EmailFacebookKontakt
Oshënar Modesti i Jerusalemit
Oshënar Modesti i Jerusalemit

Shën Modesti ishte një murg i famshëm për virtytin e tij dhe njohjen e thellë të filozofisë së shenjtë dhe të vërtetë që të çon në ndriçimin e Shpirtit të Shenjtë. Për këtë arsye, u zgjodh edhe igumen i manastirit të Shën Theodhos Kinovjarkut, themeluar në shekullin e 6-të, dhe drejtoi me urtësi grigjën e tij shpirtërore. Në vitin 614, kur mbreti i Persisë, Hosroes II, përparoi drejt Jerusalemit me trupat e tij, patriarku Zaharia dërgoi Modestin mes radhëve të armikut, për të kërkuar ndihmën e ushtrive perandorake të cilat ishin vendosur në Antioki. Pas një rrethimi prej 3 javësh, qyteti u mor nga persët dhe për 3 ditë rresht iu nënshtrua një plaçkitjeje sistematike dhe masakrave të panumërta. Meqë patriarku Zaharia u dërgua në internim bashkë me Kryqin e Shenjtë dhe me mijëra të krishterë të tjerë, Modesti u përzgjodh për ta zëvendësuar në qytetin, i cili ende po digjej nga flakët.

Duke rrezikuar jetën e tij në çdo moment, shën Modesti, si një Zorobabel i ri, punoi për varrosjen e mijëra viktimave dhe për rindërtimin, me aq sa kishte mundësi, të altarëve dhe vendeve të shenjta që ishin plaçkitur dhe ishin ndotur nga barbarët. Ai mblodhi të arratisurit, i ngushëlloi, u dha shpresë dhe, falë ndihmës së madhe të patriarkut të Aleksandrisë, shën Joan Përdëllimtarit (shih 12 nëntorin), arriti t’i rijapë jetë Kishës së Sionit të pikëlluar dhe të lënë pa asnjë ndihmë.

Gjatë kësaj kohe ai inicioi në besë me anë të Pagëzimit të shenjtë një persian, shën Anastasin, i cili vuajti martirizimin në Qesari në vitin 628 (22 janar). Në vitin 619, kur u kthye nga internimi, patriarku Zaharia mori përsëri drejtimin e Kishës, deri në vdekjen e tij në vitin 632. Shën Modesti e pasoi si patriark dhe pasues i shën Jakovit. Enë e zgjedhur e Hirit dhe predikues i palodhur i Ungjillit të shenjtë, ai zbukuroi fronin e Nënës së Kishave me anë të shkëlqimit të virtyteve dhe mrekullive të tij. Shenjti fjeti paqësisht në Zotin më 17 dhjetor 634.