PARATHËNIE
Fjala e Krishtit para nxënësve të Tij ishte e qartë: “Atëherë Jisui u tha
nxënësve të tij: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij,
edhe le të ngrejë kryqin e tij, edhe le të vijë pas meje” (Matth. 16:24).
Gjatë 20 shekujve që kaluan, miliona nga njerëzit tanë të zgjedhur e pasuan
Krishtin me përkushtim dhe vendosmëri. Ata iu përkisnin moshave,
klasave shoqërore dhe niveleve arsimore të ndryshme, në kombe të
ndryshme. Jetët e tyre kanë një larmi mahnitëse. Në shenjtërim mbërritën
në rrugë të ndryshme apostuj, barinj, predikues të fjalës së Perëndisë,
asketë, oshënarë, martirë, pohues të besës. Nuk bënë të gjithë mrekulli,
jo të gjithë derdhën gjakun e tyre, por të gjithë e deshën Perëndinë “me
të gjithë zemrën, me të gjithë shpirtin, me të gjithë mendjen dhe me gjithë
fuqinë e tyre” dhe “të afërmin si veten” (Mark. 12:30). Me vetëmohim
ngrinin përditë kryqin e tyre. U kryqëzuan së brendshmi me Krishtin,
duke përjetuar fuqinë dhe gëzimin e Ngjalljes. Nuk u bënë të gjithë të
njohur. Pjesa më e madhe mbeti krejtësisht e padukur. Por të gjithë, me
heroizmin e heshtur dhe virtytin e tyre, pasuruan jetën e Kishës dhe
ndriçuan shoqërinë njerëzore.
Rrezatimi i jetës së tyre kapërcen kufijtë e kohës kur jetuan dhe
projektohet në të tashmen dhe të ardhmen. Prania e tyre mirëbërëse
vazhdon të bëhet e prekshme në jetën “e një Kishe të shenjtë, katholike
dhe apostolike”, përderisa ishin qelizat më të shëndetshme të saj. Jetuan
në një epokë dhe vend të caktuar, por rëndësia dhe veprimi i tyre nuk
njohin kufizim kohe dhe vendi. Shenjtorët qëndrojnë në ndërgjegjen e
popullit orthodhoks si shembuj dhe simbole që na udhëheqin, na
ngushëllojnë dhe na fuqizojnë në ecurinë tonë shpirtërore. Ata veprojnë
si rreze të tërëndritshme të Diellit të Drejtësisë, të Krishtit; ndriçojnë dhe
gjallërojnë botën.
* * *
Ekzistojnë rrëfime të shumta për jetën dhe kryesisht për martirizimin
e shenjtorëve të ndryshëm, të cilat janë ruajtur si thesare në librat e
quajtur “Sinaksarë”. Në mjaft raste, për arsye të dobisë shpirtërore,
tregimet në fjalë bëhen në mënyrë të lirë, me shtesa të elementëve që
nuk janë saktësuar. Nga shumica e përmbledhjeve që qarkullojnë, para-
pëlqyem për përkthim në gjuhën shqipe botimin e Sinaksarit që ka hartuar
Manastiri i hirshëm i Simono-Petrës në Malin e Shenjtë Athos, sepse
mbështetet në burimet më të mira dhe është hartuar me një përpunim
kritik serioz. Ky vëllim përmban jetët e shenjtorëve, të cilët Kisha
Orthodhokse i nderon dhe i kremton gjatë muajve shtator-tetor. Vepra
do të plotësohet me botimin e vëllimeve të tjera, që do të përmbajnë
shenjtorët që kremtohen gjatë muajve të tjerë.
* * *
Gjatë gjithë vitit, Kisha jonë kremton përditë kujtimin e shenjtorëve të
ndryshëm, duke theksuar faktin se vetë Kisha është “shoqëria e shenj-
torëve”. Por nevojitet një njohje më e mirë me ta. Mënyra e të jetuarit
dhe e largimit të tyre nga kjo botë përbëjnë burim frymëzimi dhe fuqizimi
për të gjithë ne. Na mbështesin në përpjekjen që bëjmë për të ndjekur
edhe ne Krishtin, me fuqinë e Kryqit dhe të Ngjalljes në zemrën tonë.
Leximi i jetës së shenjtorëve, të cilët kremtohen, bashkë me studimin
e Shkrimit të Shenjtë, janë përpjekja që duhet të bëjë secili nga ne, që të
zhvillohet në jetën tonë spiritualiteti orthodhoks, element ky shumë i çmuar.
Kjo përbën parapërgatitje të një rëndësie jetike, që të përballojmë me
saktësi gjërat e paparashikuara dhe sfidat e jetës, duke u frymëzuar nga
morali i shenjtorëve, besimi, fuqia, durimi, qëndresa e paepur e tyre.
“Prandaj dhe ne, të rrethuar prej një reje kaq të madhe dëshmitarësh, le
të hedhim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pushton lehtë, edhe me durim
le të vrapojmë në rrugën që është përpara nesh, duke shikuar te Jisui që
është kryet dhe fundi i besimit” (Hebr. 12:1-2).
Gusht 2014
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë