EmailFacebookKontakt

Festim i ndritshëm i pashkës

FESTIM I NDRITSHËM I PASHKËS
Natën e Pashkës në të gjitha kishat orthodhokse të vendit u kremtua me
madhështi Ngjallja e Zotit Jisu Krisht, ngjarja që rilind shpresën, forcon
besimin te Perëndia për kalimin nga e përkohshmja tek e përjetshmja dhe
çlirimi i njerëzve nga mëkati. Të gjithë uruan “Krishti u Ngjall!-Vërtet u
Ngjall!”, çukitën vezët e kuqe dhe çuan nëpër shtëpi flakën e lajmit më të
madh në histori – Ngjalljes, si bekim për familjet e tyre dhe gjithë vendin.
Në Tiranë Liturgjia Hyjnore dhe Shërbesa e Pashkës u zhvilluan
në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, ku Fortlumturia e Tij dha mesa-
zhin tradicional, që këtë vit kishte si temë: “Ngjallja, – Lartësimi i
dinjitetit njerëzor”. Në mesditë, Kryepiskopi priti urimet nga vizito-
rë të shumtë, mes të cilëve Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, deputetë
e përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, personalitete ortho-
dhokse, besimtarë etj.
Në Berat, Mitropoliti, Hirësia e Tij Ignati, e kreu Shërbesën e Ngjalljes
në Katedralen e Shën Dhimitrit, në prani të mijëra besimtarëve, të cilët
më pas vazhduan me festimet, vizitat te njeri-tjetri dhe drekën tradi-
cionale.
Në Korçë shërbesat u kryen nga Mitropoliti, Hirësia e Tij Joani.
Katedralja e qytetit “Ngjallja e Krishtit” dhe sheshi para saj u
pushtuan nga mijëra besimtarë, të cilët me qirinj dhe vezët e Pashkës
në duar uruan njëri-tjetrin për më shumë begati dhe mirësi.
Në Gjirokastër, shërbesat u kryen nga Mitropoliti, Hirësia e Tij
Dhimitri. Po me kaq madhështi u festua edhe në qytetet e tjera të
Dioqezës. Veçojmë dhimbjen e besimtarëve të Përmetit, të cilët i
kryen shërbesat para kishës së tyre të Hyjlindëses, nga e cila u
nxorën përdhunshëm, por edhe me besimin që Perëndia nuk do t’i
braktisë.

5