EmailFacebookKontakt
Lajme

Kremtim festiv në ditën e shën elefterit, shenjtorit të vlorës dhe gjithë ilirisë

15/12/2025

KREMTIM FESTIV NË DITËN E SHËN ELEFTERIT, SHENJTORIT TË VLORËS DHE GJITHË ILIRISË
Me hirin e Perëndisë dhe në një atmosferë lutjeje e gëzimi shpirtëror, u kremtua Liturgjia Hyjnore në kishën e Shën Theodhorëve në Vlorë. Në këtë shërbesë të shenjtë bashkëmeshuan Mitropolitët; i Beratit Hirësia e tij z. Asti  dhe i Korçës Hirësia e tij z. Anastas duke i dhënë festës një rëndësi të veçantë kishtare dhe duke forcuar më tej lidhjen shpirtërore të besimtarëve me Kishën.
Gjatë Liturgjisë u krye edhe dorëzimi në dhjakon i z. Foti, nga Orikumi, një moment i rëndësishëm dhe prekës, që u prit me gëzim e lutje nga kleri dhe besimtarët e pranishëm. Ky akt i shenjtë përbën një hap të ri në shërbimin e tij ndaj Kishës dhe popullit të Perëndisë, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe gjallërinë e jetës kishtare.
Në këtë kremtim morën pjesë klerikë dhe besimtarë të shumtë, të ardhur jo vetëm nga Vlora, por edhe nga  Korça, Fieri dhe Durrësi, të cilët u bashkuan në lutje dhe falënderim. 
Prania e tyre dëshmoi dashurinë dhe përkushtimin ndaj Kishës, si edhe unitetin e gjallë të besimit orthodhoks në të gjithë vendin tonë.
Qoftë kjo festë një burim bekimi, force shpirtërore dhe paqeje për të gjithë besimtarët, ndërsa Shën Elefteri të ndërmjetësojë gjithmonë për Kishën dhe popullin e Perëndisë.
Për shumë vjet!
MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT
MEDIA NGJALLJA, 15.12.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse