjta u kryen në mjedise të ndryshme; nga viti 1911 deri më 1921 u
shfrytëzua një mjedis në katin e sipërm të një ndërtese në Tremont Strit;
më 1922 u ble dhe u përshtat për nevojat e një kishe orthodhokse një ish-
kishë suedeze, në Emerald Strit; derisa më 1941 u ble ndërtesa aktuale,
një ish-kishë unitariane, në numrin 523 të I-st Broduej, që u përshtat për
të kryer funksionet e një katedraleje qendrore të Arkidioqezës Shqiptare
të Amerikës.
Priftërinjtë që kanë shërbyer atje, sipas rendit kronologjik, janë: atë
Stilian Noli (më vonë Mitropolit i Kishës), atë Naum Cere, atë Damian
Angjeli, atë Stathi Melani, atë Nikollas Kristofer, atë Dhosi Katundi, atë
Vangjel Çamçe (më vonë u bë episkopi Agathangjel), atë Vani Çani,
arkimandrit Thimi Theodhosi, atë Stefan Laska (më vonë Mitropolit),
atë Kristo E. Eliot etj., deri tek atë Artur Liolini (Kancelar aktual i
Arkidioqezës).
Veçanërisht, aktiv për mbledhjen e fondeve për blerjen dhe rregullimin
e katedrales së Shën Gjergjit, u tregua arkimandriti Thimi Theodhosi.
Me kalimin e viteve, enoria e shtoi veprimtarinë e saj. Kështu, më
1955 dioqeza bleu një godinë, e cila u përshtat për mësime fetare. Më
1916 profesor Thanas Nasi, graduat i Konservatorit të Nju Ingland,
organizoi e drejtoi korin e parë të katedrales. Ky kor u riorganizua në
vitin 1934 nga atë Grigoriev, kryeprift i Kishës Orthodhokse Ruse në
Amerikë, nën juridiksionin e së cilës ndodhet edhe Arkidioqeza Shqipta-
re. Që nga viti 1923 është organizuar edhe “Shkolla e së dielës” etj.
– Më 1935, pranë kishës u ngrit edhe shoqata e grave orthodhokse
“Bijat e Shën Gjergjit”, e cila ka dhënë një kontribut të veçantë për
rimodelimin dhe zbukurimin e kishës katedrale.
Në katedralen e Shën Gjergjit është ngritur edhe një muze i pasur,
kushtuar Imzot Nolit, historisë dhe rolit të Arkidioqezës Shqiptare në
Amerikë.
110 vjet më parë, më 22 mars 1908, u celebrua Liturgjia e parë Hyjnore në
gjuhën shqipe, në qytetin e Bostonit, nga i pari prift i Kishës Orthodhokse Shqiptare
në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atë Theofan S. Nolit, hirotonisja e të cilit në
gradën priftërore ishte kryer dy javë më parë prej episkopit rus Platon. Kjo meshë
solemne e cila, siç ishte e natyrshme, u zhvillua nëpërmjet një gëzimi të pa-
përshkruar dhe të një emocioni të thellë të patriotëve shqiptarë që asistuan në të,
duke mbushur kishën plot e përplot, si edhe themelimi, në të njëjtën ditë, i së
parës Kishë shqiptare, përbëjnë një ngjarje me rëndësi të madhe historike, jo
vetëm për Kishën, por edhe për mbarë popullin shqiptar.
Imzot Theofani, dhe pse në thelb mbetet njeriu i fesë, nuk izolohet brenda
tempullit. Veshja klerikale nuk do të bëhej pengesë për të folur dhe shkruar për
situata të ndryshme dhe të merrte pjesë në jetën politike, duke iu përgjigjur nevoja-
ve të kohës. Veprimtaria e tij është dinamike, e një personaliteti me vlera të
shquara intelektuale. Ato shfaqen në prozë, poezi, publicistikë, në ligjërata orato-
rike të sferave fetare, shoqërore, politike, kulturore si dhe në tregime biografike
me plot argumente historike.
Përkujtojmë gjithashtu me nderim të thellë edhe fjetjen e Imzot Theofanit,
më 13 mars 1965.
110 vjet nga themelimi i Kishës së Shën Gjergjit