KISHA KATEDRALE E "SHËN DHIMITRIT"
NË LAGJEN "VAKËF" TË BERATIT, VITI 1851
Kisha katedrale e Shën Dhimitrit në lagjen "Vakëf" të Beratit është ndërtuar në mesin e shek. XIX, menjëherë pas tërmetit të vitit 1851. Pas kësaj fatkeqësie beratasit pa dallim feje ju lutën Shën Dhimitrit, shenjtorit që mbron nga tërmetet, të merrte në mbrojtje qytetin e tyre. Trualli për ndërtimin e kishës katedrale të Shën Dhimitrit është dhuruar nga familja Basko. Nipi i Baskove, Filip Leci, (nëna e të cilit ishte nga Baskot) tregon se paraardhësi i tij, Dhimitër Basko, ju bashkua lutjeve të banorëve të Beratit pas tërmetit të vitit 1851, drejtuar Shën Dhimitrit për mbrojtjen e qytetit të tyre. Kur beratasit vendosën të ndërtojnë kishën për nder të shenjtit mbrojtës nga tërmetet, Dhimitër Basko dhuroi me dëshirë truallin para shtëpisë së tij.
Kisha katedrale e Shën Dhimitrit në lagjen "Vakëf" të Beratit ka qenë bazilikë me tri nefe, me tavan të rrafshët. Në muraturën e kishës ka pasur elementë arkitektonikë të ardhur nga Apollonia. Mbi kolonadën e jashtme të kishës së Shën Dhimitrit ka qenë busti i një burri, që daton në shek. II. Ikonat e ikonostasit të kishës së Shën Mitrit në lagjen “Vakëf” të Beratit janë pikturuar nga dy piktorë nga Fjonati i Greqisë, Mihali dhe Kostandini, në vitin 1861. Ky fakt vërtetohet nga mbishkrimi mbi ikonën e Shën Mërisë: 1861 Δεκεμβριου 19. Δια χειρος Μιχαηλ και Κωνσταντινου Χιοναδητου. 1861 dhjetor 19. “Me dorën e Mihalit dhe Kostandin Fjonjatit”. Piktorët nga atelieja e Fjonjatit kanë pikturuar në vitin 1870 kishën e Shën Mitrit në Drobonik të Beratit, ndërsa në vitin 1875 kanë pikturuar kishën e Shën Gjergjit në Berat.
Nga libri i Theofan Popës "Mbishkrime të kishave në Shqipëri" mësojmë se mbi bazamentin e një thimiatori të kishës është shkruar: ΜΝΗΣΘΗΤΥ ΚΥΡΙΕ ΤΩΝ ΔΟΥΛΩΝ σου Χ. ΚΙΟΥΡΟΥ και ΝΙΚΑΛΑΟΥ αυτου Συν / Γυνεξ(ι). Και τεκνεις. ΑΦΙΕΡΟΘΙ εν ΝΑΩ ΑΓΙΩΝ ΜΗΝΑ ΒΙΚΤΩΡΟΥ και ΒΥΚΕΝΤΙΟΥ / Σεπτεμβριου 1883. “Kujto o zot shërbëtorët e tu H. Kiriu dhe Nikollën të birin me gratë dhe fëmijët. Është dhuruar në tempullin e shenjtorëve Mina Viktorit dhe Vicentit, shtator 8-1883”. Ndërsa mbi një kuti lipsanesh gjendet mbishkrimi: +Τουτο το κιβωτιον εινε της αγιας +ε(κ)κλησια(ς) Παναγια(ς) Βωτίτζα. Το ασιμι εινε αφιερωμενο απο τον Χατζι ναουμ και η γινι του. Αντιπροσοπον Κοσταντινου Οσμανλη. Μά(στορος) Γαβριήλ Δ.Κ. 1896 Απριλιου 30. “Kjo kuti është e kishës së shenjtë të shën Mërisë së Vodicës. Argjendi është dhuruar nga Haxhi Nauni dhe gruaja e tij. Kujdestar është Kostandin Osmanlliu Dh. K 1896 prill 30”. Nga mbishkrimi i gdhendur mbi një kuti tjetër lipsanash mësojmë se ajo është gdhendur nga Kostë Kalariti. 1827 Μάστορας Κόστα Καλαρίτ. “1827 mjeshtër Kostë Kalariti”.
Më 12 tetor 1952 në katedralen e Shën Dhimitrit në Berat u hirotonis Qirjako Naslazi, i cili mori emrin Qirill. Me vdekjen e Mitropolitit të Korçës, Filotheut, vendin e tij e zuri Qirilli. Në vendin e Qirillit si Mitropolit i Beratit më 27 janar të vitit 1965 në katedralen e Shën Dhimitrit në Berat u dorëzua Spiridhon Papa. Kisha katedrale e Shën Dhimitrit në Berat u prish në periudhën e komunizmit dhe në themelet e saj u ndërtua komiteti i partisë së rrethit të Beratit. Madje edhe lagjes ia ndërruan emrin nga “Vakëf” në “10 korriku”.
Në muraturën e kishës ka pasur elementë arkitektonikë të ardhur nga Apollonia. Mbi kolonadën e jashtme të kishës së Shën Dhimitrit ka qenë busti i një burri, që daton në shek. II. I pari që ka shkruar për të ka qenë Karl Paç. Prej tij e ka marrë Prashniker, i cili e përshkruan në këtë mënyrë: Fragmenti është 60 cm i lartë dhe paraqet kokën dhe pjesën e gjoksit të një burri me mjekër. Busti i burrit është punuar me mermer fin. Koka është e kthyer fort nga e djathta dhe pjesa e sipërme është e mbuluar nga flokë kaçurrela, të harlisura dhe të shpupurisura. Në fytyrë dallohen sytë e futur thellë të hijezuar nga vetullat, që së bashku me gojën e mbyllur i japin një pamje të rëndë. Mjekra dhe mustaqet e shkurtra ende të pazhvilluara plotësisht tregojnë për moshën e re të perandorit. Bëhet fjalë për një punim të shek. II ku me siguri kemi bustin e perandorit Luciu Verus 9161-169).
Burimi nga: Kamilo Prashniker, Arnold Shober, Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mail të Zi, Pegi, Tiranë 2003, faqe 64.
Media Ngjallja 1.12.2025




Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse