Kisha e manastirit të Mesopotanit i është kushtuar "Shën Kollit" dhe kremton më 6 dhjetor. Ky manastir është themeluar në shekullin XI, në kohën e Kostandin Monomakut (1042-1054) mbi një tempull të vjetër pagan. Manastiri i Mesopotamit ka qenë në varësi të Patriarkanës së Kostandinopojës. Të ardhurat vjetore të manastirit kanë qenë 80 lira. Manastiri është i rrethuar prej një muri të lartë të ndërtuar me gurë. Sipas Aleksandër Meksit kisha e manastirit është ndërtuar me tulla dhe me materiale që janë marrë nga ndërtesa antike. Gjithashtu është e zbukuruar me afreske dhe me mozaikë. Kisha përbëhet nga naosi, narteksi dhe mjedisi i altarit. Muratura e kishës përbëhet nga tri breza. Ai i poshtmi është prej gurësh të mëdhenj gëlqerorë dhe të skuadruar. Brezi i mesëm është ndërtuar me tulla dhe me gurë çmersi, ndërsa ai i sipërm është ndërtuar me tulla të holla dhe përfundon me një kornizë në formë dhëmbësharre.
Një mbishkrim që është gdhendur mbi një pllakë guri të murosur në kolonën e madhe verilindore të kishës tregon se kisha është restauruar më 20 janar të vitit 1793 prej papa Thanasit nga fshati Rokadhes: 1793 ιανουαριου κ / παπα Θαναση του / Παπα Πανου χορηο(ν) Ρακαδ(ε)σ. “1793, janar 20. Papa Thanasi i Papa Panos, katundi Rakadhes”.
Sipas Aleksandër Meksit dyshemeja e kishës është e shtruar me pllaka të mëdha prej guri gëlqeror të vendosura estetikisht duke formuar figura gjeometrike. Gjithashtu në dyshemenë e narteksit gjendet një vizatim, i cili përbëhet nga tri rombe në mes dhe dy kuadrate anash. Mbi majat e rombeve janë gdhendur tri lule zambaku. Dyshemeja e portikut është si ajo e naosit. Në pjesën veriore gjenden tri panela mozaiku. Paneli i parë ka përmasa 80×80 centimetra dhe përbëhet nga një sfond i bardhë, në të cilin janë vizatuar katër gjela duke parë njëri-tjetrin. Në panelin e dytë me përmasa 100×90 centimetra, paraqitet një dragua me krahë të hapur, i cili është figuruar me gurë të bardhë me konture të kuqe. Në murin verior paraqitet një derr i egër dhe pas tij një qen, i cili është duke sulmuar derrin. Në brezin e poshtëm të murit lindor paraqiten një shqiponjë, dy dragonj dhe një luan.
Shqiponja paraqitet në pozicionin ballor me gjoksin e dalë përpara. Ajo është në këmbë me krahët e ngritura përpjetë. Në artin bizantin kjo figurë ka simbolikën e shqiponjës perandorake. Pas shqiponjës është figura e një dragoi me krahë gati për fluturim. Trupin e ka si zvaranikët të zgjatur dhe bishtin e ka me nyje. Dragoi ka vetëm dy këmbët e pasme. Koka i ngjan një langoi. Në vijim kemi një figurë që është kombinim ndërmjet trupit të luanit, ndërsa koka i takon një qeni. Duke u nisur nga pozicioni i dy këmbëve të para duket qartë se sapo ka filluar vrapin. Në faqen veriore të apsidës, në linjë horizontale me atë të dragoit të parë është një dragua. Ai ka trup luani, që tejzgjatet në pjesën fundore dhe shndërohet në gjarpër.
Një mbishkrim i gdhendur mbi ikonostasin e kishës vërteton se është gdhendur në vitin 1892: +Στερεωσον (Κύριε) την αγιαν μονην ταυτην τ / ου επηφενοντως εργον ηγουμενο(υ) / Ανθημου Παπανικολαου Μουζηνα / ετους 1892 Σταυρο(υ) και Νικολα Μαρα, Κούζτα. “Forcoje këtë manastir të shenjtë, vepër e të shquarit igumen Efthim Papanikollës. Muzinë 1892. Stavro dhe Nikollë Mara, Kosta”. Kisha e "Shën Kollit" ka formë katërkëndëshi këndëdrejtë. Në të gjenden katër kube me madhësi 18.30×11.30 metra. Kisha e manastirit të "Shën Kollit" është shpallur monument kulture në vitin 1848.
Media Ngjallja, 6 Dhjetor 2025


Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse