MANASTIRI I SHËN MARENËS NË LLËNGË, POGRADEC, VITI 1660
Manastiri i Llëngës në rrethin e Pogradecit i është kushtuar Shën Marenës. Rreth viteve 1750 fshati Llëngë ka pasur 10000 banorë, të cilët kanë kontribuar në ndërtimin e manastirit. Manastiri zë një sipërfaqe të madhe toke, e cila fillon nga livadhet e Mujazeve. Kisha mendohet se është ndërtuar në vitin 1660 dhe është rindërtuar më 1754. Kisha është e stilit bazilikë njënefëshe me përmasa 11.85×6.75 metra. Kisha është e pikturuar me afreske, ku më i spikaturi është ai që i kushtohet martirizimit të Shën Marenës.
Afresket janë pikturuar në vitin 1754 nga Kostandin Shpataraku. Mbi portën perëndimore të naosit brenda kishës është shkruar: +Ανηστωρίθη ο Θείος ουτος καί πάνσεπτος ναός τής αγίας μεγάλωμάρτυρας τού Χ(ριστο)ύ Μα / ρίνις δια βοηθίας όλων τών / χρηστιανών καί ρουφετίων τών κριστάδων καί ραυτά / δων καί μακελίων καί καρβανιών μικρών καί μεγάλων τών εύρισκομενων έν τη πολητεία Λά / γκα. Κόπου δέ καί εξώδου τού εύλαβεστάτου Γερασίμου ιέρεως καί επιτροπητής τής ταγίας μον(ής) ταυτης. Επιστα / σία δέ καί συνδρωμής τού έντιμωτάτου προεδρου Γέωργίου τού Νικόλα Μάνη ομού καί τών σηνακου / λουθων αυτών γερόντων έν ω ησίν τά ονόματα ομου καί του αρχιερατεύοντος καί τών ιε / ρατευώντων θέμενα είς τόν θείον ναόν τού αγίου Γεωργίου ανάμεσων τής πολιτείας είς δύλως / ιν τών αναγι(γ)ν(ω)σκόντων. Ετελ(ε0ιώθη έν έτη από Χ(ριστο)υ Α Ψ Ν Δ (=1754) μηνη οκτωμβρίω Β. “U pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithnderuar i dëshmores së madhe të Krishtit, shën Marinës, me ndihmën e të gjithë të krishterëve, të esnafëve, të mjeshtërve, të rrobaqepësve, të kasapëve dhe të karvaneve të vegjël e të mëdhenj, që gjenden në qytetin Llëngë, me përpjekjet dhe shpenzimet e të shumëdevotshmit prift Gerasimit dhe mbikqyrsit të këtij manastiri të shenjtë, me kujdesin dhe kontributin e të shumëndershmit, kryetarit Gjergj Nikollë Manit, së bashku me pleqtë që e pasonin atë, emrat e të cilëve së bashku dhe të peshkopit dhe të priftërinjve gjenden në tempullin hyjnor të shën Gjergjit, në mes të qytetit, si të ekspozuara për ata që do ti lexojnë. U përfundua në vitin prej Krishtit 1754, muaji tetor 2”.
Me anën e një mbishkrimi tjetër mësojmë së kunga e kishës është pikturuar me shpenzimet e Kostë Nirrës: + Τούτω τό θείον καί ιερόν βύμα ανηστωρίθη δια δάπα / νης τού Κώστη είου τού Μάρκου Μήρρα είς ψυχηκήν αυτού σώτηρίαν καί τών γοναίων. “Kjo kungë hyjnore dhe e hirshme e pikturuar me shpenzimet e Kostës, birit të Mark Nirrës, për shpëtimin e shpirtit të tij dhe të prindërve”.
Mbishkrimi është shkruar me dorën e Kostandin Shpatarakut dhe gjendet në faqen e murit lindor, mbi nikën e prothesit. Në portën perëndimore të narteksit të kishës është shkruar: + Είσελεύμαι είς τόν οίκον σου, προσκυνήσω πρός ναόν (τόν) αγιον σου. / έν φόβω σου. Κύριε, οδήγησόν με έν τή δικαιοσύνη σού, ένε / κα τόν έχθρών μου κατεύθυνον ενώπιόν σου τήν οδόν μου. “Do të hyj në shtëpinë tënde, do të adhuroj në kishën e shenjtëruar tënden, me frikën tënde, zot, më hiq udhën në drejtësinë tënde për punë të armiqve të mi. Drejto përpara teje udhën time”.
Gjithashtu peneli i Kostandin Shpatarakut ka pikturuar një pjesë të ikonave që gjenden në ikonostasin e kishës. Këtë fakt e vërteton mbishkrimi që gjendet në ikonën e madhe të Krishtit në ikonostasin e kishës: Απο Χ(ριστο)ύ Α Ψ Ν Ε (=1755). / Χείρ Κωνσταντήνου ί(ε)ροδιακόνου. “Prej Krishtit 1755, dora e jerodhiakon Kostandinit”. Gjithashtu ikonografi Shpataraku në ikonën e Shën Thanasit ka lënë këtë mbishkrim: Δέησις τού δούλου τού Θεού Γεωργίου Μάνη. “Lutje e shërbëtorit të Perëndisë Gjergj Manit”. Në pavijonin e ikonave pasbizantine të Muzeut Historik Kombëtar është ekspozuar ikona Kryqëzimi i Krishtit, me përmasat 37×28 cm dhe numër inventari 3652. Pjesa tjetër e ikonave është pikturuar nga Kostandin Jeromonaku. Ndër to mund të përmendim ikonën Krishti Pandokrator, e cila aktualisht është në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë.
Mbi gurin arkitra të portës jugore të kishës gjendet një mbishkrim, i cili tregon kohën e ndërtimit të strehës së hajatit jugor: ΗΚΟΔΟΜΗΣΕ Ο Π(Α)ΠΑ ΣΩΤΗΡΙΣ 1832. “E ndërtoi at Sotiri 1832”.
E kremtja e Shën Marenës është më 17 korrik, por me kalendarin e vjetër i bie që të festohet më 30 korrik. Në panairin që zhvillohet me këtë rast vijnë shumë besimtarë.
Në pjesën perëndimore të kishës ndodhet një burim me ujë të kthjellët, me të cilin besimtarët lajnë fytyrën dhe mbushin shishe me ajazëm.
Në pjesën juglindore të manastirit gjendet shpella e Shën Marenës. Sipas një tradite të vjetër thuhet se në këtë shpellë gjeti strehë Shën Marena, kur e përndiqnin të pabesët.
Klerikët që kanë shërbyer në kishën e Shën Marenës kanë qenë vendas nga fshati Llëngë: papa Jorgji, papa Kostandin Kokoneshi, papa Qirill Gegprifti, atë Dhimitër Kokoneshi etj.
Mbrapa kishës gjenden konakët e vjetër të manastirit. Manastiri i Llëngës në rrethin e Pogradecit në vitin 1948 është shpallur monument kulture. Me prishjen e kishave në vitin 1967 në mjediset e manastirit u vendos një repart ushtarak dhe vite më vonë zyrat e ndërmarrjes pyjore.
MEDIA NGJALLJA, NËNTOR 2025




Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse