EmailFacebookKontakt
Lajme

E kremtja e shën stefanit

27/12/2025

KRYEDHJAKON STEFANI, DËSHMORI I PARË I KISHËS SË SHENJTË
Pas Pentikostisë dhe zbritjes së Shpirtit të Shenjtë mbi apostujt, ishin të shumtë ata që nisën të konvertohen, të bindur prej fjalëve të zjarrta të apostujve dhe nga mrekullitë e tyre. Sapo u bënë anëtarë të Trupit të Krishtit me anë të Pagëzimit të Shenjtë, besimtarët braktisën të mirat e tyre për t’u dhënë çmimin e tyre apostujve dhe duke u shkëputur nga çdo lidhje me jetën e botës, ata bënin një jetë të përbashkët, duke pasur një zemër dhe një shpirt të vetëm. Pasi kryenin me zell detyrimet e tyre fetare në Tempull, mblidheshin në veçanti për të ndjekur mësimin e Apostujve, për të lavdëruar Zotin Jisu Krisht dhe për të marrë pjesë me gëzim të madh në banketin e jetës së përjetshme, Eukaristinë e Shenjtë, vula e kungimit të tyre me Perëndinë dhe i dashurisë së tyre të ndërsjellë (shih Veprat 2:42-47; 5:32-34).
Ndërsa besimtarët shtoheshin pa pushim, të Dymbëdhjetët vendosën të caktojnë shtatë vëllezër, të vlerësuar nga të gjithë për urtësinë dhe të mbushur plot me Shpirtin e Shenjtë, për të lehtësuar në kujdesin material komunitetin e të krishterëve. Kjo veçanërisht në shërbimin e vëllezërve gjatë ngrënies së ushqimit që bëhej në bashkësi dhe gjatë ndihmës për vejushat dhe njerëzit e varfër, kështu që apostujt të kishin kohën e nevojshme për t’iu përkushtuar lutjes dhe mësimit. Këta shtatë dhjakonë, të cilëve apostujt u vendosën sipër kokës dorën, ishin: Stefani, Filipi, Prohori, Nikanori, Timoni, Parmenasi dhe Nikolla (Veprat 6:1-6).
Aktiviteti i Stefanit, që ishte kreu i tyre, u shtri përtej ndihmesës materiale të komunitetit. I mbushur me hirin e Shpirtit të Shenjtë, duke kryer kështu mrekulli dhe duke folur me autoritetin e të dërguarve të Perëndisë, ai admirohej nga të gjithë në një pikë të tillë, saqë judenjtë, të tërbuar që nuk mund t’u jepnin përgjigje argumentimeve të tij, e akuzuan se kishte bërë blasfemi dhe komplot kundër institucioneve të Ligjit dhe e çuan përpara Këshillit (Sinedrit), gjykatës së kryepriftit.
I riu u paraqit pa frikë përpara gjykatësve dhe Shpirti i Shenjtë, të cilin Krishti ua premtoi se do t’ua dërgonte dishepujve të Tij në të tilla raste (Matth. 10:19), i frymëzoi një fjalim të zjarrtë, në të cilin u rikujtoi judenjve zemërgur se sa shumë durim dhe mirësi Perëndia tregoi për popullin e Tij pareshtur, duke u premtuar patriarkëve besëlidhjen e Tij dhe duke ndihmuar të zgjedhurit e Tij. Mrekulli, shenja të mëdha, veprime të hirit, premtime, zbulesa të frikshme nëpërmjet Moisiut u bënë të ditura në Sina, në shkretëtirë dhe në të gjithë historinë e Izraelit, pa lënë mënjanë faktin se sa shumë bëri Perëndia për të lartësuar popullin e tij të zgjedhur nga lidhja e sëmurë pas krijesave dhe për ta shpëtuar nga idhujtaria. Por gjithmonë ata rezistuan, derisa erdhi në tokë i Drejti, Shpëtimtari dhe Çliruesi, premtimi i patriarkëve dhe përmbushja e profecive, ata treguan të njëjtën zemër të parrethprerë, të njëjtën rezistencë këmbëngulëse ndaj rrugëve të Shpirtit të Shenjtë: “Si etërit tuaj, kështu edhe ju. Cilin nga profetët nuk ndoqën etërit tuaj?
Por edhe i vranë ata që lajmëruan që përpara për ardhjen e të Drejtit, të cilit ju tani iu bëtë tradhtarë e vrasës” (Veprat 7:51-53).
Hiri i Perëndisë, që mbushte zemrën e Stefanit dhe që e bënte të ngjashëm me Qiellin, bëri që të dilnin prej gojës së tij këto fjalë të ndriçuara dhe u përhap edhe në trupin e tij, duke e bërë fytyrën të shkëlqente nga një dritë hyjnore, si Zoti ditën e Metamorfozës (shih Matth. 17:6; Lluk. 9:20). Judenjtë, kur e panë të veshur me lavdi shkëlqyese, si një engjëll të Perëndisë (Veprat 6:15), e rrethuan gjykatën dhe nisën të kërcëllojnë dhëmbët me inat.
Zemërimi i tyre shpërtheu kur Stefani ngriti sytë në qiell dhe soditi lavdinë e Perëndisë dhe pa Jisuin më këmbë në të djathtë të Atit, aq qartë siç do të vijë në fund të kohëve dhe thirri: “Ja tek po shoh qiejt e hapur dhe të Birin e njeriut duke ndenjur nga e djathta e Perëndisë” (Veprat 7:26). Duke mos duruar dot këtë zbulesë të lartësimit në qiell të Jisu Krishtit dhe të qëndrimit të tij trupor në gjirin e Trinisë së Tërëshenjtë, judenjtë zunë veshët dhe u sulën mbi Stefanin, e çuan jashtë qytetit ku e vranë duke e goditur me gurë.
Teksa po e vrisnin, Stefani i qetë dhe rrezatues, ngazëllonte nga gëzimi, duke ndjekur në këtë mënyrë shembullin e Mësuesit të tij, e gurët me të cilët e gjuanin u bënë për atë shkallë që e lartësonin deri në vizionin e lavdëruar të Krishtit që ai kishte parë. Duke thirrur emrin e Zotit, e dha frymën e fundit, si Jisui mbi Kryq, me këtë thirrje të dashurisë më të lartë për armiqtë: “Zot, mos ua zër atyre këtë për mëkat” (Veprat 7:60; Llk. 22:24).
Duke e zbukuruar Kishën me perlat e vyera të gjakut të tij, Stefani ishte i pari që ndoqi rrugën e hapur nga Krishti me anë të Pësimit të Tij. Vdekja e tij e vullnetshme për hir të së vërtetës i hapi qiejt dhe e bëri të shikonte lavdinë e Perëndisë. Dashuria e tij e përsosur për Perëndinë dhe për të arfërmin, duke shkuar deri në faljen e xhelatëve të tij, e bëri të qëndrojë në rangun e parë të miqve të Perëndisë. Për këtë arsye, shembujt e zjarrtë të martirëve që shohin në këtë ditë dritën e shkëlqyeshme të fytyrës së tij të përzier me atë të yllit të Betlehemit, kanë shpresë të sigurt në ndërmjetimin e tij.
Trupi i shën Stefanit, i varrosur prej njerëzve shpresëtarë, u rigjet pas një zbulese në vitin 415, në Kafargmala, nga prifti Lukian, dhe u transferua në Jerusalem, në kishën e ndërtuar për nder të tij nga perandoresha Evdokia, gruaja e Theodhosit të Ri. Më pas, e transferuan përsëri në Konstandinopojë.
KISHA E UNGJILLËZIMIT, TIRANË
Media Ngjallja, 27.12.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse