Të keni nderim të thellë për gjithë Shenjtorët e Kishës
sonë, por një mijë herë më tepër të keni për Zonjën tonë
Hyjlindësen Mari, sepse të gjithë Shenjtorët janë shërbë-
torë të Krishtit, ndërsa Zonja jonë, Hyjlindësja, është zonjë
dhe mbretëreshë e qiellit dhe e dheut dhe e gjithë krijesës
shpirtërore dhe materiale, që lutet për mëkatet tona. E
mori Hyjlindësen dhe e bëri mbretëreshë dhe nderoi gjininë
tonë. Prandaj duhet që edhe ne, vëllezër të mi, të nderojmë
Zonjën tonë Hyjlindëse me kreshmë, lutje, mëshira dhe
vepra të mira.
Një njeri, me emrin Joan, u mund dhe u bë hajdut; u bë
edhe kapedan në njëqind trima, por kishte nderim të madh
për Zonjën Hyjlindëse dhe çdo agim dhe çdo mbrëmje
thoshte Përshëndetjet e Tërëshenjtës, “Engjëlli kryetar”.
Perëndia i tërëmirë, duke dashur të shpëtojë kapedanin,
për shkak të nderimit që kishte për Hyjlindësen, dërgoi
një asket të shenjtë që të kalonte nga ai mal. Trimat e
kapedanit, si panë asketin, e zunë. Asketi u thotë:
Ju lutem, të më çoni te kapedani juaj dhe aty kam për
t’ju thënë një fjalë për të mirën tuaj. E çuan asketin, i cili
i tha kapedanit: Më thirr gjithë trimat e tu të vijnë këtu, që
t’u them një fjalë. I thirri kapedani dhe ata erdhën. Asketi
thotë: Nuk ke tjetër? Kam edhe një kuzhinier, – përgjigjet
kapedani – por ai është diçka i pacipë. Atëherë asketi i
thotë kapedanit: Thirre të vijë këtu. E thirri dhe, si erdhi
kuzhinieri, nuk mund ta shikonte dot asketin në fytyrë,
dhe ktheu kokën nga ana tjetër. Atëherë asketi i thotë:
Në emrin e Zotit tonë Jisu Krisht, të Kryqëzuarit dhe të
Perëndisë, të urdhëroj të më thuash kush je dhe kush të
dërgoi dhe çfarë bën rri këtu. Kuzhinieri u përgjigj: Unë
jam gënjeshtar dhe gjithmonë gënjeshtrën flas. Por tani,
ngaqë më lidhe me emrin e Krishtit, nuk mund të bëj
ndryshe, veçse të them të vërtetën: Unë, pra, jam Djalli
dhe më dërgoi Satanai, ati im, dhe erdha këtu që të punoj,
të shtroj dhe të ngre, t’i gatuaj këtij kapedani dhe të ruaj
që ta gjej ndonjëherë që të mos lexojë Përshëndetjet e së
Tërëshenjtës, që ta vë në terrin e Ferrit. Dhe kam 14 vjet
që po e ruaj dhe nuk e gjeta ndonjë ditë pa lexuar: “Engjëlli
kryetar”. Atëherë asketi thotë: Të urdhëroj, në emër të
Shën Triadhës, të zhdukesh që këtu dhe të krishterët të
mos i ngasësh më. Menjëherë Djalli u zhduk, porsi tymi.
Dhe atëherë asketi i mësoi hajdutët dhe disa u bënë murgj,
të tjerë u martuan dhe bënë të mira e shpëtuan.
Prandaj, bij të mi, ju këshilloj të mësoni të gjithë
“Engjëlli Kryetar”, burra dhe gra, djem edhe vajza dhe ta
thoni në lutjen tuaj. Dhe nëse dëshironi, merrni edhe një
“Shpëtimi i mëkatarëve”, që ka 70 mrekulli të Hyjlindëses,
nga të cilat ju thashë një për të kuptuar.
“Ta nderojmë me kreshmë,
lutje, mëshirë
dhe vepra të mira”
Shën Kozmai rrëfen për Hyjlindësen