Në shpatin perëndimor të malit të Shpiragut në vendin e quajtur Kalaja e Krotinës ndodhen rrënojat e qytetit antik të Dimalit. Ndërkohë Krotina, një lagje e shkëputur e Allambrezit kufizohet në jug me këtë të fundit, në lindje me Bistrovicën, në veri me Cukalatin dhe në perëndim me fushën e Kurjanit (1). Përveç Kurjanit që i përket territorit të Bashkisë Roskovec, Allambrezi, Bistrovica dhe Cukalati janë fshatra që bëjnë pjesë në Bashkinë Dimal. Kështu, për herë të parë qyteti antik do të vizitohej në fillim të shek. XX nga arkeologu austriak Kamilo Prashniker, i cili do të realizonte edhe skicën e parë topografike të tij (2). Më pas, do të vinin zbulimet e vitit 1963, ku nën drejtimin e Burhan Dautaj do bëhej identifikimi i këtyre rrënojave me Dimalin (3). Ndërsa gërmimet e fundit do të zhvilloheshin në kuadrin e projektit të përbashkët të Institutit të Arkeologjisë të Qëndrës së Studimeve Albanologjike dhe Institutit të Arkeologjisë Klasike të Universitetit të Këlnit. Nën drejtimin e arkeologëve Belisa Muka dhe Michael Heinzelmann, në vitet 2010-2014 përveç zbulimeve të ndryshme do të përcaktoheshin edhe dy periudha të urbanizimit të këtij qyteti (4). Sipas këtyre rezultateve, në periudhën e parë të shek. IV-I pK, Dimali do të arrinte një sipërfaqe prej 25 ha dhe do të pajisej me mure rrethuese, porta, kulla, akropol, agora, stoa, teatër, tempuj, lagje banimi, rrugë, punishte, nekropol, etj (5). Ndërsa në periudhën e dytë, gjatë shek. IV-VI, në këtë qytet do të kishim një fazë intensive ndërtimesh që do të kryheshin në zonën e akropolit. Pikërisht në këtë fazë të fundit të antikitetit të vonë, do të ndesheshin edhe gjurmë të krishtërimit të hershëm (6). Të tilla ishin zbulimi i një paraklisi (kapele) të ndërtuar në pjesën perëndimore të akropolit dhe një pagëzimore (baptister) e vendosur jashtë mureve të qytetit (7). Pikërisht prania e një baptisteri në Dimal është një rast që duhet marrë në konsideratë sepse ka të bëjë me një prej praktikave kryesore të Krishtërimit dhe liturgjisë së tij. Bëhet fjalë për ritin e pagëzimit që përbën edhe një aspekt të rëndësishëm shpirtëror në jetën e çdo besimtari të krishterë. Duhet theksuar se origjina tij është e hershme dhe ndeshet edhe në Dhjatën e Re, ku Joan Pagëzori, midis të tjerëve do të pagëzonte edhe Krishtin (8). Ndërkohë sipas Ungjillit të Mateut, Krishti, duke u drejtuar apostujve, thotë: ‘’Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë’’ (9). Më pas në shek. IV, me zhvillimet e Krishtërimit dhe nën ndikimin e disa prej etërve të Kishës, liturgjia baptismale do të shndërrohej në një ritual të kodifikuar dhe të përcaktuar qartë (10). Në këtë mënyrë do të ndërtoheshin edhe ambientet e para të pagëzimit, baptisterët, të cilët në përshtatje me këtë ritual do të evidentoheshin në dy forma. Së pari, si një tip i veçantë arkitektonik dhe së dyti, si ambiente të veçanta brenda bazilikave dhe kishave paleokristiane. Një gjë të tillë e tregojnë një sërë gjetjesh arkeologjike përgjatë gjithë pellgut të Mesdheut, si në: Spanjë, Francë, Itali, Greqi, Azi e Vogël, Siri, Jordani, Egjipt, Libi, Tunizi, etj (11). Ndërsa në vendin tonë mbetje të objekteve të tilla janë zbuluar në themelet e kishës së Shën Kollit në Lezhë, në paraklisin e amfiteatrit të Durrësit, në kishën trekokëshe të Linit (Pogradec) dhe në bazilikat e Zaradishtës (Korçë), Ballshit, Bylisit
(Mallakastër), Foinikes (Finiq), Dyzet Shenjtorëve, Butrintit (Sarandë), etj (12). Më herët, gjatë shek. V do të nisnin aktivtetin e tyre edhe baptisterët e Linit, Bylisit dhe Butrintit, kurse veprimtaria e baptisterve të tjerë fillon në shek. VI (13). ‘’Baptisteret tipike i takojnë të gjitha kësaj periudhe dhe të tërheq vëmendjen prezenca e tyre në të gjitha bazilikat, si dhe përmasat e tyre të mëdha, një dëshmi e qartë se ato ishin ndërtuar për një pagëzim në shkallë të gjerë të një popullsie që kitshte mbetur në shumicë pagane’’, shkruan në studimin, ‘’Koha dhe vendi i formimit të arbërve në mesjetë’’, arkeologu Neritan Ceka (14). Edhe baptiseri i Dimalit duket se ka patur një rol dhe funksion të tillë. ‘’Prania e një pagëzimoreje është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me një kishë, pjesë e së cilës ajo është’’ shkruajnë në këtë rast autorët e zbulimit Belisa Muka dhe Michael Heinzelmann (15). Ndërkohë nga gërmimet e ndryshme arkeologjike kostatojmë se në shek. V-VI, ishte përcaktuar saktë edhe ambienti i vendosjes së baptisterve në objektet e kultit, planimetria dhe forma e vaskave të tyre. Këto të fundit i ndeshim në disa tipe, si në formë kryqi, katrore, rrethore, etj, të gjitha të suvatuara nga brenda me llaç hidroizolues (16). Përmasat dhe thellësia e vaskave të pagëzimit të gjetura në bazilikat dhe kishat paleokristiane të vendit tonë, tregojnë se ato kishin si funksion edhe pagëzimin e personave të rritur. ‘’Në periudhën antike të vonë (shekujt IV-VI pas Kr) mund të pagëzoheshin si të rriturit, ashtu dhe fëmijët’’, thekson midis të tjerave arkeologu Gëzim Hoxha, në studimin e tij: ‘’Një pagëzimore paleokristiane në themelet e kishës së Shën Kollit në Lezhë (17). Një prej këtyre formave kishte edhe baptisteri i Dimalit, rrënojat e të cilit u gjetën rreth 300 m në jugperëndim të portës perëndimore të qytetit. Ai do të zbulohej në vitin 2014 nga ekspedita e përbashkët shqiptaro-gjermane e drejtuar nga arkeologët Belisa Muka-Michael Heinzelmann (18). Objekti kishte një strukturë në formë kryqi dhe ishte ndërtuar me tulla helenistike të ripërdorura, njëlloj si në ndërtimin e mureve rrethuese të qytetit. Arkeologët evidentuan dy faza përdorimi të këtij objekti që i përkiste një teknike ndërtimi të shek. V-VI. Gjatë fazës së parë, vaska e pagëzimit kishte formë kryqi dhe përshkohej nga një aks me përmasa 2.7 x 2.1 m. Ajo ishte e suvatuar nga brenda me llaç hidroizolues me ngjyrë të kuqe dhe arrinte thellësinë 0.80 m. Ndërsa në fazën e dytë, kësaj vaske i ishin bërë disa përshtatje, ku ishin bllokur me mure të katër krahët e kryqit duke e lënë të hapur vetëm në qendër. Edhe në këtë rast për suvatimin e brendshëm ishte përdorur llaç hidroizolues me të njëjtën ngjyrë (19). Ndërkohë nga vëzhgimet e thelluara rezulton se madhësia dhe konstruksioni i vaskës së këtij baptisteri, tregon se ajo është përdorur edhe për pagëzimin e personave të rritur. Një fakt i tillë na jep një dëshmi të qartë rreth shkallës së përhapjes së krishtërimit gjatë kësaj periudhe në qytetin antik të Dimalit. Ndërkohë do të jenë gërmimet e ardhshme arkeologjike që do të na japin të tjera rezultate në këtë drejtim. Gjithsesi zbulimi i këtyre objekteve të kultit paleokristian përbën një pasurim të hartës së përhapjes së krishtërimit në këtë zonë të Shqipërisë.
* Foto Ilustruese. Rrënoja nga qyteti antik i Dimalit
**
1-Burhan Dautaj, Zbulimi i qytetit ilir në Dimal, Iliria, 2, Tiranë 1972, f. 135-150
2-Camillo Praschniker, Muzakhia und Malakastra, Wien 1920, f. 103.
3-B. Dautaj, Zbulimi i qytetit ilir në Dimal, Iliria, 2, Tiranë 1972, f. 135-150,
4-B. Muka-M. Heinzelmann, Dimal, Iliria 36, Tiranë 2011, f. 387-391; B. Muka-M. Heinzelmann, Rezultate të reja në Dimal, Iliria 38, Tiranë 2014, f. 111-121; B. Muka-M. Heinzelmann, Kërkimet arkeologjike në Dimal 2013-2014, Iliria, 38, Tiranë 2014, f. 227-238
5-Po aty, f. 387-391; 111-121; 227-238
6-Belisa Muka-Michael Heinzelmann, Rezultate të reja në Dimal, Iliria 38, Tiranë 2014, f. 118-120
7-B. Muka-M. Heinzelmann, Dimal, Iliria 36, Tiranë 2011, f. 388; B. Muka-M. Heinzelmann, Rezultate të reja në Dimal, Iliria 38, Tiranë 2014, f. 119; B. Muka-M. Heinzelmann, Kërkimet arkeologjike në Dimal 2013-2014, Iliria, 38, Tiranë 2014, f. 235-237
8-Ungjilli sipas Mateut, 3: 5-16
9-Po aty, 28: 19
10-Gëzim Hoxha, Një pagëzimore paleokristiane në themelet e kishës së Shën Kollit në Lezhë, Iliria, 35, Tiranë 2011, f. 291
11-Po aty, f. 294, A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983, f. 27
12-G. Hoxha, Një pagëzimore paleokristiane në themelet e kishës së Shën Kollit në Lezhë, Iliria, 35, Tiranë 2011, f. 293; V. Toçi, Amfiteatri i Dyrrahit, Monumentet, 2, Tiranë 1971, f. 39-40; S. Anamali, Mozaikët e bazilikës paleokristiane të Linit, Iliria, 3, Tiranë 1974, f. 329-342; P. Damko, Bazilika e Zaradishtës, Iliria, 1-2, Tiranë 1993, f. 259-267; S. Anamali, Gërmimet arkeologjike të vitit 1983, Ballsh, Iliria, 2, Tiranë 1983, f. 257-258; S. Muçaj, Dy monumente të antikitetit të vonë në Bylis, Iliria 1, Tiranë 1986, f. 321-326; L. M. Ugolini, L’Acropoli di Fenice, Albania Antica, I, Roma-Milano 1932, f. 123-133; S. Mucaj, K. Lako, S. Bushi, S. Xhyheri, Monumenti i 40 shenjtorëve 2013, Iliria, 38, Tiranë 2014, f. 379-386; L. M. Ugolini, Il battistero di Butrinto, Archeologia Cristiana, XI, 1934, 282
13-Gëzim Hoxha, Një pagëzimore paleokristiane në themelet e kishës së Shën Kollit në Lezhë, Iliria, 35, Tiranë 2011, f. 295
14-Neritan Ceka, Koha dhe vendi i formimit të arbërve në mesjetë, Iliria, 37, Tiranë 2013, f. 127
15-Belisa Muka-Michael Heinzelmann, Kërkimet arkeologjike në Dimal 2013-2014, Iliria, 38, Tiranë 2014, f. 237
16-G. Hoxha, Një pagëzimore paleokristiane në themelet e kishës së Shën Kollit në Lezhë, Iliria, 35, Tiranë 2011, f. 293; V. Toçi, Amfiteatri i Dyrrahit, Monumentet, 2, Tiranë 1971, f. 39-40; S. Anamali, Mozaikët e bazilikës paleokristiane të Linit, Iliria, 3, Tiranë 1974, f. 329-342; P. Damko, Bazilika e Zaradishtës, Iliria, 1-2, Tiranë 1993, f. 259-267; S. Anamali, Gërmimet arkeologjike të vitit 1983, Ballsh, Iliria, 2, Tiranë 1983, f. 257-258; S. Muçaj, Dy monumente të antikitetit të vonë në Bylis, Iliria 1, Tiranë 1986, f. 321-326; L. M. Ugolini, L’Acropoli di Fenice, Albania Antica, I, Roma-Milano 1932, f. 123-133; S. Mucaj, K. Lako, S. Bushi, S. Xhyheri, Monumenti i 40 shenjtorëve 2013, Iliria, 38, Tiranë 2014, f. 379-386; L. M. Ugolini, Il battistero di Butrinto, Archeologia Cristiana, XI, 1934, 282
17-Gëzim Hoxha, Një pagëzimore paleokristiane në themelet e kishës së Shën Kollit në Lezhë, Iliria, 35, Tiranë 2011, f. 292
18-Belisa Muka-Michael Heinzelmann, Kërkimet arkeologjike në Dimal 2013-2014, Iliria, 38, Tiranë 2014, f. 235-237
19-Po aty, f. 235-237
Media Ngjallja 27 Nëntor 2025
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse