EmailFacebookKontakt
Lajme

E Kremtja e Ungjillëzimit të Hyjlindëses Mari – në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë

25/03/2026

U zhvillua sot, ditën e Mërkurë, Liturgjia Hyjnore me rastin e festës së shenjtë të Ungjillëzimit në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, një nga të kremtet më të rëndësishme të Kishës Orthodhokse.
Shërbesat e Shenjta u drejtuan nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë Imzot Joani, i cili mbajti edhe predikimin përpara besimtarëve të shumtë të mbledhur në këtë ditë feste.
Në fjalën e tij, Kryepiskopi Joan theksoi rëndësinë e kuptimit të thellë të Shkrimit të Shenjtë, duke nënvizuar se leximi i Ungjillit nuk duhet të mbetet vetëm në njohjen e tekstit, por në përjetimin dhe kuptimin shpirtëror të tij. Ai e cilësoi festën e Ungjillëzimit si “fillimin e shpëtimit të njerëzimit” dhe një moment kyç në historinë e krishtërimit.
Duke u ndalur te mesazhi i festës, Imzot Joani vuri në dukje se fjala “Gëzohu”, me të cilën Kryeëngjëlli i drejtohet së Tërëshenjtës, përfaqëson thelbin e Ungjillit – lajmin e mirë për ardhjen e Shpëtimtarit. Ai theksoi se gëzimi i vërtetë nuk lidhet me pasurinë apo rrethanat e jashtme, por është një dhuratë shpirtërore që buron nga prania e Zotit në jetën e njeriut.
Gjithashtu, Kryepiskopi Joan u ndal te figura e së Tërëshenjtës, duke e paraqitur atë si shembull të bindjes, pastërtisë dhe përkushtimit ndaj vullnetit hyjnor. Ai nënvizoi rëndësinë e përgjigjes së menjëhershme ndaj thirrjes së Zotit dhe rolin e të rinjve në jetën e Kishës, duke i inkurajuar ata të ruajnë pastërtinë shpirtërore dhe të afrohen me besim.
Në përfundim, ai theksoi se mungesa e gëzimit në botën moderne lidhet me largimin e njeriut nga Zoti, ndërsa festa e Ungjillëzimit mbetet një burim shprese, paqeje dhe bekimi për të gjithë besimtarët.
Liturgjia u zhvillua në një atmosferë të veçantë shpirtërore, ku besimtarët morën pjesë në lutje dhe reflektim, duke përjetuar një nga të kremtet më domethënëse të besimit të krishterë orthodhoks.
Media Ngjallja, 25.03.2026

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse