EmailFacebookKontakt
Lajme

Kultivimi i ullirit dhe manastiret e Myzeqesë – Nga Ilirjan Gjika

15/02/2026

Ulliri është një kulturë e Mesdheut që është që ndeshet në vendin tonë qysh në periudhën antike. Edhe Myzeqeja dhe veçanërisht treva e Fierit e favorizuar kryesisht nga klima dhe relievi i alternuar fushoro-kodrinor, ka një traditë të vjetër dhe shekullore në kultivimin e kësaj bime. I njohur për vlerat e tij ushqyese, kuruese dhe ekonomike, për ullirin është treguar kujdes i veçantë përgjatë shekujve të kaluar. Në veprën e tij ‘’Gjeografia’’, të shkruar në shek. I pk, Straboni, kur përshkruan Ilirinë, shkruan se: ‘’Ky vend i ngohtë dhe frytdhënës është plot me ullishta dhe vreshta’’ (1). Që nga kjo kohë ulliri është kultivuar përgjatë Myzeqesë përgjithësisht në zonat kodrinore që shtrihen në qëndër të saj por edhe në periferi, atje ku tokat bujqësore nuk mbanin lagështi. Për traditën vendase të ullirit flet edhe një literaturë e pasur historike si dhe materialet e shumta që vijnë nga gërmimet arkeologjike kryesisht në qytetin antik të Apolonisë (2). Ndërkohë duhet theksuar se kjo traditë e vjetër ka vijuar edhe gjatë shekujve të mesjetës, kur Apolonia, u shndërrua në një qëndër manastiriale dhe hapësira ku ajo shtrihej u mboll me dhjetra rrënjë ullinjsh. Ekzistenca e tyre shihet edhe sot përgjatë kurrizit të saj kodrinor dhe kryesisht në zonën e shenjtë të qytetit, pranë shtëpisë së Misionit Arkeologjik Francez. Po kështu, në këtë manastir midis objekteve të shumta arkeologjike ruhen edhe dy rrotulla të cilat i shërbenin dikur mullirit të vajit që funksiononte në këtë institucion fetar. Ndërsa të dhëna të tjera rreth kulturës së ullirit në këtë zonë gjejmë kohë më pas edhe në defterët osmanë. Sipas regjistrit kadastror të sanxhakut të Vlorës, të vitit 1570, fshati Levan, midis taksave dhe detyrimeve në grurë, elb, mel, koçkulla, kumbulla, qiqra, thjerrëza, tagji, rrush, etj, paguante edhe ato të ullinjve (3). Kujtojmë se Levani është një vendbanim që ndodhet disa kilometra në juglindje të Apolonisë, kodrat e të cilit përfshirë edhe ato të Frakullës më në jug, përbënin në antikitet prapatokën bujqësore të saj. Ndërsa të dhëna të tjera na vijnë edhe nga autorët bashkëkohorë rreth kultivimit të kësaj bime në këtë zonë. Kështu, ullirin e ndeshim edhe përgjatë fushës në perëndim të Apolonisë, pranë kishës mesjetare të ‘’Shën e Premtes’’. ‘’Mbaj mend mirë se në të majtë të këtij pylli ndodheshin edhe disa rrënjë ullinj, në grup, si një korije e vogël ngjitur me drurët pyjorë. Ishin ullinj me kokërra të vogla dhe bërthamë të madhe, por shumë vajës. Në të folmen e vendit quheshin “ullastra”, mbase nga latinishtja “oleastro”, ulli i egër. Prania e atyre ullinjve afër kishës së Shëne-Premtes të kujtonte me një herë ullinjtë tek kodra e Apolonisë, atje tek hyrja e tempullit të Artemidës’’, shkruan rreth tij në artikullin e tij studimor, ‘’Spinarica, porti detar i Apolonisë’’, shkrimtari dhe publicisti Aristotel Mici (4). Ndërkohë që ullinjtë janë kultivuar edhe përgjatë vargjeve e tjera kodrinorë të Myzeqesë, si ato të Divjakës dhe Ardenicës. Në manastirin bizantin të Ardenicës ruhet në gjendje shumë të mirë mulliri i vajit, një vepër e mirëfilltë e ‘’inxhinjerisë popullore’’. Deri në mesin e shekullit të kaluar ai ishte në gjendje pune dhe përpunonte sasi të konsiderueshme të vajit të ullirit. Për ullinjtë e këtij manastiri na jep të dhëna edhe piktori anglez Eduard Lir. Në ditarin e tij të udhëtimit, të datës 18 tetor 1848, midis të tjerave ai shkruan se: ‘’Në orën dhjetë e gjysmë, Protopapa dhe shërbyesit e tij zbritën me mua kodrën e bukur të Ardenicës. Pas një ore arritëm tek trapi i Beratinos për të kaluar lumin. Kjo na mori shumë kohë sepse varka ishte e vogël dhe kuajt duheshin shkarkuar dhe hipur në trap një nga një. Dita ishte e ngrohtë, por shiroku që nisi të frynte po ja zbehte ngjyrat pejsazhit të bukur, i cili, nga lartësitë sipër lumit i ngjan shumë Richmond Hill – vetëm me ullinj (sepse këtej ka shumë pemë, për të cilat kujdeset manastiri) në vend të vidhave’’ (5). Ndërsa përpara shpronësimit të tij prej shtetit komunist, ky manastir, përveç tokës bujqësore, kullotave, korijeve, livadheve, pyllit dhe drurëve frutorë, kishte në pronësi edhe 1050 rrënjë ullinj (6).
Ndërkohë dihet gjerësisht që gjatë mesjetës pranë këtyre institucioneve funksiononin jo vetëm shkolla, biblioteka, punishte, spitale por shkruheshin edhe kodikë, libra, kopjoheshin libra të vjetër dhe shkruheshin vepra të ndryshme. Njëhkohësisht ato shërbenin edhe si qëndra të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, ku zhvilloheshin edhe panaire tregtare dhe kultivoheshin bimë medicinale. Midis të tjerave, manastiret e Myzeqesë, dalloheshin për ullishtarinë dhe prodhimin e vajit të ullirit. Këtë e tregojnë mësë miri edhe të dhënat dokumentare. Nga shfletimi i dokumenteve të pronësisë së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, shohim se këto manastire zotëronin një numër të konsiderueshëm ullinjsh. Kështu, manastiri i Apolonisë kishte në pronësi 300 rrënjë ullinj, manastiri i Kolkondasit dhe ai ‘’Shën Kollit’’ në Divjakë zotëronin 150 rrënjë ullinj secili, manastiri i ‘’Shën Kollit’’ në Kadipashaj kishte 50 rrënjë ullinj, ndërsa ai i ‘’Shën Trifonit’’ në Sheqishte numëronte 207 të tillë (7). Krahas tyre edhe kishat zotëronin sipërfaqe të mbjella me këtë bimë. Sipas një letër lamërimi të Zyrës së Bujqësisë të Lushnjes, të datës 30 mars 1939, kisha e ‘’Shën Gjergjit’’ në Libofshë zotëronte në vendin e quajtur, ‘’Faqe e Malit’’, 57 rrënjë ullinj. Kurse në bazë të të dhënave të buxhetit të vitit 1946, të kishës së ‘’Shën Nikollës’’ në Frakull, kjo kishë zotëronte 65 rrënjë ullinj në Vlorë dhe Nartë, krahas pesë rrënjëve të tjera që ndodheshin në oborrin e saj (8). Prej këtyre ullinjve nxirej vaj jo vetëm për nevojat e shërbesave kishtare dhe ndriçimin e kandilave, por edhe për tu përdorur për gatim për mencat e murgjve (trapezaritë), apo personelin laik që shërbente pranë këtyre manastireve. Kjo traditë shërbeu në kishat dhe manastiret e Myzeqesë që nga periudha e antikitetit të vonë e deri në vitin 1967, kur kishat dhe manastiret e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, u shpronësuan prej shtetit komunist. Atyre ju morën forcërisht jo vetëm godinat dhe kishat si ‘’shtëpi të zotit’’, por edhe tokat, kullotat, pyjet, ullinjtë, vreshtat dhe drufrutorët. Pavarësisht këtyre masave, ullinjtë e kishës mbetën fizikisht të paprekur në formë masivesh apo pemësh të veçuara. Ato u përdorën padrejtësisht duke u shfrytëzuar pa kriter për një kohë të gjatë nga fermat shtetërore dhe kooperativat bujqësore, ku shumë prej tyre edhe sot nuk janë rikthyer KOASH, si pronare e ligjshme. Pavarësisht kësaj përvoje, ullinjtë, këto bimë shekullore, janë të pranishëm përsëri pranë kishave dhe manastireve të Myzeqesë, duke dëshmuar historinë dhe bashkëjetesën e tyre me Kishën Ortodokse. Një gjë e tillë kostatohet edhe nga pelegrinët, turistët dhe vizitorët e ndryshëm, të cilët krahas vlerave historike, kulturore dhe artistike të krijuara në këto institucione, shohin dhe prekin nga afër këtë vepër të kryer me mund dhe sakrificë përgjatë shekujve nga kleri dhe komunitetet e murgjëve.
* Foto: rrotullat e mullirit të vajit në manastirin e Apolonisë
……………………….
1-Strabo, Geographica, VII, 317
2-Neritan Ceka, Apolonia e Ilirisë, SH. B. ‘’8 nëntori’’, Tiranë 1982, f. 76, 84; A. Mano, Apollonia e Ilirisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 2006, f. 31-32
3-Teki Sadiku, Mallakastra dhe Myzeqeja e Vogël, Migjeni, Tiranë 2009, f. 123
4-Aristotel Mici, Spinarica, porti detar i Apolonisë, Milosao-Gazeta Shqiptare, dt 19 shtator 2018
5-E. Lear, Ditar udhëtimesh, Plejad, Tiranë 2008, f. 145
6-Petrika Shalësi, Dokumente që provojnë pronësi të kishës, Gazeta Ngjallja, tetor 1996, f. 3
7-Petrika Shalësi, Dokumente që provojnë pronësi të kishës, Gazeta Ngjallja, korrik 1996, 12; P. Shalësi, Dokumente që provojnë pronësi të kishës, Gazeta Ngjallja, tetor 1996, f. 3; Andrea Llukani, Krishtërimi në Shqipëri, Trifon Xhagjika, Tiranë 2012, f. 325-329
8-Dosja e Zëvendësisë Ortodokse të Fierit, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier
MEDIA NGJALLJA, 15.02.2026

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse