Në të kremten e Atit tonë ndër Shenjtorët, Shën Spiridhon Mrekullibërësit, Episkopit të Trimithundës, Mitropoliti i Gjirokastrës z. Nathanail zhvilloi një vizitë baritore dy ditore në zonën e Himarës.Nderimi i Shën Spiridhonit është shumë i përhapur në këtë zonë, edhe për shkak të pozicionit gjeografik përballë ishullit të Korfuzit, ku gjendet i paprishur Lipsani i Shenjtit. Shumë kisha janë ndërtuar në nderim të Shenjtit në Himarë dhe në fshatrat krahë saj, Qeparo, Vuno dhe Dhërmi.
Në Himarë dhe Dhërmi u ndal Mitropoliti në vizitën e tij. Fillimisht, pasditen e së enjtes, në Mbrëmësoren e Shenjtë të së kremtes, Mitropoliti vizitoi kishën e Shën Spiridhonit në Himarë, ku drejtoi edhe Shërbesën.
Ditën e nesërme, Mitropoliti Nathanail vizitoi kishën e Shën Spiridhonit në Dhërmi, ku drejtoi Shërbesat e Shenjta të Mëngjesores dhe Liturgjisë Hyjnore. Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, Mitropoliti i dha ofiqin e Protopresviterit, ikonom Efthim Bixhilit, i cili shërben në kishat e Dhërmiut dhe Palasës.
Në të dyja kishat, si në Himarë ashtu edhe në Dhërmi, besimtarët rendën në kishë për tu kishëruar dhe për të nderuar Shën Spiridhonin. Gjithashtu besimtarët rendën në kishë edhe për të takuar dhe për të marrë bekimet e Mitropolitit, i cili predikoi duke ju referuar jetës së Shenjtit dhe mrekullive të tij të shumta.
Përgatiti për Media Ngjallja – Dhjakon Pandeleimon Zeneli
Dt. 12 Dhjetor 2025



Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse