EmailFacebookKontakt
Lajme

Liturgji Hyjnore Kryepriftërore në kishën e Shën Nikollës, Përmet

06/12/2025

Sot, më 6 dhjetor, në të kremten e Atit tonë ndër Shenjtorë, Shën Nikollës, Kryepiskopit të Mirës së Likisë dhe Mrekullibërësit, Mitropoliti i Gjirokastrës, z. Nathanail drejtoi Shërbesat e Shenjta të Mëngjesores dhe Liturgjisë Hyjnore në kishën historike të Shën Nikollës në qytetin e Përmetit.
Besimtarë nga të tre enoritë e qytetit mbushën kishën për të nderuar kujtimin e Shën Nikollës dhe për të kërkuar bekimet dhe ndërmjetimet e tij. Shën Nikolla, si një prej Shenjtorëve më të dëgjuar të Krishtërimit, njihet për mrekullitë e shumta dhe të panumërta që bën në çdo kohë për të gjithë ata që i luten me besim.
Për këtë arsye Shën Nikolla është bërë një Shenjtor shumë i dashur për të krishterët orthodhoksë në mbarë botën dhe në veçanti për të krishterët orthodhoks të Mitropolisë së Hirshme të Gjirokastrës, të cilët kanë ndërtuar nëpër shekuj mbi 60 kisha të mëdha dhe të vogla, si edhe 5 Manastire, për të nderuar Shenjtin.
Media Ngjallja, 6 Dhjetor 2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse