KISHA "SHËN SPIRIDHONI"
VUNO, 1778
Kisha "Shën Spiridhoni" gjendet në lagjen e poshtme të fshatit Vuno. Rreth saj gjendet edhe dy ndërtesa të tjera. Godina e shkollës dhe ndërtesa e administratës kishtare. Kisha është bazilikë dhe ka përmasa të brendshme 19.80×11.40 metra. Në anën perëndimore të kishës gjendet hajati në formë katrore. Muratura është me gurë dhe e suvatuar. Qoshet e mureve dhe shpatullat e dyerve e dritareve janë punuar me gurë të gdhendur. Ndërtesa e administratës kishtare është dykatëshe dhe gjendet në anën jugore të kishës. Ndërsa godina e shkollës gjendet në anën lindore të saj. Sipas një gojësdhëne kjo kishë është ndërtuar me nismën e Shën Kozmait me materialet e mbetura nga një vapor i mbytur.
Kisha është ndërtuar në vitin 1778. Kjo vërtetohet me anën e një mbishkrimi që gjendet mbi portën jugore brenda kishës: “1778-Në muajin shkurt u rindërtua që nga themeli ky tempull i shumëhyjshëm dhe në muajin shkurt 1784 u stolis me të gjitha, me harxhet dhe shpenzimet e përbashkëta të katundit dhe në kohën e peshkopatit të shumë perëndidashësit Joaniqit, shenjtit të Himarës dhe Delvinës. Kujdestaria në atë kohë ka qenë nga i njejti katund, Vuno sikurse shihet më qartë në librin e përbashkët të shkollës dhe të këtij manastiri. U pikturua prej Janit nga eparkia e Drinopojës dhe e Gjirokastrës”.
Në ikonën e Krishtit që gjendet në ikonostasin prej muri të kishës gjendet ky mbishkrim: Δεησις τις δουλις του Θεου Νεζα Δημεα. “Lutje e shërbëtories së perëndisë, Neza Dhimea”. Ndërsa në ikonën e Shën Mërisë është shkruar: +Δεησις της δου / λυς του Θεου / Λιουκα(σ) διμε / εν ετ(ε)ι 1783 ης. “Lutje e shërbëtores së perëndisë, Lule Dhima, në vitin 1783”. Në ikonën e Kryeengjëllit Mikael në ikonostasin e kishës gjendet mbishkrimi: Δεησις του δουλου του Θεου Ιω(αννου) του Σακου. “Lutje e shërbëtorit të perëndisë, Janit të Sakut”. Ndërsa mbi faqen e murit jugor pranë portës së kishës është shkruar: +δεησις του δουλου του Θεου Πολημερου του Πηρο. “Lutje e shërbëtorit të perëndisë, Polimerit të Piros”. Kisha e "Shën Spiridhonit" e fshatit Vuno në vitin 1963 është shpallur monument kulture.
MEDIA NGJALLJA, 11.12.2025


Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse