Ditën e diel datë 14 dhjetor 2025, Mitropoliti i Elbasanit Hirësi Andoni drejtoi Shërbesat e Shenjta në kishën e Shën Nikollës në Elbasan. Bashkë me Hirësinë meshuan edhe klerikët e kësaj kishe Stavrofor Atë Stavri Çipi, Atë Andrea Ranxha dhe Dhjakon Martin Ziu.
Të shumtë ishin edhe besmtarët që morën pjesë në këto Shërbesa.
Hirësi Andoni, në fund të Liturgjisë Hyjnore ftoi të gjithë besimtarët që të përgatiten për festën e Lindjes së Zotit tonë Jisu Krisht:
"Ndërsa i afrohemi ditës së shenjtë të 25 dhjetorit, kur Kisha jonë e Shenjtë kremton Lindjen sipas mishit të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jisu Krisht, jemi të ftuar të ndalemi dhe të përgatisim jo vetëm shtëpitë tona, por mbi të gjitha zemrat tona.
Krishti nuk lindi në pallate madhështore, por në një shpellë të thjeshtë, duke na mësuar se përulësia, dashuria dhe paqja janë streha e vërtetë ku Perëndia dëshiron të banojë. Prandaj, le të pastrojmë zemrën nga hidhërimi, smira dhe egoizmi, dhe ta zbukurojmë atë me falje, mëshirë dhe vepra dashurie.
Kjo periudhë e shenjtë na thërret në lutje më të thellë, pendesë të sinqertë dhe afrim me njëri-tjetrin. Le të jemi dritë për ata që janë në errësirë, ngushëllim për të trishtuarit dhe shpresë për të dëshpëruarit, ashtu siç Krishti u bë Dritë për mbarë botën.
Duke pritur Lindjen e Shpëtimtarit, le të mësojmë ta presim Krishtin tek çdo njeri, veçanërisht tek i varfri, i sëmuri dhe i braktisuri. Vetëm kështu, festa e Krishtlindjes do të jetë e vërtetë dhe e bekuar.
Zoti i paqes qoftë me ju dhe me familjet tuaja, dhe Lindja e Krishtit të mbushë zemrat tona me gëzim, shpresë dhe dashuri të pashtershme".
KISHA E SHËN NIKOLLËS, ELBASAN
MEDIA NGJALLJA, 14.12.2025



Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse