EmailFacebookKontakt
Lajme

Manastiri i fjetjes së hyjlindëses mari – kakome, sarandë, 1672

16/12/2025

MANASTIRI I  FJETJES SË HYJLINDËSES
KAKOME, SARANDË, 1672
Manastiri i Kakomesë gjendet në bregdet të Nivicës. Kisha e manastirit i është kushtuar "Fjetjes së Hyjlindëses" dhe feston më 15 gusht. Të ardhurat vjetore të manastirit kanë qenë 180 lira. Kisha e manastirit është ndërtuar në brendësi të gjirit të Kakomesë në breg të detit Jon. Kisha përbëhet nga naosi dhe hajati në anën perëndimore. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë triapsidal dhe ka përmasa të brendshme 6.80×3.70 metra. Muratura e kishës është me gurë të lidhur me llaç gëlqereje. Muret përfundojnë me korniza prej guri. Çatia e kishës është e mbuluar me tjegulla. Nga manastiri i kanë qëndruar kohës kisha dhe dy godina, të cilat janë në gjendje të rrënuar. Në pjesën lindore të manastirit ngrihet një kullë trekatëshe. Dy katet e sipërme kanë qenë për banim, ndërsa kati i poshtëm ka shërbyer si depo. Në pjesën veriore të manastirit gjendet një ndërtesë dykatëshe, ku qenë dhomat e banimit të personelit të manastirit. Kjo ndërtesë përmban elementë të shumtë dekorativë të realizuar me gurë të gdhendur. Manastiri është i rrethuar me mure të lartë[1]. 
Nga një mbishkrim që gjendet mbi portën perëndimore, brenda naosit të kishës vërtetohet se afresket janë punuar nga dora e Mihalit nga Zerma në vitin 1672: +Ανηστωρίθει ω θηος κ(αί) πάνσεπτος να / ος τλης Πανειπερευλογιμένις ενδόξου Δες / πηνες ημών Θεότοκου κ(αί) Αειπαρθενου Μαρίας. Δηα σήνδρο / μης του παννασιωτατου καθηοίγουμενου / πάπα Κύρ μανθέου με τήν σοιν(ο)διαν του, επη ετους Α Χ Ο Β, Ζ Ρ Π (1672=7180) κ(αί) αρχιερατευ / βοντες του θεοφιλεστατου επη(σ)κοπου Κηριου Κηριου Σεραφημ. / (Διά) χηρος καμου τού άμαρτο / (λου) (Μ)ιχαλις ζο / 9γράφου έκ) κομης Ζερμ(α). “U pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithnderuar i së mbibekuarës, së lavdëruarës zonjës sonë Hyjlindëse dhe gjithmonë virgjëreshës Mari, me kontributin e gjithoshënarit igumenit, zotit Papa Mantheut me suitën e tij, në vitin 1672-7180 dhe në kohën e peshkopatit të shumë perëndidashësit zotit Serafim, dora ime e mëkatar Mihalit, piktor nga katundi Zerma”[2]. 
Mbi portën e narteksit, jashtë kishës është shkruar: +Πύλην νοητην τω λόγω κέκλ(ει)σμεν(ην) ανοιξον ημύν / συμπάθ(ε0ιαν τας πύλας η των ευδιάλ(λ)ακτον τε / κούσα λογον ος αν λιταις σου ταις ανενδοτης / αγας εξιλεωσης τον πανάηαθόν λόγον λύσιν παρασχείν / τών βροτων μαγ…δων εκ τον της πυλης καθηστείσαι Μ(ήτ)ερ την φω / τοειδήν – σωτηρίαν διδ9ου) α χ ο β (=1672).  “Hapna portën e kuptueshme me anën e arsyes, që është e mbyllur, hapna portat e simpatosë ti që linde fjalën e mirëkuptueshme, që me anën e lutjeve tuaja shumëkëmbëngulëse të zbutësh fjalën e fortmirë që të fali zgjidhjen e mëkateve të të vdekurve jashtë portës, të vë ty o nënë, jepna shpëtimin e ndritshëm…1672”[3]. Gjëja më me vlerë në manastir është një ungjill prej pergameni, brenda të cilit janë katër ungjijtë dhe në fund ka shkurtore e sinaksarë. Faqet e ungjillit janë zbukuruar me mikrografi. Manastiri çdo muaj ka ndihmuar me 30 lira shkollën e Nivicës. Rezatimi shpirtëror i manastirit ka qenë aq i madh saqë respektohej me shprestari edhe nga popullsia myslimane e zonës. Sa herë që kishte ndonjë mosmarrëveshje serioze ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve të zonës ata shkonin në manastir dhe betoheshin[4]. Manastiri i Kakomesë në vitin 1963 është shpallur monument kulture[5].
[1] -Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, Tiranë 1998, faqe 181-184.
[2] -Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, nr. 813, faqe 298-299; Τιτος Γιοχαλας, Στη γη του Πυρρου, εκδοσεις Αστερισμοσ-Λιζα Εβερτ, Αθήνα, 1995, σελ 105.
[3] -Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, nr. 814, faqe 299.
[4] -Μιχαήλ Γ. Τρίτου, Η Εκκλησια στο Ανατολικό και την Αλβανία, εκδοτικός οίκος "Αδελφών Κυριακίδη", Θεσσαλονίκη, 1999, σελ. 103-104.
[5] -Trashëgimia Kulturore akte ligjore dhe nënligjore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Tiranë, 2003, faqe 80.
MEDIA NGJALLJA, 16.12.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse