EmailFacebookKontakt
Lajme

Manastiri i  profetit ilia , jorgucat – gjirokastër, viti 1588

30/12/2025

Manastiri i profetit Ilia në Jorgucat është themeluar në shekullin XII dhe është nga më të vjetrit e Dropullit. Ka pasur 800 hektarë tokë e livadhe[1]. Të ardhurat vjetore të manastirit kanë qenë 400 lira turke[2]. Manastiri feston më 20 korrik. Kisha përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati. Kisha është e mbuluar me çati dyujëse. Hyrja për në ekzonarteksin e kishës është në anën veriore. Narteksi ndriçohet me anën e disa dritareve të vogla në faqet jugore dhe veriore[3]. 
Naosi është njënefësh me tri apsida dhe ka përmasa të brendshme 5.40×3.60 metra. Hapësira e tij është e pandarë dhe mbulohet me qemer cilindrik. Në secilën prej apsidave ka nga një dritare të vogël. Narteksi është i mbuluar me qemer cilindrik dhe lidhet me naosin në anën perëndimore. Në anën perëndimore narteksi paraprihet nga një mjedis i mbyllur, që është pa tavan dhe mbulohet nga çatia e kishës. Mbi muret veriore dhe perëndimore të kishës është një arkadë e lartë mbi pilastra. Mbi të kalon një ulluk, i cili grumbullon ujërat e shiut dhe i shpie në sterë. Harkada në murin verior dhe niket në faqet e apsidës lindore janë elemente të rëndësishme të trajtimit arkitektonik. Kisha është ndërtuar me gurë shtresorë, me radhitje të rregullt. Përfundon me një kornizë prej gurësh të vendosur në formë dhëmbësh sharre. Harqet janë punuar me gurë të gdhendur. Plani i tyre është më i thelluar se i muraturës[4]. 
Nga një mbishkrim në portën e brendshme vërtetohet se kisha e manastirit të profetit Ilia është ndërtuar dhe pikturuar më parë në vitin 1588 nga dora e murgut Niqifor: Ετους 7092 (=1588) ίστορηθη ί θείος καί πάνσεπτος ούτος ναός τού Προφήτου Ηλίου / καί δια χείρός Νικηφόρου μοναχού ήγουμενεύοντος κύριου…..“Viti 7092 (=1588) u pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar i profet Ilisë me dorën e murgut Niqifor, në kohën kur ishte igumen zoti..”[5]. Narteksi i kishës është pikturuar në vitin 1617 nga dora e Mihal Linotopit nga Kosturi[6]. Këtë e vërteton mbishkrimi në portën perëndimore të kishës: + Ανηγέρθη κ(αί) ηστωρίθη ο πάνσεπτος ναος ού ο άρτηκας / κ(αί) (ή)γουμενέβώντος έν οσίο(ι)ερομοναχής π(α)πά Κήρ σημεών – / +ετούς Ζ Ρ Κ Ε (7125+1617) – καί διά χηρός καμαρτο / λου Μηχαήλ έκ κόμής / ληνοτοπίου της Καστωρίας. "U ndërtua dhe u pikturua ky tempull i gjithënderuar dhe narteks në kohën kur ishte igumen ndër oshënarë jeromonak zoti Simeoni, viti 7125 (=1617), dhe me dorën e mëkatarit Mihail nga katundi Linotopi i Kosturit"[7]. Interesante në këtë manastir është së në Blatën e Hyjshme të naosit përmenden këta emra hierarkësh: Joakim, Neofit, Jeremi, Mathe, Kalist, Gavril, Rafael dhe në vijim janë rreth 60 emra hieromonakësh. Manastiri ka pasur lipsanë shenjtorësh të Shën Ermolaut, Shën Harallambit, Shën Prokopit, Shën Pandelejmonit etj. Manastiri i profetit Ilia mbështeste shkollat e zonës me 50 lira çdo muaj[8]. Pas vitit 1967 manastiri u rrënua, duke u kthyer në stallë[9]. Kisha e manastirit të profetit Ilia në Jorgucat është shpallur monument kulture[10] në vitin 1963.
[1]-Dhimitër Beduli, Manastiret e Mitropolisë së Hirëshme të Gjirokastrës, “Ngjallja”, shtator 1993, faqe 4.
[2]-Βασιλειου Μπαρα, Το Δελβινο της Βορειου Ηπειρου και οι γειτονικες του περιοχες, Αθηναι, 1966, σελ. 237.
[3]-Aleksandër Meksi, Pirro Thomo, Arkitektura pasbizantine në Shqipëri, “Monumentet”, Nr. 19, Tiranë, 1980, faqe 95.
[4]-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e jugut, Tiranë, 1998, faqe 106-108.
[5] -Π. Πουλίτσα, Επιγραφαί και Ενθυμήσεις εκ της Βορείου Ηπείρου, Επετηρίς Εταιρείας Βυζαντινών Σπουδών, Αθήναι, 1928, σελ. 61; Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1998, nr.530, faqe 223.
[6]-Linotopi është një fshat, në një luginë të Gramozit pranë Kosturit i banuar prej vllehësh. Ikonografët nga Linotopi me atelietë e tyre të lëvizshme ftoheshin nga arkondë vendas për të pikturuar afreske dhe ikona të lëvizshme. Ikonografët nga Linotopi e zhvilluan aktivitetin e tyre kryesisht nëpër kishat dhe manastiret e Shqipërisë. Sipas mbishkrimeve kishtare, janë tetë kisha dhe manastire të Shqipërisë, që janë pikturuar nga peneli i ikonografëve nga Linotopi. Në stilin e tyre të pikturimit, ikonografët nga Linotopi kanë përdorur një sërë burimesh. Ata kanë prdorur si modele elemente vendase të jetës së përditshme, si bulla e dropullitëve ose kalldrëmi epirot te pikturat e Akathistit  në Jergucat. Ata janë ndikuar edhe nga piktura perëndimore. Rasti më tipik është ai i Shën Kristoforit të Saraqinishtës, i cili mbështetet në një degë, duke përshkuar lumin, subjekti i të cilit mund të jetë ndikim nga ndonjë gravurë italiane. Kostandinos Jakumis, Veprimtaria e piktorëve nga Linotopi në viset e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shiqpëri, Tiranë, 2003, faqe 209-216.
[7]-Π. Πουλίτσα, Επιγραφαί και Ενθυμήσεις εκ της Βορείου Ηπείρου, Επετηρίς Εταιρείας Βυζαντινών Σπουδών, Αθήναι, 1928, σελ. 61; Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1998, nr.540, faqe 226-227.  
[8]-Μιχαήλ Γ. Τρίτου, Η Εκκλησια στο Ανατολικό και την Αλβανία, εκδοτικός οίκος "Αδελφών Κυριακίδη", Θεσσαλονίκη, 1999, σελ. 90-92.
[9] -Γιώργου Γιακουμή, Μνημεια ορθοδοξιας στην Αλβανία, Εκδοση Εκπαιδευτηριων Δουκα, Αθηνα, 1994, σελ. 48.
[10] -Mbrojtja e monumenteve, Botim i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë, 1974, faqe 33; Trashëgimia Kulturore akte ligjore dhe nënligjore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Tiranë, 2003, faqe 89.
MEDIA NGJALLJA, 30.12.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse