MANASTIRI I SHËN DHIMITRIT
QEPARO, HIMARË, VITI 1760
Manastiri i Shën Dhimitrit gjendet në fshatin Qeparo të Himarës. Sipas Pirro Thomos kisha e manastirit i është kushtuar "Shën Mitrit" dhe kremton më 26 tetor. Të ardhura vjetore të manastirit kanë qenë 30 lira. Naosi është në formë kryqi me kupolë dhe ka përmasa të brendshme 7.50×4.60 metra. E veçanta e kësaj kishe janë dekoracionet me tulla të vendosura në formë sharre. Kisha e manastirit është ndërtuar në vitin 1760. Kjo datë gjendet e gdhendur mbi një gur, në anën e djathtë të portës perëndimore të kishës. Konakët e manastirit janë ndërtuar në vitin 1811. Kjo datë është e gdhendur mbi një gur në njerin prej harqeve të konakëve të manastirit. Mbi një kuti lipsanësh është shkruar: Η παρουσα θηκι τον αγιον ληψανον ηπαρχι του αγιου Νικολάου της / ιερας μονις Παλερμου. Δια εξοδου καθηγουμενου χιρ Χρισανθου (ι)ερομο / ναχου – 1800. Νανι Χριεκοκας Θοδορι. “Kjo kuti e lipsanave të shenjta është e shën Kollit të Manastirit të hirshëm të Palernës. Me shpenzimet e igumenit, zotit jeromonak Krisanthit 1800. Nako Kriekoka Theodori”. Ambienti i altarit ndahet me një ikonostas druri. Në mjediset e kishës ka qenë edhe shkolla, si dhe godinat ndihmëse. Manastiri i Shën Dhimitrit në vitin 1963 është shpallur monument kulture.
Media Ngjallja
1.12.2025
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse