EmailFacebookKontakt
Lajme

Rrënojat e manastirit të ‘’Shën Gjergjit’’ në Brataj – Nga Ilirjan Gjika

10/12/2025

Rrënojat e manastirit të ‘’Shën Gjergjit’’ në Brataj
Nga Ilirjan Gjika
Brataj është një nga vendbanimet e njësisë administrative me të njëjtin emër në Bashkinë Selenicë, në Qarkun e Vlorës. Si pjesë e krahinës etnografike të Labërisë, ky fshat, ndodhet përgjatë bregut të majtë të Shushicës apo siç quhet ndryshe edhe Lumi i Vlorës (1). Ndërkohë sipas gjeografisë rajonale, ajo, përbën degën më të madhe dhe kryesore të pellgut ujëmbledhës të lumit Vjosa. Me një gjatësi prej 81.6 km, Shushica, nis nga Kuçi dhe përfundon në Beshisht, duke krijuar një luginë të gjerë që shtrihet midis vargjeve malorë Kurvelesh-Gribë në lindje dhe Çikë-Lungarë në perëndim. Po kështu, duke rrjedhur nga jugu në drejtim të veriut, ajo, merr me vete edhe përrenjtë e Smokthinës, Vajzës dhe Vllahinës (2). I pasur me burime të shumta natyrore, Lumi i Vlorës, është një zonë e banuar qysh në periudhën parahistorike, ku janë gjetur gjurmë të shumta qytetërimi. Ndërkohë e hershme është edhe ekzistenca e krishtërimit në këtë trevë që dokumentohet prej periudhës së antikitetit të vonë. Një fakt të tillë e dëshmojnë edhe veprimtaria e peshkopatës së dikurshme të Amantias, si dhe një sërë gjetjesh arkeologjike (3). Të tilla mund të përmendim rrënojat e bazilikave paleokristiane të shek. IV-VI në Mesaplik dhe Amantia, apo të kishave mesjetare në Xhyherinë, Sherishtë, Risili, Peshkëpi, Penkovë, Armen, Mesarak, Velçë, etj (4). Ndërkohë që nuk mungojnë edhe toponimet me origjinë kristiane apo legjendat dhe antroponimet e ndryshme, të cilat ndeshen me shumicë në të gjithë këtë zonë. Pikërisht këtu, nuk bën përjashtim edhe Brataj, në territorin e të cilit kemi emërtimet Shën Gjergj, Shtodhëri (Shën Todër), Gjinakriqi, (Gjino-Kryq), Guri i Qishës (Guri i Kishës), etj. Ndërkohë, dëshmi të drejtëpërdrejta dhe të prekshme janë edhe rrënojat e kishës dhe manastirit të ‘’Shën Gjergjit’’, të cilat ndodhen në bregun e djathtë Shushicës (5). Përveç toponimit ‘’Shën Gjergj’’, që ruhet ende në memorjen e banorëve vendas, nga ky objekt ruhen një pjesë e mirë e mureve të naosit, të cilët i gjejme deri në lartësinë 2-3 m. Ndërkohë gjatë kërkimeve arkeologjike të vitit 2015, pranë kishës u gjetën edhe rrënojat e një manastiri të fortikuar me një sipërfaqe 0,7 ha, të vendosur mbi një kodër me shkëmbinj dhe të rrethuar me mure (6). Arkeologët ndeshën përveç mbetjeve të kishës në anën juglindore edhe gjurmët e konakëve të dikurshmën në perëndim dhe jugperëndim të hapësirës së tij. Po kështu, përreth kishës u gjendën edhe rrënojat e një sërë muresh dhe ndërtimesh të tjera (7). Zbulimi dhe prania e tullave, tjegullave, apo materialeve të tjera të përdorura, si dhe teknika e ndërtimit të tyre dëshmojnë se të gjitha këto objekte janë ndërtuar në të njëjtën kohë (8). Nga studimet rezultoi se kisha e ‘’Shën Gjergjit’’, është e tipit njënefësh me kryq të brendashkruar dhe kupolë mbi katër mbështetje të lira. Disa prej elementëve të saj përbërës kanë qenë: naosi, altari dhe narteksi. Më i ruajtur është naosi katërkëndësh, brenda nefit të së cilin gjenden mbetjet e katër pilastrave katrore. Pikërisht mbi to dhe muret anësorë, mbështeteshin harqet gjysëmrrethore të qemerit, ndërsa në qendër të kësaj hapësire ngrihej tamburi me kupolën (9). Po kështu, në anën lindore të naosit ndodhej altari i pajisur me një absidë gjysëmrrethore të ndërtuar me gurë, midis të cilëve janë vendosur edhe copa tjegullash. Në naos, në pjesën e sipërme të faqes jugore, ruhen akoma edhe disa fragmente zbukurimi me shkronja të realizuara, ku janë përdorur si material tullat dhe tjegullat. Ndërsa përgjatë aksit të kishës, në pjesën perëndimore të saj, ishte vendosur narteksi me planimetri katërkëndëshe dhe gjatësi 9 m (10). Pikërisht këtu, në anën veriore dhe jugore të tij ndodheshin dy hyrje monumentale të pajisura me portik. Kurse hyrja për në pjesën kryesore të kishës, në naos, gjendjej në qendër të murit të tij ndarës me narteksin. Duke gjykuar nga përmasat e njëjta me naosin dhe disa mbetjeve të qemerit të tij, arkeologët që kryen kërkimet në terren si dhe studjues të tjerë, mendojnë se edhe narteksi ka qenë i pajisur me një kupolë të mbështetur në katër shtylla të lira (11). Përsa i përket ndërtimit, kisha, është ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqereje, ndërsa në pjesën e poshtme të mureve, ndeshen edhe blloqe të mëdha gurësh të gdhëndur të marra nga ndërtimet antike (12). Si rezultat i studimet e kryera mendohet se kisha është ndërtuar diku në shek. X-XI (13). Ndërsa arkeologët e rendisin këtë objekt si manastirin më të vjetër të tipit të fortifikuar në territorin e vendit tonë (14). Po kështu, rrënojat e kishës së manastirit të ‘’Shën Gjergjit’’ në Brataj, gëzojnë statusin monument kulture dhe përbëjnë sot një destinacion shpirtëror dhe historik në këtë zonë.   
* Rrënojat e kishës së ‘’Shën Gjergjit’’ në Brataj. Foto e marrë nga faqja në FB e DRTK Vlorë
*****
1- https://www.selenica.gov.al/wp-content/uploads/2019/09/Bashkia-Selenice-converted-converted.pdf; Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 111
2- Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 111
3-L. De Thalloczy-C. Jirecek-E. De. Sufflay, Acta et Diplomata res Albaniae Meidae Aetatis Illustrantia. Collegerunt et digesserunt, 1, Vindobonae 1913, 1
4-D. Komata, Bazilika paleokristiane e Mesaplikut, Iliria, 1, Tiranë 1984, 183-198; S. Xhyheri, S. Muçaj, A. Pentkovskiy, I. Ristani, Kërkime arkeologjike në krahinën e Vlorës, Mallakastrës, Myzeqesë dhe Korçës, (Korridori Vlorë-Prespë, raport 2013-2015), Candavia 6, 2016, f. 279-295; S. Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tezë doktorature, Tiranë 2016, f. 41-42, 75-82, 257-258, 280-284; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 37-39, 257-258, 282-286
5-S. Xhyheri, S. Muçaj, A. Pentkovskiy, I. Ristani, Kërkime arkeologjike në krahinën e Vlorës, Mallakastrës, Myzeqesë dhe Korçës, (Korridori Vlorë-Prespë, raport 2013-2015), Candavia 6, 2016, f. 288-292; S. Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tezë doktorature, Tiranë 2016, f. 257-258
6-Po aty, f. 288-292; f. 257-258
7-Aleksandër Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 285
8-S. Xhyheri, S. Muçaj, A. Pentkovskiy, I. Ristani, Kërkime arkeologjike në krahinën e Vlorës, Mallakastrës, Myzeqesë dhe Korçës, (Korridori Vlorë-Prespë, raport 2013-2015), Candavia 6, 2016, f. 288-292; S. Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tezë doktorature, Tiranë 2016, f. 257-258
9-A. Meksi, Arkitektura e kishave të Shqipërisë (shekVII-XVII), Uegen, Tiranë 2004, f. 220-221; S. Xhyheri, S. Muçaj, A. Pentkovskiy, I. Ristani, Kërkime arkeologjike në krahinën e Vlorës, Mallakastrës, Myzeqesë dhe Korçës, (Korridori Vlorë-Prespë, raport 2013-2015), Candavia 6, 2016, f. 288-292; S. Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tezë doktorature, Tiranë 2016, f. 257-258; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 285-286
10-Po aty, f. 220-221; 288-292; 285-286
11-Po aty, f. 220-221; 288-292; 285-286
12-Aleksandër Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 286
13-S. Xhyheri, S. Muçaj, A. Pentkovskiy, I. Ristani, Kërkime arkeologjike në krahinën e Vlorës, Mallakastrës, Myzeqesë dhe Korçës, (Korridori Vlorë-Prespë, raport 2013-2015), Candavia 6, 2016, f. 288-292; S. Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tezë doktorature, Tiranë 2016, f. 257-258; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 285-286
14-S. Xhyheri, S. Muçaj, A. Pentkovskiy, I. Ristani, Kërkime arkeologjike në krahinën e Vlorës, Mallakastrës, Myzeqesë dhe Korçës, (Korridori Vlorë-Prespë, raport 2013-2015), Candavia 6, 2016, f. 288-292; S. Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tezë doktorature, Tiranë 2016, f. 257-258
MEDIA NGJALLJA, 10.12.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse