EmailFacebookKontakt
Lajme

U zhvilluan Shërbesat e Shenjta në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë E diela II e Triodit – E Djalit Plangprishës. 8 shkurt 2026

08/02/2026

U zhvilluan Shërbesat e Shenjta në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, nën drejtimin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit.
Në të dielën e dytë të Triodit, Kisha kujton paravolinë e Djalit Plangprishës, një nga historitë më të thella dhe më prekëse të Ungjillit, që flet për pendimin, lirinë, përgjegjësinë dhe dashurinë e pakufishme të Perëndisë.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryepiskopi Joan theksoi se Triodi është një periudhë shumë e rëndësishme e vitit liturgjik. Kisha e sheh jetën si një udhëtim shpirtëror dhe viti liturgjik është pikërisht ky udhëtim, me qëllimin final takimin me Zotin e Gjallë në ditën e Pashkës. Për këtë arsye, Kisha na përgatit për këtë takim përmes meditimit, pendimit dhe pastrimit shpirtëror.
Imzot Joani shpjegoi se kjo histori, (e Djalit Plangprishës) është historia e çdo njeriu. Largimi nga shtëpia e Atit nënkupton largimin nga gjendja e thellë shpirtërore dhe nga kungimi me Perëndinë. Ky “vend i largët” është jeta e njeriut kur ai jeton i robëruar nga mëkati dhe pasionet, i shkëputur nga natyra e tij e vërtetë.
Ai theksoi se liria pa përgjegjësi nuk çon në liri të vërtetë, por në skllavëri. Një njeri që jeton në shthurje nuk mund të jetë i lirë, sepse liria e vërtetë gjendet vetëm në të vërtetën. “E vërteta do t’ju bëjë të lirë”, thotë Zoti, dhe kjo e vërtetë është jeta në kungim me Perëndinë.
Kryepiskopi u ndal edhe te fjala kyçe e paravolisë: “erdhi në vete”, duke shpjeguar se për sa kohë njeriu jeton në mëkat, ai nuk është në vete. Ardhja në vete është fillimi i pendimit të vërtetë, që nuk mbetet vetëm në ndjenjë, por shndërrohet në veprim konkret dhe ndryshim jete.
Figura qendrore e kësaj paravolie, theksoi ai, është Ati zemërdhembshur, që vrapon drejt të birit sapo e sheh nga larg. Kjo tregon se Perëndia, sapo sheh një hap të vogël nga ana jonë, bën shumë hapa drejt nesh, duke na falur dhe duke na dhënë dhurata shpirtërore.
Drejtësia e Perëndisë, tha Kryepiskopi, nuk është thjesht drejtësi njerëzore, por është dashuri dhe dhembshuri. Pa dashuri dhe dhembshuri, asnjë vepër asketike dhe asnjë rregull nuk ka vlerë. Qëllimi i vërtetë i jetës shpirtërore është që njeriu të bëhet i ngjashëm me Perëndinë, i cili është zemërdhembshur.
Në përfundim, Imzot Joani theksoi se periudha e Triodit dhe e Kreshmës së Madhe është një thirrje për pendim, shpresë dhe kthim. Askush nuk duhet të bjerë në dëshpërim, sepse Perëndia na pret të gjithëve me dashuri. Ai na thërret për të na shëruar, për të na pastruar dhe për të na shenjtëruar. Amin.
MEDIA NGJALLLJA, 8.02.2026

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse