EmailFacebookKontakt
Lajme

Fjala e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë imzot Joanit në Shërbesën e Dhoksologjisë së Flamurit mbajtur në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë

28/11/2025

Në Kishë themi vazhdimisht përsëri dhe përsëri me paqe le t’i lutemi Zotit.
Pse përsërisim vazhdimisht? I përsërisim se mund t’i harrojmë dhe Kisha në urtësinë e saj na ka mësuar që shumë gjëra duhet t’i përsërisim.
Sot bëjmë Dhoksologjinë e Flamurit.
Përse Kisha ka vendosur shërbesa të tilla? Për dy arsye shumë të rëndësishme. E para, për të falënderuar Perëndinë, dhe e përsërisim vazhdimisht që kemi shumë arsye për ta falënderuar, që na ka dhënë një vend të bukur, që ka gjithçka dhe që ne jemi në këtë pjesë të globit si kujdestarë të kësaj pasurie. “I Zotit është dheu dhe gjithçka që ndodhet në të” – thotë Psalmisti, që do të thotë se pronar i gjithë dheut është Zoti, që do të thotë që jemi kujdestarët dhe përgjegjësia jonë është që të jemi kujdestarë të mirë, të mundohemi ta lulëzojmë dhe bekojmë këtë vend.
Nëse do ta bëjmë një vend të mirë, ku njerëzit të mund të jetojnë në paqe dhe harmoni, padyshim që nuk do të largohen shumë njerëz. Gjithmonë mund të këtë arsye që disa njerëz të largohen. Por një largim masiv, nuk do të ndodhë nëse ne do të jemi kujdestarë të mirë të këtij vendi që na ka besuar Perëndia.
E falënderojmë Perëndinë për çdo gjë që na ka dhënë, por na ka dhënë dhe përgjegjësinë për këtë gjë.
Përgjegjësia është e të gjithëve. Gjithkush në vendin ku punon, të mundohet që ta bekojë dhe lulëzojë atë vend dhe siç them vazhdimisht që atdhetari i vërtetë është ai njeri që lulëzon vendin e tij, jo ai njeri që shan të tjerët.
Mjafton që ne të bëjmë detyrën për ta lulëzuar vendin tonë, kështu e kemi bërë detyrën tonë para Kishës, para Kombit dhe para Perëndisë.
Në këtë ditë do të doja t'ju uroja të gjithë gëzuar dhe për shumë vjet këtë ditë të bekuar.
Perëndia ta bekojë vendin tonë, popullin tonë e të përhapë paqe jo vetëm vendin tonë, por në të gjithë botën. Me uratat e etërve tanë të shenjtë, o Zot, Jisu Krisht Perëndi, mëshirona dhe shpëtona. Gëzuar të gjithë për shumë vjet!

 
Media Ngjallja 28 nëntor 2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse