Në lidhje me paketën e re të shpifjeve të Nikolla Markut
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Para disa ditësh, 27 – 28 tetor 2015, z. Nikolla Marku u rikthye përmes
mediave, me një sajesë tjetër, shpifjesh të pabaza dhe kërcënimesh të
paturpshme kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe
primatit të saj. Jemi të detyruar përsëri të informojmë përmbledhtazi
opinionin publik se:
1. Nikolla Marku nuk ka asnjë lidhje me Kishën Orthodhokse
Autoqefale të Shqipërisë, të njohur nga Shteti Shqiptar. Marrëdhëniet
midis Kishës Orthodhokse dhe Shtetit janë përcaktuar përfundimisht me
ligjin nr. 10057/22.1.2009, “Marrëveshja ndërmjet Kishës Orthodhokse
Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së
Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, të hartuar sipas
detyrimit të përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
2. Asnjë Kishë Orthodhokse dhe asnjë Kishë tjetër në botë nuk e
njeh atë si klerik.
3. Si përdhosës, që nuk ndalet përpara asgjëje, ai ka uzurpuar në
mënyrë të paligjshme kishën e së Tërëshenjtës Mari në Elbasan, që është
monument kulture dhe, sipas ligjit të lartpërmendur (neni 23/1), është në
pronësi të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
“Komiteti për mbrojtjen e pavarësisë së kishës ortodokse të pavarur
kombëtare shqiptare”, kryetar i të cilit ai e deklaron veten, nuk është
“Kishë”, është thjesht një komitet lagjeje i një qyteti dhe nuk njihet nga
Komiteti Shtetëror i Kulteve të Shqipërisë si komunitet fetar. Si vulë
zyrtare përdor në mënyrë tinëzare titullin: “Kisha Orthodhokse Autoqefale
Kombëtare Shqiptare, Kala, Elbasan.” Në këtë rast kemi një falsifikim
fare të dukshëm dhe një mashtrim të madh. Në bazë të ligjit të
lartpërmendur, nr. 10057/ 22.01.2009, Neni 5, paragrafi 1, përcaktohet
në mënyrë të qartë se: “Shteti respekton Kishën Orthodhokse Autoqefale
të Shqipërisë dhe njeh si përfaqësues të saj vetëm personat e autorizuar
nga Sinodi i Shenjtë i kësaj Kishe dhe garanton mbrojtjen e Kishës
Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga çdo person ose grup që
pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, simbolet ose vulën e saj”.
4. Për ata që i njohin çështjet fetare, deklaratat e Nikolla Markut janë
fjalë boshe dhe qesharake, që përsëritin fantazi mjerane dhe dyshime të
pabaza. Atë e përdorin qarqe ekstreme, që kanë pranueshmëri në me-
dia, për të akuzuar vazhdimisht dhe pa ndonjë shkak Kishën Orthodhokse,
si dhe për të mbajtur gjallë një propagandë të sëmurë antigreke, gjë që
sigurisht nuk i shkon për shtat orientimit evropian të vendit.
Çdo qytetar i interesuar mund të gjejë edhe deklaratat e mëparshme
të Kishës sonë, të cilat hedhin poshtë qartazi dhe me hollësi të gjitha
deklarimet e tij, që i përsërit herë pas here në mënyrë monotone.
30 tetor 2015
Nga Kryepiskopata e Hirshme