EmailFacebookKontakt

Lamtumirë Dhimitër Bedulit – Fjala përkujtimore e Kryepiskopit Anastas

“LAMTUMIRË DHIMITËR BEDULIT”
– Fjala përkujtimore e Kryepiskopit Anastas
në ceremoninë e përmortshme –
“Lum ai njeri që duron ngasje; sepse pasi të
provohet, do të marrë kurorën e jetës, të cilën ua ka
premtuar Zoti atyre që e duan” (Jakovi 1:12). Mes
provash të mundimshme jetoi Dhimitër Beduli, që sot i
themi lamtumirë. Duroi ngasje, u provua, mori kurorën
e jetës, të cilën Perëndia u premtoi atyre që e duan.
Para së gjithash, ishte njeri me besim të patundur dhe
përkushtim të thellë te Krishti. Që nga mosha e tij rinore
vendosi t’i përkushtohej Kishës. Në vitet e provës së
madhe, të persekutimit të frikshëm, besimi i tij jo vetëm
që rezistoi, por u bë edhe më i ndritshëm, porsi floriri në
fonderi. Sapo lindi liria e besimit, shpalli me gjithë fuqinë
e shpirtit të tij sigurinë se Krishti është shpresa edhe për
Shqipërinë. “Edhe në ecsha në luginën e hijes së
vdekjes, s’do të kem frikë nga asnjë e keqe, se ti me
mua je;” (Psalmi 22:4). Këto vargje, të cilat ai i psalte
në mënyrë melodioze në Kishë, përcaktonin sjelljen e tij
dhe e mbështesnin në udhën e tij të vështirë. Besimin e
tij të thellë, të kthjellët dhe të fortë e përcillte, gjithashtu,
me predikimin e tij në këtë kishë, me fjalën e shkruar,
por edhe kur heshtte, me shembullin e tij. Me gjithë jetën
e tij, rrezatonte besimin e mirëfilltë që e karakterizonte.
…Personalitetin e veçantë të Bedulit e stoliste një
sintezë virtytesh. Ishte me të vërtetë njeriu që frymëzohej
prej Shpirtit të Shenjtë. I qetë, modest, zemërgjerë, i
durueshëm, me vetësakrificë të heshtur, qëndroi
gjithmonë mbi paratë, mbi komoditetet dhe pretendimet
e tjera. Njeri i drejtë, fisnik dhe i vërtetë, i cili më kujtonte
atë varg të Psalmit, që thotë: “O Zot, kush do të rrijë
në tendën tënde?” Dhe përgjigjja është: “Ai që ecën
drejt dhe bën drejtësi dhe thotë të vërtetën siç e ka
në zemër” (Psalmi 14:1-2).
Dhimitër Beduli ishte i respektuar jo vetëm brenda
vendit, por edhe jashtë tij. Ndaj, Tërëshenjtëria e Tij
Patriku Ekumenik z.Vartholomeu I, në vizitën tonë të
fundit në Patrikanë, e nderoi me ofiqin e Arkondit
Mësues të Kishës. I butë në thjeshtësi, në autenticitetin
e tij, ishte me të vërtetë një arkond. Për Kishën
Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë do të mbetet një
personalitet i madh; me tërë kuptimin e fjalës, i
pazëvendësueshëm. Prania e tij ishte gjithmonë e
ndjeshme dhe bamirëse. I tillë edhe kujtimi i tij.
Sot, i themi lamtumirë plot me ndjenja falënderimi
dhe mirënjohjeje. Dhe më tej me një lutje të fuqishme:
Perëndia të nxjerrë imitues të tij si në radhët e klerikëve
që ishin nxënës të tij, ashtu edhe në radhët e laikëve që
me kaq vëmendje dhe respekt e dëgjonin. Dhimitër
Beduli do të na kujtojë vazhdimisht të gjithëve se Kisha
Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, përballoi,
përballon dhe do të përballojë stuhi, do të mbështetet
jo vetëm te klerikët, por edhe te laikët e ndriçuar…

4