Disa ditë pas Lindjes së Krishtit Kisha jonë
ka vendosur që të kujtohen foshnjat që u vra-
në nga Herodi dhe lexohet pjesa e Ungjillit që i
referohet ngjarjes, e cila tashmë është bërë e
njohur (Mt. 2:1-18). Magët nga Persia, pasi
gjetën dhe iu falën Foshnjës Hyjnore, morën
urdhër nga Vetë Perëndia që të mos ktheheshin
te Herodi që ta informonin “për fëmijën”, ndaj
u kthyen për në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.
Nga kjo ngjarje mbreti u inatos shumë, sepse u
gënjye prej magëve dhe mori një vendim të
tmerrshëm. Sipas kohës që kishte mësuar nga
ata, ai urdhëroi që të vriteshin të gjitha foshnjat
dy vjeç e poshtë në gjithë krahinën rreth e qark,
duke besuar se me këtë mënyrë do të vriste
edhe Krishtin. Kjo ndodhi sepse ai kishte frikë
nga Mbreti i porsalindur.
E gjithë krahina përjetoi një krim të pa-
dëgjuar ndonjëherë; krimin më të madh të histo-
risë. Qindra ose mijëra foshnja të pafajshme
(Sinaksarët përmendin numrin 14 000. Sot ka
disa mendime për numrin e foshnjave se nuk
ishte saktësisht 14 000, por ishte me dhjetëra
deri në qindra. Sidoqoftë, ai ishte mjaft i madh),
u rrëmbyen me dhunë nga gjinjtë dhe krahët e
nënave të tyre dhe u masakruan.
Vrasja e foshnjave, si edhe vrasjet masive
e në grup të kryera në luftëra apo konflikte dhe
trazira të ndryshme shumë herë bëhen shkak
që njerëz të ndryshëm besimtarë të skandali-
zohen, apo dhe ateistët të ngrenë teza dhe ide
të ndryshme mosbesimi për të hedhur poshtë
Fuqiplotin Perëndi, Providencën Hyjnore madje
dhe ekzistencën e Perëndisë. Shumë prej tyre
thonë: “Përse Perëndia lejon që të vriten kot,
pa arsye dhe në mënyrë të padrejtë njerëz të
pafajshëm, fëmijë, të rinj dhe foshnja? ”.
Megjithëse çështjen e drejtësisë hyjnore në
lidhje me njerëzit dhe botën e kanë prekur disa
Etër të Kishës, përsëri për ne ajo mbetet një
pikë që nuk ka zgjidhje të plotë, sepse i përket
ekskluzivisht Perëndisë. Në lidhje me ngjarjen
e foshnjave të vrara nga Herodi më poshtë për-
mendim opinionin e shën Joan Gojartit (
Veprat e J. Gojartit, vol. 31. Botimet “Grigor
Pallamai”). Për këtë ngjarje ai thotë: Së pari,
nuk e ka fajin Perëndia, por zemërashpërsia,
egërsia dhe mizoria e Herodit. Përmendim si
shembull një njeri shumë të sëmurë, të cilin e
kuron specialisti më i mirë; një mjek shumë i
mirë e i ditur. Mjeku bën çdo përpjekje, me që-
llim që ta shërojë dhe i jep një kurë shumë të
mirë. N.q.s. pacienti nuk i merr ilaçet dhe nuk
ndjek këshillat e mjekut për arsye të ndryshme
(pakujdesi, parregullsi, përtaci apo edhe nga
mosdashja) dhe gjendja e tij përkeqësohet dhe
vdes, mos e ka fajin mjeku i mirë? Sigurisht, jo.
Nëse fuqitë e mëdha vendosin dhe kryejnë
luftëra, ku vriten mijëra njerëz të moshave të
ndryshme. Nëse shfrytëzuesit e natyrës e shka-
tërrojnë atë pa kriter, ndotin ambientin, dhe disa
kafshë janë kthyer sot në specie të rralla e në
zhdukje, mos vallë e ka fajin Perëndia, i Cili i
krijoi të gjitha (botën, kafshën, bimët edhe nje-
riun) “ shumë mirë ” ( Gjen. 1:4;8;10;13;25 )?
Sigurisht, jo. Sepse Perëndia i dha njeriut liri dhe
logjikë që të zgjidhë çështjet e ndryshme që i
shfaqen në jetë. Gjithashtu, i dha edhe porosi
njeridashëse edhe ligje, por nëse njeriu, në
kundërshtim me çdo ligj dhe rregull, kryen vra-
sje dhe shkatërrime, përgjegjësinë nuk e ka
Perëndia. Mendimi i parë, pra, na tregon se vra-
sës dhe shkatërrues është njeriu dhe jo Perëndia.
Së dyti. Përse Perëndia lejon padrejtësitë,
vrasjet, shkatërrimet? Si Zot që është nuk mund
të ndalojë të keqen dhe padrejtësitë që ndodhin
në botë? Megjithëse përgjigjja e vetme që mbu-
lon këto “dyshime” është pikërisht se Zoti dhe
Perëndia me ardhjen e Dytë të Krishtit do të
pushojë dhe do të zhdukë njëherë e përgjith-
monë në botë mëkatin, të keqen dhe vdekjen,
përsëri po i referohemi shën Joan Gojartit për
këtë pikë. Ai jep një mendim, zgjidhje, të cilin e
përmend vazhdimisht: “shumë njerëz bëjnë pa-
drejtësi, por askujt nuk i bëhet padrejtësi ”
Sipas tij,
të padrejtët, vrasësit, grabitësit etj., ata që
vendosin të kryejnë luftëra, ata që kryejnë vrasje
për shumë apo për pak të holla, ata që tregtojnë
vdekjen e bardhë dhe plot të tjerë rreth e rrotull
nesh janë të shumtë dhe kudo. Për të gjithë do
të vijë dita kur do të paguajmë për punët tona,
qoftë në këtë botë – siç ndodhi me Herodin, i cili
pak kohë pas masakrës së foshnjave u sëmur
rëndë dhe zuri krimba, të cilët e hëngrën derisa
vdiq – qoftë në botën tjetër, ku shumëfish më
tepër ata do të marrin shpërblimin e tyre nga
Zoti ditën e Gjyqit të Madh, pas Ardhjes së Dytë
të Krishtit mbi dhé. Asnjë i padrejtë dhe i
papenduar nuk do të shpëtojë dot nga duart e
Perëndisë së drejtë dhe të gjallë.
Ndërsa për rastin tjetër, sipas atit të shenj-
të, nuk ekzistojnë persona, të cilëve u bëhet
padrejtësi. Me të drejtë lind pyetja, si ka
mundësi? Po foshnjat e vrara nga mizoria e
Herodit? Po refugjatët e ndryshëm që braktisin
shtëpitë e tyre për të shpëtuar nga lufta, njerëzit
e vrarë në mënyrë masive dhe në grup, njerëzit
e dhunuar, njerëzit që humbin jetën në aksidente
automobilistike dhe ikin në moshë të re nga jeta
e shumë raste të tjera; të gjithë këtyre nuk u
bëhet padrejtësi? Jo. Nuk u bëhet padrejtësi,
sepse çdo padrejtësi që i bëhet dikujt në jetë,
Perëndia e lejon: a) ose për të fshirë mëkatet,
ose b) për të dhënë shpagim të përjetshëm.
Pra, padrejtësia që Perëndia e lejon të na
bëhet, ndodh për dy arsye: për larjen e mëkateve
ose për të marrë si shpagim shpëtimin e shpirtit
dhe jetën e përjetshme. Prandaj edhe kjo
padrejtësi dëmton vetëm të padrejtin dhe jo
personin që i bëhet padrejtësia. N.q.s. dikush
mendon e thotë: mirë njerëzit e mëdhenj, po të
vegjlit, konkretisht foshnjat, ç’mëkate kishin
kryer? Përgjigjja mund të ishte kjo: foshnjat ishin
të pafajshme dhe për këtë padrejtësi që iu bë,
Perëndia iu përgatiti një jetë engjëllore në Qiell,
një jetë që e ka zili cilido. Po ashtu, Zoti përgatit
dhe iu dhuron jetën e përjetshme pa dhimbje
dhe pa lot të gjithë të pafajshmëve që pësojnë
padrejtësi n.q.s. e durojnë pa u ankuar, pa dashur
të hakmerren dhe pa mbajtur mëri për të keqen
dhe padrejtësinë që u bëhet.
Së treti dhe së fundi. Të mos skandalizohe-
mi nga Perëndia me gjithë ato që ndodhin rreth
e qark nesh dhe të mos kemi mendime
mosbesimi dhe dyshimi për Të. Të gjitha i di
Zoti, por i lejon që të ndodhin për dobinë tonë
shpirtërore. Edhe kur një fëmijë vdes dhe ne e
konsiderojmë si të padrejtë këtë gjë, padyshim
që Perëndia përgatit diçka më të mirë dhe më
të dobishme për shpirtin e tij. Perëndia nuk i
bën askujt padrejtësi. T’i kemi besim absolut,
edhe nëse rrojmë e jemi mirë, apo kalojmë
vështirësi, a sëmundje dhe vdekje; se Perëndia
vendos për të mirën dhe dobinë tonë shpirtërore,
sepse të gjithë i përkasim Zotit (Rom.14:8).
Arkimandrit Kozma Sovjani
Foshnjat e vrara nga Herodi
Padrejtësia dhe Drejtësia Hyjnore