Sot, më 4 dhjetor, u zhvillua Liturgjia Hyjnore Kryepriftërore dhe panigjirike në kishën e Shën Varvarës, e cila është e kishë e përbashkët për tre fshatra të Bashkisë Minoritare të Finiqit në Sarandë.
Për banorët e fshatrave Aliko, Çaush dhe Tremul, kisha e Shën Varvarës është qendra e jetës së tyre shpirtërore dhe shoqërore.
Mitropoliti i ri i Gjirokastrës, z. Nathanail, i cili drejtoi Shërbesat e Shenjta, u ndal sot tek vizita e parë e Kryepiskopit të lumur Anastas në Shqipëri në vitin 1991, si Eksark i Patriarkanës Ekumenike. Një nga ndalesat e Kryepiskopit Anastas ishte edhe kisha e Shën Varvarës, ku në vizitën e tij të parë Atë Kristo, i cili për 35 vite shërben me devotshmëri në këtë kishë, e shoqëroi Kryepiskopin si dhiakon dhe më 16 gusht 1991 u dorëzua në presviter. Atë Kristo ishte dorëzuar në dhiakon nga i ndjeri Anastas në manastirin e Pendelit në Athinë, në korrik të vitit 1991.
Mitropoliti i Gjirokastrës, në një ceremoni prekëse, i dha sot ofiqin e Protopresviterit Atë Kristos, i cili tashmë është 88 vjeç.
Në Liturgjinë panigjirike morën pjesë disa priftërinj të zonës, si edhe një grup priftërinjsh dhe besimtarësh nga Lefkadha, të drejtuar nga Igumeni i Manastirit të Faneromenit, Arkimandrit Niqifori, i cili mbajti edhe predikimin e rastit, duke u përqendruar në jetën e Shën Varvarës.
Leonidha Pappa
Media Ngjallja 04.12.2025



Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse