EmailFacebookKontakt
Lajme

Nisma e Rinisë Ortodokse të Tiranës për Krishtlindje 2025: “Pranë vëllezërve dhe motrave në nevojë”

28/12/2025

Gjatë periudhës së shenjtë të Krishtlindjeve, Rinia Ortodokse e Tiranës, me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit, ndërmori një nismë të gjerë dashurie, solidariteti dhe përgjegjësie shoqërore për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve dhe motrave në nevojë, në Tiranë dhe jashtë saj. Kjo nismë nuk ishte thjesht një akt bamirësie, por një dëshmi e gjallë e përjetimit të Ungjillit në përditshmëri, ku fjala e Zotit tonë Jisu Krisht shndërrohet në vepër konkrete dashurie.
Me porosinë atërore të Kryepiskopit Joan, të rinjtë u angazhuan të identifikonin persona që jetojnë në qytetin tonë pa dallim feje, duke vënë në qendër të vëmendjes ata që shpesh mbeten të padukshëm për shoqërinë: familje në vështirësi ekonomike, nëna dhe gjyshe që jetojnë të vetme në apartamentet e pallateve, njerëz që përballen jo vetëm me mungesën materiale, por edhe me barrën e rëndë të vetmisë. Në këtë mënyrë, Kisha dëshmon se dashuria e saj është gjithëpërfshirëse dhe se çdo njeri është i çmuar dhe I veçantë në sytë e Perëndisë.
Të rinjtë nuk lanë pa dhurata as nënat për të cilat kujdeset Kisha jonë në Qendrën Rezidenciale Familja e Dashurisë "Hyjlindesja Mari” në Qendrën Thavor, si edhe në Shtëpinë “Shpresa”, që ndodhet në ambientet e Manastirit të Shën Vlashit në Durrës.
Vizitat në këto qendra u kthyen në momente të veçanta gëzimi dhe ngushëllimi, ku një pako ushqimore shoqërohej me një fjalë të mirë, një përqafim dhe një lutje, duke sjellë ngrohtësi shpirtërore dhe shpresë në zemrat e atyre që kanë më shumë nevojë.
Një sasi e konsiderueshme pakosh ushqimore u sigurua gjithashtu për Gramshin, Shtërmenin dhe Elbasanin, duke treguar se kjo nismë nuk njeh kufij gjeografikë, por shtrihet kudo ku ka nevojë. Në total, u përgatitën dhe u shpërndanë 875 pako, fryt i bashkëpunimit, përkushtimit dhe sakrificës së shumë njerëzve me zemër të mirë.
Nisma të tilla janë thelbësore për jetën e Kishës dhe të shoqërisë sonë, sepse ato edukojnë ndjenjën e solidaritetit, forcojnë lidhjet njerëzore dhe kujtojnë se besimi i vërtetë nuk qëndron vetëm në fjalë, por në vepra.
Për të rinjtë dhe studentët e përfshirë, kjo përvojë është një shkollë jete; ata mësojnë të shohin tjetrin me sy më të dhembshur, të kuptojnë realitetet e vështira të shoqërisë dhe të formohen si qytetarë dhe të krishterë të përgjegjshëm. Përmes shërbimit, të rinjtë rriten shpirtërisht, forcojnë ndjenjën e komunitetit dhe kuptojnë se ofrimi i vetvetes është burim i gëzimit të vërtetë.
Një falënderim i veçantë u drejtohet të gjithë dhuruesve dhe mbështetësve tanë, brenda dhe jashtë vendit, të cilët me bujarinë e tyre e bënë të mundur realizimin e kësaj nisme. Kontributi i tyre, qoftë i madh apo i vogël, u shndërrua në ndihmë konkrete për qindra familje dhe në shpresë për shumë zemra të vuajtura dhe të munduara.
Zoti i bekoftë të gjithë ata që dhanë nga pasuria e tyre, koha dhe dashuria e tyre, dhe le t’ua shpërblejë shumëfish këtë vepër të mirë.
Kjo nismë e Rinisë Ortodokse të Tiranës mbetet një dëshmi se Krishtlindja është dritë që ndriçon errësirën, është dashuri që ndahet dhe shumëfishohet, dhe është thirrje për secilin prej nesh që të bëhemi bashkëpunëtorë të së mirës në shoqërinë tonë.
MEDIA NGJALLJA, 18.12.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse