EmailFacebookKontakt
Lajme

Fjala përshëndetëse e Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij Anastasi  në Panairin e Shenjtë të Shën Elefterit të Vlorës dhe Ilirisë

15/12/2025

Fjala përshëndetëse e Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij Anastasi 
në Panairin e Shenjtë të Shën Elefterit të Vlorës dhe Ilirisë 
“DHE UNË DËSHMOJ DHE E KAM NDJERË NË JETËN TIME, 
SE SHENJTI ËSHTË GJITHMONË PRANË NESH”
Ju falenderojmë Hirësi (Asti) për fjalët e mira. Do të doja të sillja shkurtimisht në kujtesën tuaj mënyrën se si e nisëm këtë panair të shenjtë të Hierodëshmorit të shenjtë dhe të madh, Shën Elefterit, Episkopit të Vlorës dhe Ilirisë. 
Fatkeqësisht nuk kishim dhe nuk kemi ende një kishë që të na kujtonte shenjtorin dhe ndoshta për këtë shkak, por edhe të kohë së shumtë të kaluar nuk kishte mbetur kulti i shenjtorit në qytetin tonë. Shumë veta mbanin emrin e tij ashtu siç e mbajnë edhe sot, dhe të gjithë këta ndoshta nuk ishin të gjithë të krishterë dhe nuk janë, por tradita e emrit të shenjtorit kishte mbetur në këto troje. Dhe me bekimin dhe uratat e të paharruarit të mitropolitit tonë të dashur dhe atit tonë Ignatit, e filluam këtë panair në vitet 2010, 2011 me përpjekje për të ngritur dhe lartësuar emrin e shenjtit dhe për të kërkuar ndërmjetimet e tij. Dhe unë dëshmoj dhe e kam ndjerë në jetën time, se shenjti është gjithmonë pranë nesh, ka qenë gjithmonë këtu edhe pse ne nuk e kemi ditur ndoshta në kohëra të vështira. Jam emocionuar pa fund vitin e shkuar, kur ashtu siç erdhën gjërat, Kryepiskopi i dashur Anastas zgjodhi që të më ngrinte në gradën episkopale dhe në ato ditë të ngushta që nuk kishim shumë kohë, se ai kishte dëshirë që të bashkëmeshonim për Krishtlindje (2024), gjë të cilën sëmundja e tij nuk e lejoi, por në ato pak kohë që kishte mbetur deri në Krishtlindje, Zoti e solli që e vetmja ditë që mund të bëhej hirotonia ishte e Diela e Shën Elefterit. Dhe unë me naivitetin tim, që kishim panairin këtu siç e bënim çdo vit, i thashë: 
– Fortlumturi, nuk mundemi ta bëjmë këtë të dielë, sepse unë duhet të jem në Vlorë për panairin e Shën Elefterit. Ai më tha: 
– “Të gjithë bashkë do ta kremtojmë Shën Elefterin në Tiranë këtë vit.” Edhe ashtu u bë. Ajo ishte Liturgjia e tij e fundit. Dhe që nga ajo ditë jetoi edhe 40 ditë të tjera dhe tani bashkëmeshon me engjëjt në altarin e Perëndisë. 
Dhe kur Perëndia, më vonë, me votën e nderuar të Kryepiskopit Joan dhe të vëllezërve të mi të shenjtë, anëtarë të Sinodit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, më zgjodhi Mitropolit të Korçës, në momentin që jam ngjitur në fronin e katedrales kam parë pikërisht në kollonën që ishte përballë fronit – ishte ikona e Shën Elefterit.  Dhe për mua kjo gjë ishte një emocion shumë i madh. 
Unë jam shumë i lumtur sot, që traditën që filluam me bekimin e Hirësi Ignatit dhe me prezencën e tij, që nuk mungoi asnjëherë gjatë gjithë viteve që ne kremtonim Shën Elefterin, ju të dashur vëllezër, bashkëqytetarë dhe bashkëbesimtarë do ta vazhdoni nën drejtimin shpirtëror me lutjet dhe me bekimin e vëllait tim të dashur dhe të shtrenjtë, Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësisë së Tij Asti. Vërtetë Hirësi Ignati është lart në qiell dhe unë tani jam larg në Korçë, por jemi të qetë, sepse ju lemë në duar të sigurta të një kryeprifti të urtë, me jetë asketike, me dashuri të madhe dhe përulësi të thellë; dhe ju ftoj edhe një herë siç kam bërë dhe herë të tjera: ta rrethoni atë me dashuri dhe me lutjet tuaja! Peshkopi nuk ka nevojë për asgjë, më shumë se sa lutjet, dashuria dhe respekti i grigjës së tij. 
Dua të falenderoj të gjithë të pranishmit; të gjithë etërit bashkëmeshëtarë që ishin sot këtu, të gjithë psaltët, të gjithë ata që zgjodhën të udhëtojnë nga mëngjesi apo që dje për të qenë me ne sot këtu. Zoti ju bekoftë me ndërmjetimet e Shën Elefterit të Vlorës dhe Ilirisë që kremtojmë sot, të nënës së tij Anthia, dhe të gjithë shenjtorëve të Tij. 
Gëzuar dhe përshumëvjet! Gëzohem që nga mot ky panair të jetë më i madh dhe më i ndritshëm dhe të jemi të gjithë së bashku!
Kisha e Shën Theodhorëve, Vlorë, 15 Dhjetor 2025
MEDIA NGJALLJA

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse