Jemi mbledhur për të kujtuar Shën Andrean, një nga apostujt e Zotit tonë Jisu Krisht dhe një martir të madh. Kisha mblidhej çdo ditë për të kujtuar shenjtorët e saj dhe nga mbledhja që bëhej për të kujtuar shenjtorët, kështu ka filluar dhe Kalendari Kishtar.
Përse i kujtojmë vazhdimisht dhe çdo vit?
I kujtojmë se është shumë e rëndësishme. Ata u modeluan duke pasur parasysh Krishtin, dhe ne, duke lexuar jetët e tyre, do të modelohemi sipas tyre. Dhe, siç e kam përmendur disa herë, jetët e shenjtorëve nuk janë thjesht biografi, ashtu si ikonat nuk është thjesht portret; është diçka shumë e thellë dhe më tepër se thjesht portret. Dhe, duke lexuar jetët e shenjtorëve, ne mund kemi mundësinë që të jemi në kontakt me dimensionin e botës tjetër, sepse këta njerëz ishin njerëz të shenjtëruar. Ashtu si me lipsanet e tyre, duke i prekur, transmetohet hiri i Shpirtit Shenjtë. Lipsanet e tyre u shenjtëruan nga jeta e tyre dhe nga prania e Shpirtit Shenjtë dhe rrezatimi vazhdon. E njëjta gjë ndodh dhe me ikonat: nëpërmjet tyre transmetohet pikërisht fuqia e prototipit. Ne nuk adhurojmë drurin, as gurin, as gjërat e tjera, por nderojmë pikërisht ata që paraqiten në ikona. E njëjta gjë është dhe me jetët e tyre, duke i kujtuar ato jetë, ne mund të ndiejmë fuqinë e hirit të Shpirtit Shenjtë. Shën Andrea ishte vëllai i Shën Pjetrit dhe është i parëthirruri, i pari që u thirr si apostull.
Ungjilli i sotëm na tregon shkurtimisht, në pak vargje, jetën e tij. Ai, së bashku me një nxënës tjetër që, sipas traditës, ishte Shën Joan Ungjillori, ishin nxënës të Shën Joan Pagëzorit. Dhe Shën Joan Pagëzori, duke parë Krishtin të kalojë, i thotë: Ja Qengji i Perëndisë. Duke qenë njerëz shumë të devotshëm, e duke dëgjuar vazhdimisht Shkrimin e Shenjtë, ata i kuptonin fjalët e profetëve të Dhiatës së Vjetër. Dhe kuptuan që ato fjalët që tha – Ky është Qengji i Perëndisë – ishin për Krishtin Mesinë, dhe i shkuan pas të dy. Krishti ndaloi, u kthye dhe u tha: Çfarë kërkoni? Dhe ata i thanë: – Mësues, ku banon” Ai tha: – Ejani dhe shihni. E shkuan dhe ndenjën tërë ditën me Zotin duke biseduar. Edhe pse ishin nxënës të thjeshtë dhe ishin barinj ose peshkatarë, të dy profesionet gjithmonë jo profesione të shkolluara, as nuk ishin njerëz të shkolluar, por duke pasur një zemër të pastër, ata arritën të shikonin diçka që nuk e panë dot njerëzit më të ditur të Izraelit në atë kohë që ishin farisenjtë. Sepse të shohësh Zotin nuk mjafton të kesh një mendje të ndritur. Mund të jesh shkencëtari më i madh në botë, filozof i shkëlqyer, prapëseprapë, nëse nuk është zemra e pastër, nuk mund të dallosh praninë e botës tjetër dhe praninë e Perëndisë.
Duke qenë njerëz të thjeshtë, e njerëz të devotshëm me zemrën e pastër, ata njohën që në personin e Jisuit ishte Krishti, Mesia. Dhe Andrea shkoi te vëllai i tij, Simon Pjetri, dhe Simoni vjen edhe vetë për ta takuar Zotin. Zoti i ndryshoi dhe emrin, duke thënë: Nuk do të quhesh më Simon, por do të quhesh Shkëmb – Pjetër (Petros në greqisht, Kefa në hebraisht të asaj kohe), sepse Zoti i dinte më përpara se kush do të ishin ata. Duke thirrur këta njerëz, Zoti i dinte se cilët po thërriste dhe i thërriste pikërisht për zemrën e tyre të pastër dhe për besimin e tyre shumë të madh. E duke filluar nga ajo ditë, Shën Andrea ndenji vazhdimisht pranë Zotit, duke dëgjuar predikimet e tij; ishte i pranishëm në kryqëzim dhe në ngjallje; ishte i pranishëm ditën e Pentikostisë, kur Shpirti i Shenjtë zbriti me fuqi mbi apostujt, duke i ndriçuar dhe shenjtëruar, dhe u bë një nga misionarët më të mëdhenj. Ai shkoi pothuajse në të gjithë botën e njohur të asaj kohe: në Azinë e Vogël, në Judë, në Samari, në Ballkan, shkoi deri thellë afër Detit të Zi, ku u ngjit sipër dhe shkoi deri në territoret ku sot është Ukrahina dhe Rusia, duke përhapur kudo Ungjillin. Por Ungjilli nuk u prit nga të gjithë njerëzit me dëshirë, madje shpesh me një urrejtje shumë të madhe. Apostujt, siç dëgjojmë dhe nga letra që shkruan Shën Pavli, vuajtën vuajtje shumë të mëdha; por ata kishin praninë e Zotit në jetën e tyre, dhe vuajtjet e tyre nuk krahasohen, siç thotë Shën Pavli, me atë që do na presë në botën tjetër.
Dhe duke pasur këtë besim dhe dashuri të madhe për Zotin, ata i duruan të gjitha. Shën Andrean në Sinop, një qytet në Azinë e Vogël, e rrahën, e lidhën, e lanë gati të vdekur; megjithatë ai vazhdoi përsëri duke predikuar Ungjillin. Dhe duke e përhapur kudo, ngriti kishë pothuajse në të gjithë botën e njohur të asaj kohe. Në shumë vende ku shkonte caktonte dhe një Episkop. Caktoi një Episkop në Bizant që ishte një qytezë e vogël e asaj kohe, më vonë në atë vend Konstandini i Madh ngriti qytetin e madh të Kostandinopojës, dhe dha një nga shtatëdhjetët, Sajin dhe e vendosi si Episkop. Ai shkoi dhe në Kievin e sotëm, dhe, sipas traditës, aty u tha nxënësve të tij: Në këto kodra që sot nuk banon njeri, do bëhet një qytet i madh i mbushur me kisha. Profecia e tij doli e vërtetë. Kudo që shkonte ai përhapte Ungjillin. Në fund fare ishte në Patra në Greqi dhe atje predikimi i tij ishte shumë i fuqishëm. Pothuajse gjithë qyteti u kthye dhe u bë i krishterë. Guvernatori i asaj kohe, duke parë që njerëzit po braktisnin tempujt paganë dhe të gjithë po ktheheshin të krishterë, madje dhe e shoqja e tij ishte kthyer, u kap nga një zemërim shumë i madh dhe donte ta vriste Shën Andrean. E mori, e arrestoi dhe pati një debat shumë të gjatë.
Nëse lexohet jeta e tij, do të kuptohet dhe fuqia e madhe e apostujve dhe kuptimi i thellë që ata kishin për kryqin. Sepse kur e kërcënoi guvernatori dhe i tha që nëse ti do vazhdosh duke predikuar këtë gjë, do të kryqëzoj, Andrea u përgjigj me qetësi duke thënë: Mendon se trembem unë nga Kryqi? Unë që predikoj të Kryqëzuarin?
Sepse ata kishin arritur të kuptonin Misterin e Kryqit. Kemi folur gjatë të dielave të Kryqit pikërisht kush është Misteri i Kryqit. Misteri i Kryqit është pikërisht kjo gjë: instrument i tmerrshëm, instrument torture dhe vrasjeje në kohën e Perandorisë Romake, po Zoti e ktheu dhe e transformoi në burimin e jetës. Dhe në troparet e Kishës sot dëgjuam: Se me anën e Kryqit erdhi gëzimi në botë. O kryq, gëzimi i gjithë botës.
Të gjitha këto çfarë shprehin? Nëse duam të meditojmë për Misterin e Kryqit, vetëm atëherë mund të bëhemi të krishterë të vërtetë. Kryqi, pa dyshim, është një vuajtje e madhe, por kryqi nuk është fundi i historisë; fundi është Ngjallja. Zoti e transformoi këtë gjë, dhe shenjtorët e mëdhenj, apostujt e mëdhenj, martirët e mëdhenj e dashuruan kryqin. Shën Andrea së bashku me vëllanë e tij, Shën Pjetrin, të dy u kryqëzuan në kryqe të ndryshme. Pjetri u kryqëzua duke thënë që nuk jam i denjë të kryqëzohem si Krishti me kokën sipër dhe kërkoi ta kryqëzonin me kokën poshtë. Ndërsa Zoti shikon njerëzit nga lart, unë dua të shikoj Zotin nga poshtë – tha ai. Dhe e kryqëzuan me kokën poshtë.
Të njëjtën gjë kërkoi edhe Shën Andrea. Kur e kërcënuan dhe donin ta vrisnin, dhe i thanë që do të kryqëzohej, kërkoi që kryqin mos ta bënin të njëjtë me kryqin e Krishtit, sepse nuk ishte i denjë për atë kryq, dhe i vunë një kryq në formë X-i, i cili edhe sot është shenja e apostullit të shenjtë Andrea. Tradita those se dy copat e kryqit ishin nga degë ulliri. Dhe apostulli i madh nuk u tremb aspak. Megjithëse e torturuan, i ushtruan presion shumë të madh për ta vrarë, zemra e tij ishte mbushur me gëzim të madh se do të takonte përsëri Perëndinë.
Pse i përmendim disa pjesë të jetës së tij? I përmendim pikërisht që t’i imitojmë. Shenjtorët nuk kanë nevojë për admirues; kanë nevojë që ne t’i imitojmë, që të përhapim Ungjillin po me të njëjtën forcë që e përhapën ata. Me gjithë vështirësitë shumë të mëdha ata e përhapën Ungjillin. Sepse një besim i madh nuk mjafton vetëm thjesht të pranosh që ka një Perëndi. Ne duhet të përhapim këtë lajm të Zotit, duhet të përhapim Ungjillin kudo, me veprat dhe me fjalët tona. Shën Pavli shkruan në letrat e tij një frazë që është shumë e rëndësishme për secilin nga ne: Besimi qëndron në zemër për drejtësi, por nga goja del rrëfimi për shpëtim.
Çfarë do të thotë kjo fjalë? Do të thotë pikërisht që një besim i vërtetë nuk mund të jetë i tillë, nëse nuk do të ketë vepra. Një besim pa vepra është një besim i vdekur. Mund të thonë njerëzit me gojë, por nëse jeta dhe fjalët e tyre nuk pasqyrojnë atë besim, atëherë ky besim është i vdekur. Prandaj dhe apostujt e përhapën me fuqi shumë të madhe Ungjillin, sepse e besuan, e donin Zotin dhe ndriçuan nga hiri i Shpirtit Shenjtë, dhe përhapën atë lajm kaq të rëndësishëm për tërë botën.
Edhe sot bota ka nevojë për këtë lajm. Në këtë errësirë shpirtërore që shohim sot, ku shumë vlera kanë humbur, shumë gjëra janë shtrembëruar, dashuria pothuajse ka humbur fare, miqësitë pothuajse nuk ekzistojnë më, në rastin më të mirë mund të jenë vetëm partnerë, nevojitet pikërisht kjo dituri, ky mesazh, këto vlera shumë të mëdha të Ungjillit; dhe këto përhapen vetëm nga njerëz që jo vetëm i besojnë, por nga njerëz që dhe i thonë pa u trembur nga asgjë. Profeti Isaia përmend vazhdimisht që nuk mund të ketë paqe dhe gëzim aty ku është e keqja. Dhe nëse nuk ka paqe e gëzim në botën e sotme, është pikërisht sepse po shtohet e keqja. Dhe kjo e keqe mundet vetëm nga drita e Ungjillit. Prandaj dhe ne i lexojmë jetët e tyre; i lexojmë duke i admiruar ata, dhe duhet dhe duke i imituar ata. Apostulli i madh Andrea shkoi drejt kryqit me gëzim. Fjalët që ka thënë janë të shumta, por do të bëj një përmbledhje shumë të shkurtër se çfarë tha duke shkuar në kryq: Gëzohu, o kryq, që je shenjtëruar nga trupi i Krishtit dhe më prit aty, që të vendosem në këtë kryq; më nxirr dhe më ngri nga toka, që të afrohem dhe të bashkohem me Zotin tim, të cilin e kam dashur aq shumë. Këto ishin fjalët e tij të fundit. Në kryq u duk një dritë jashtëzakonisht e madhe dhe duke thënë fjalët e fundit: Në duart e tua, Zot, jap shpirtin tim; shpirti i tij shkoi te Perëndia.
Lipsani i tij u ruajt në Patra për një kohë dhe në shekullin e katërt u mor dhe u çua në Kostandinopojë, në Kishën e madhe të 12 Apostujve. Më vonë, lipsani i tij u përhap në shumë vende. Sot ndodhet në Romë, në Itali; në Patra është sjellë një pjesë e lipsanit që ishte në Romë. Një pjesë e vogël e kafkës së tij ndodhet në Manastirin e Malit të Shenjtë të Vatopedhit dhe nderohet nga të gjithë vizitorët që shkojnë atje. Lipsanet e tij kanë bërë mrekulli të shumta. Lipsanet e shenjtorëve gjithmonë bëjnë mrekulli, siç thamë dhe më parë. Bëjnë mrekulli, sepse janë shenjtëruar nga ata njerëz. Ne nuk adhurojmë e nuk nderojmë kocka të vdekurish, siç mund të thonë njerëzit, por nderojmë pikërisht diçka që është shenjtëruar nga prania e hirit të Shpirtit Shenjtë. Dhe lipsanet në Kishën Orthodhokse janë shumë të rëndësishme, ashtu siç janë ikonat dhe siç janë jetët e shenjtorëve dhe të martirëve të mëdhenj. Duke predikuar Kryqin, ai u predikoi shpëtimin e njerëzve, sepse çdo sëmundje shërohet nëpërmjet mjekimit. Mjekimi mund të jetë i hidhur, por shërimi është i ëmbël. Kryqi mund të jetë shumë i fortë dhe mund të jetë shpesh me vështirësi të përballueshme, por ajo që vjen pas kryqit, nëse është Kryqi i Krishtit, vjen gëzimi më i madh. Prandaj dhe troparet e Kishës sonë thonëse nëpërmjet kryqit erdhi shpëtimi dhe gëzimi në botë.
Le të mundohemi të kuptojmë Misterin e Kryqit. Dhe Misteri i Kryqit nuk kuptohet vetëm nga ana intelektuale. Nga ana intelektuale mund të duket skandal ose marrëzi. Siç shkruan Shën Pavli që për hebrenjtë kryqi ishte skandal, që ka kuptimin për besimtarët, të cilët mendonin që qiellin dhe dheun i krijoi Krishti, si mundësi të kryqëzohet nga njerëzit e tjerë?! Ndërsa për grekët kryqi ishte marrëzi. Me grekët, fjala nënkupton filozofët, dijetarët e asaj kohe. Kryqi nuk kuptohet dot prej tyre. Kryqi kuptohet nga zemra e pastër; kuptohet nga njeriu që është thelluar thellë në jetën e tij fetare.
Nëse nuk e pranojmë kryqin, si mund të jemi të krishterë? Sa shpesh murmurisim ne për shumë gjëra, ankohemi për shumë gjëra, sepse nuk e përballojmë dot kryqin. Nëse jemi të sëmurë, ankohemi. Nëse na ndodh diçka e vështirë në jetë, ankohemi. Dikur nuk ka qenë kështu.
Shën Joan Gojarti tregon një histori shumë të bukur që në një qoshe të vogël jashtë Konstandinopojës po shëtiste dhe ndërsa po ecte pa një grua që kishte rënë në kryq dhe po qante, shkulte flokët dhe thoshte: – Zot, pse më ke braktisur?
Ai, duke u dhimbsur, u ndal aty. Pasi mbaroi dhe u ngrit e pyeti gruan që vajtonte: – Zonjë, çfarë të ka ndodhur?
Ajo i thotë: – Asgjë nuk më ka ndodhur.
Po pse po qan dhe ulërin? – i thotë ai.
Pikërisht për këtë, – thotë ajo – se kam tre vjet që nuk po më ndodh asgjë dhe mendoj që Zoti më ka braktisur.
Duke kujtuar që Zoti e kishte braktisur, sepse nëse e duam Zotin, pa dyshim që do ta pimë mjekimin. Mjekimi mund të jetë i vështirë, por shërimi është gjithmonë i ëmbël. Ky është Misteri i Kryqit. Dhe nuk mund të ketë krishterim pa kryq, sepse kryqi është ai që solli shpëtimin e njerëzve. Në këtë ditë, urojmë ata që quhen Andrea dhe festojnë emrin: Gëzuar dhe për shumë vjet. Amin!
30.11.2025
KATEDRALJA "NGJALLJA E KRISHTIT" TIRANË
Media Ngjallja 01 Dhjetor 2025
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse