Në të kremten e madhe të Atit tonë ndër Shenjtorë Shën Athanasit, Patriarkut të Alekasandrisë, Mitropoliti i Gjirokastrës, z. Nathanail zhvilloi një vizitë dy ditore nëpër disa nga kishat që mbajnë emrin e Shenjtit në Mitropolinë e Gjirokastrës.
Pasditen e së shtunës, Mitropoliti vizitoi kishën e rindërtuar të Shën Athanasit në Dhërmi, ku celebroi Shërbesën e Shenjtë të Hapjes së Dyerve dhe në vijim Shërbesën e Mbrëmësores.
Pas Dhërmiut, Mitropoliti vizitoi kishën e Shën Athanasit në Lukovë, ku kreu Shërbesën e Mbrëmësores. Në të dy fshatrat Mitropoliti predikoi mbi jetën e Shën Athanasit, duke frymëzuar besimtarët që të qëndrojnë të palëkundur në besim dhe në çdo rast të kërkojnë ndërmjetimet e Shenjtit.
Ditën e Diel, Mitropoliti drejtoi Shërbesat e Shenjta të Mëngjesores dhe Liturgjisë Hyjnore në kishën e Shën Athanasit, në Sopik të Sarandës. Në predikimin e tij Mitropoliti u ndal në Ungjillin e së Dielën XII Llukait, dhe theksoi nevojën e mirënjohjes për çdo të mirë që Perëndia na dhuron vazhdimisht. Gjithashtu, Mitropoliti ju referua edhe jetës së Shën Athanasit.
Pasditen e së Dielës, Mitropoliti vizitoi kishën e Shën Athanasit në fshatin Eleftherohor të Delvinës. Kisha e Shën Athanasit u dogj verën e kaluar nga zjarret që përfshinë zonën e Delvinës, por me kontributin e besimtarëve ka filluar rindërtimi i saj. Fillimisht u vendos çatia e kishës dhe në vijim do të përfundojë komplet rindërtimi i saj.
Vizitat baritore të Mitropolitit Nathanail shërbyen gjithashtu për të forcuat lidhjen shpirtërore mes Mitropolisë dhe besimtarëve, duke treguar kujdesin e vazhdueshëm të Kishës për çdo enori dhe çdo besimtar. Mitropoliti falenderoi priftërinjtë për shërbesën e tyre të palodhur dhe besimtarët për qëndrueshmërinë dhe pjesëmarrjen e gjallë në jetën liturgjike të Kishës. Këto vizita përbëjnë një dëshmi të gjallë të pranisë së Kishës në jetën e popullit të saj dhe forcojnë frymën e bashkimit, besimit dhe shpresës në Krishtin e Ngjallur.
Media Ngjallja: 18.01.2026



Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse