EmailFacebookKontakt
Lajme

Manastiri i shën pjetrit dhe pavlit vithkuq, korçë, viti 1764

25/11/2025

Manastiri i Shën Pjetrit gjendet mbi një kodër në verilindje të fshatit Vithkuq. Ai është ndërtuar mbi rrënojat e një tempulli të vjetër e ku ruhen ende mbeturinat e një kalaje. Sipas mitropolitit të Kosturit, Dhionis Mantukës, në vitin 1908 ka ekzistuar një kodik i manastirit të Shën Pjetrit. Mitropoliti e ka parë këtë kodik në duart e pasanikut korçar, Mihal Turtullit. Kodiku ka këtë mbishkrim: Kodik i Manastirit të shenjtë të Apostujve në Vithkuq, i dhuruar prej mitropolitit modest të Kosturit, Zotit Krisanth në vitin 1739 nga lindja e Krishtit[1].
Sipas kodikut, ndërtimet e manastirit janë realizuar në disa periudha kohore: 1709-1710, 1736 dhe 1759-1764. Manastiri është themeluar në vitin 1709. Ktitori ka qenë arkondi Thanas Rimara, i cili ka dhuruar për ndërtimin e manastirit 7550 grosh[2]. Përurimi u bë në mënyrë panagjirike në vitin 1710 nga mitropoliti i Kosturit, Dhionisi, duke bashkëmeshuar me mitropolitin e Prespës, Joasafin[3]. Faza e dytë e ndërtimeve ka qenë në vitin 1736. Në këtë vit u ndërtua kishëza e Anargjendëve Kozma e Damian. Në fazën e tretë, që përkon me vitet 1759-1764 u ndërtua kisha e Shën Pjetrit. Kisha u ndërtua nga kryemjeshtri Gjikë Lena dhe mjeshtërit Dhimo Dukasi, Hari Venetiku, Dine Krekasi, Mërkur Saraqi, Zoto Lihasi, Bitri Maxhari, Vaso Sumbulla, Kule Deti dhe Pepo Rredhi[4].  
Për ndërtimet ekziston një legjendë, e cila na bën me dije për murimin e gruas së ustabashit në themelet e kishës së manastirit. Këtë fakt shkrimtari Viktor Eftimiu e ka përjetësuar me dramën “Ustabash Gjikë Thana-Lena Vithkuqari”, e cila është përkthyer në gjuhën shqipe nga Ilo Mitkë Qafëzezi[5].  
Hyrja për në manastir bëhej nga ana perëndimore. Ishte një derë e madhe druri me qemer cilindrik, me gurë të punuar. Nga ndërtesat e manastirit ka mbetur vetëm kisha e Shën Pjetrit, sepse konakët e manastirit janë shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Konakët e manastirit kanë ishin në tri anët e oborrit të brendshëm. Në mes të konakëve gjendej një oborr rreth 200 metra katrore. Në katin e parë ishte një hajat me kolona prej guri dhe me qemerë prej çmërsi. Në ditën e panairit, në hajat rrinin çestëxhinjtë. Anash tij në formën e shkronjës “U” kishte rreth 40 qeli banimi. Konakët qenë trekatësh, të ndërtuar me gurë dhe shquheshin për një trajtim të pasur arkitektonik. Arkadat e katit të dytë qenë prej druri. Sipas kodikut të manastirit, përballë derës së kishës ishte një derë me qemer që zbriste te haurët. Dhoma pranë sterës (pusit) nuk ishte në gjendje të mirë dhe përdorej për të vënë gjëra të ndryshme. Dhoma pas kësaj ishte me qemer prej çmërsi në vend të tavanit dhe është përdorur për depozitimin e bereqetit, ngaqë manastiri nuk ka pasur hambarë për drithëra. Kjo dhomë është ndërtuar në vitin 1924, kur igumen ka qenë i përndershmi atë Zaharia dhe në këshillin e manastirit kanë qenë Nuçi V. Tona, Ilo Kov Deti dhe Ilo Jorgji Prifti. 
Në katin e dytë të konakëve ishte dhoma e dhespotit, në gjendje të mirë. Tavanin e kishte me dërrasa. Në vijim ishte dhoma e papa Sevos. Në katin e dytë nga ana jugore ishte një sallë e madhe që përdorej për të mbajtur depozitat e ujit. Në anën e majtë të kësaj salle ishte gjelltorja dhe furra e bukës. Dhomat e katit të tretë janë ndërtuar në vitin 1908 prej banorëve vithkuqarë, që kanë qenë në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata mblodhën ndihma prej bashkatdhetarëve dhe i dërguan në Vithkuq me anë  të Vangjel Tasit e Isak Vasil Rikës, të cilët u ngarkuan me kujdestarinë për ndërtimin e dhomave[6]. Në katin e tretë ishte dhoma e epitropëve (kujdestarëve). Quhej kështu sepse aty mblidhej këshilli manastirit. Përpara dhomave të katit të tretë ishte një divan i mbyllur me xhamllëk dhe me tavan prej dërrase[7].
Biblioteka. Në katin e dytë të konakëve përmbi kubenë ishte një sallë, e cila përdorej për bibliotekë. Sipas Ilo Mitkë Qafëzezit, në bibliotekën e manastirit ruheshin dorëshkrime me vlerë për historinë e Vithkuqit, të Korçës dhe të Voskopojës. Ndër dorëshkrimet ka qenë edhe "Traktati logjik", i shkruar nga Teodor Kavalioti në vitin 1743. Në bibliotekë ishin librat e Joan Gojartit, kryepiskopit të Kostandinopojës me dymbëdhjetë volume, shtypur në Venecia në vitin MDCC XXXIV, në dy gjuhë greqisht dhe latinisht[8]. dy libra të episkopit të Athinës, Dionis Aeropagitit; një histori kishtare, e shkruar prej mitropolitit të Athinës, Meletios, shtypur në Venecia, në vitin 1783; katekizmat e Kirilit të Aleksandrisë, shtypur në Lipsi, në vitin 1758. Të gjithë librat që qenë shtypur në Shtypshkronjën e Voskopojës, në vitin 1744 etj[9]. Në faqen 5 të kodikut jepet e gjithë lista e librave të bibliotekës së manastirit[10]. Inventari i librave është bërë më 1 janar 1943.
Kisha e Shën Pjetrit. Kisha e manastirit përbëhet nga naosi dhe një portik përpara hyrjes kryesore. Është e tipit bazilikë trenefëshe me kupolë dhe ka përmasat 16.10×10.50 metra. Vëllimi i kishës e mbyll manastirin në anën lindore. Naosi ndahet në tri nefe gjatësore nga dy rreshta, me nga katër kolona secila. Ikonostasi mbështetet në çiftin lindor të kolonave. Në anën lindore të kishës janë tri apsida rrethore, që përfundojnë me tri nefe. Apsidat janë punuar me gurë çmërsi pa fugatura. Nefi qendror ka përmasa më të mëdha se dy anësorët. Ai mbulohet nga qemerë cilindrikë. Nefet anësore janë të ndara në bërthama katrore, të formuara nga harqe. Çatia dyujëse është e gjerë. Ajo i mbulon të tria nefet dhe kryqëzohet nga çatia e nefit tërthor. Në ndërprerjet e tyre ngrihet tamburi tetëfaqësh. Kisha është ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqereje. Muratura është me gurë ngjyrë hiri dhe çmërs ngjyrë bezhë. Guri ngjyrë hiri është përdorur në pjesën e jashtme të kishës. Ai është punuar në forma katërkëndore. Çmërsi është përdorur me kursim, por i punuar bukur dhe me shije të lartë artistike. Atë e hasim në kambaneri, nëpër apsidat, si edhe rreth dritareve të kishës. Ndriçimi i kishës është zgjidhur me anën e disa dritareve të vogla. Disa prej dritareve janë me kangjella hekuri, të zbukuruara me motive floreale me seksion katërkëndor. Muratura është pa ndonjë zbukurim. Çatia është e mbuluar me rrasa guri. Duke u nisur nga realizimi i përkryer i muraturës, arrijmë në përfundimin se mjeshtërit, që kanë ndërtuar kishën, zotëronin me profesionalizëm dhe nivel artistik ndërtime të tilla dhe dinin ti organizonim mirë volumet[11].
Kisha është pikturuar në vitin 1764 prej piktorëve Kostandin e Athanas Zografi. Për pikturimin e saj janë shpenzuar rreth 700 groshë, të cilët i solli nga Hungaria igumeni i manastirit, Tarasi. Mbi portën veriore brenda kishës gjendet një mbishkrim, i cili vërteton kohën e pikturimit të kishës: +Ανηγέρθη έκ βάθρων ούτος ο θείως καί (πάνσεπτος) τώ άγιων / άποστόλων ναός καί άωιστορήθη…/…/ χριστιανών. Επί τού πανοσιωτάτου…/ (ίερο)μοναχου. Διά χειρός κωνσταντίνου (καί Αθανασίου) άπό Κορυτσάν / (έν) έτει 1764. “U ndërtua prej themeli ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar i apostujve të shenjtë dhe u pikturua….të krishterëve. Në kohën e gjithoshënarit murgut. Me dorën e Kostandin dhe të Athanasit, nga Korça, në vitin 1764”[12]. 
Në vitin 1764 kanë përfunduar të gjitha punimet për ndërtimin e kishës. Afresket fillojnë në qoshkun para hyrjes për në naos dhe zënë gjithë sipërfaqen e brendshme të kishës. Mjedisi i altarit ndahet nga naosi me një ikonostas druri të gdhendur. 
Ikonostasi i kishës. Gjatë punës hulumtuese në fondet e Muzeut Historik Kombëtar kemi mundur të evidentojmë pothuajse të gjitha elementet përbërëse të ikonostasit të kishës së manastirit të Shën Pjetrit në Vithkuq të Korçës: me mumër inventari 5406, 5443, 5444, 5453, 5455, 5456, 5457, 5458, 5459, 5460, 5461, 5462, 5463, 5464, 5465, 5471, 5472, 5473, 5474, 5477. Ikonostasi është gdhendur në vitin 1761 nga Dhimitër Konicioti[13] dhe u varakos më 1773. Mbi portën e bukur të ikonostasit është shkruar: ΕΧΡΥΣΟΘΗ / ΕΝ ΕΤΕΙ 1773. “U verakos në vitin 1773”[14]. 
Ikonostasi i kishës u gdhend me shpenzimet e tregtarëve voskopojarë dhe ka kushtuar rreth 600 groshë[15]. Në atë kohë, për të ndërtuar një shtëpi duheshin vetëm katër groshë. Pra, shuma prej 600 groshësh është e konsiderueshme. Me këtë shumë mund të ndërtohej një fshat i tërë. Ikonostasi është punuar me teknikën e gdhendjes së rrafshtë në dru dhe ka përmasat 9×4.90 metra. Faqja e ikonostasit përbëhet nga 11 harqe të zgjatur, 10 prej të cilëve janë plotësuar me ikonat e mëdha. Këto janë të rrethuara nga harqe të kufizuar me shtyllëza të lulëzuara e krye shqiponjash. Në secilin nga harqet janë vendosur pano[16], të cilat përshkruajnë ngjarje biblike. Panoja është katrore dhe e kufizohet me dredhka lulesh e gjethesh, të lyera me varak mbi një fushë të kaltër. Panoja është në ngjyrë të kuqe. Sipër saj gjendet një bandë me përfytyrime njerëzore, që hedhin valle. Mbi bandë qëndron ikona, që kufizohet nga një rrip i zbukuruar me luledredhëse, poça e burbuqe. Sipër rripit harkohet gjysmëhëna, e cila mban një medaljon me kokë engjëlli, të rrethuar prej gjashtë flatrash të hapura në fluturim. Gjysmëhëna përshkohet prej një kornize zambakësh. Sipër harqeve gjendet një brez tjetër, i cili është i daltuar me trëndafila të artë mbi fushë të kuqe. Harqet ndahen ndërmjet tyre me anën e shtyllëzave gjysmëcilindrike, që përshkohen nga blloqe e bisqe lule zhabine, të bashkërenditura me dredhka dhe fazanë. Në pjesën e poshtme shtyllëzat përfundojnë me krejsa të zbukuruara me tri radhë gjethesh. Mbi të janë gdhendur shqiponjat perandorake me flatra të hapura, të cilat shtrengohen nga gjarpërinjtë. Shqiponjat ndeshen duke kafshuar gjarpërinjtë. Mbi shqiponjat janë tri akace, ku mbështetet brezi me fushë të kaltër e dredhka gjethesh, që çukasin mollë. Pas brezit është banda me sipërfaqe të rrumbullakët, në të cilën janë 11 medaljone me shenjtorë, të rrethuar prej bistakëve të hardhisë. Mbi bandën është atika, e cila përbëhet nga dy radhë ikonash të vogla. 
Në ikonostas ka motive floreale, laike, si edhe skena nga jeta e fshatit. Zbukurimet janë të daltuara thellë dhe i përkasin stilit rokoko. Në pjesën kulmore të ikonostasit është kryqi i madh, i cili është i kufizuar me buzina të arta dhe shoqërohet nga dy antefiksa që bartin ikona me kufiza baroke. Nën to janë gdhendur dy grifonë të artë, mbi të cilët dy gjarpërinj sulmojnë shqiponjat.
Në mesin e ikonostasit janë dyert e bukura, tek të cilat janë dhjetë ikona. Rreth ikonave degëzohen bisqe me dredhëza helika, që shtjellohen rreth dy krerëve skifteri. Sipër ikonave janë dy krerë shqiponjash të qarkuara prej dhjetë zogjve që çukisin kokrrat në drejtime të ndryshme. Dyert kufizohen me një buzinë gjethesh, mbi të cilën gjenden zogj, dy minj are dhe dy koka grifonësh të egërsuar, që vështrojnë nga ata. Mbi harkun e dyerve paraqiten dy engjëj, të cilët sjellin kishën si dhuratë, ndërsa përkrah tyre dy luanë luftojnë kundër dy hidrave. Sipër tyre paraqiten zogj duke fluturuar, të rrethuar nga dredhkat dhe hardhitë[17]. 
Në ikonostasin e kishës janë dhjetë ikona të mëdha dhe 17 ikona të vogla, të cilat janë realizuar nga dora e Kostandin Jeromonakut[18]. Në ikonën e madhe të Krishtit në ikonostasin e kishës është shkruar: Δεησις εμου του ταπεινου δουλου / του Θεου Ταρασιου ίερομοναχου / ηγουμενου και αρχημανδριτη ε/τει 1762 φευρουαριου 14. “Lutja ime, e shërbëtorit të përvuajtur të perëndisë, jeromonak Tarasit, igumenit dhe arkimandritit, viti 1762, shkurt 14”[19]. Ikona e Shën Mërisë[20] dhe e Joan Pagëzorit[21] aktualisht janë të ekspozuara në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Mbi ikonën e madhe të kryeengjëjve është mbishkrimi: Δέησις τον δούλων τού Θεού Δεμήρι καί Αύλόνας, έτη 1762 άπό χορίον Ντρενόβα. “Lutje e shërbëtorëve të perëndisë, Demirit dhe Avlonës, viti 1762 nga katundi Drenovë”[22]. Në këtë ikonë është shkruar gjithashtu: Διά χειρός Κωνσταντίνου άπό Κορυτζά έν έτει 1774 φευρο(υ)αρίου 10. “Me dorën e Kostandinit, nga Korça në vitin 1774, shkurt 10”[23]. Në breroren e ikonës së Shën Triadhës gjendet mbishkrimi: Το παρον κο(ρονα) της Θεοτοκου αφηεροθη εν τη μονη τον ταξηαρχον εν Βηθακούκη παρα Κοσμα ηερεος εστο ης μνημοσηνον αυτου εο-νηον 1763. Ηπο χηρος Παναιωτη του Πετρο Χατζη (ρο(λη) 1763, οκτοβρηου 4. “Kjo brerore e Hyjlindëses u dhurua në manastirin e kryeengjëjve në Vithkuq nga prift Kozmaj. Qoftë për kujtim të tij të përjetshëm. Me dorën e Panajotit, të Petro Haxhi Roilit 1763”[24].
Në faqen e parë të një ungjilli të vitit 1737, i cili sot është në fondet e Muzeut të Artit Mesjetar të Korçës, është shkruar: Σακελλάριος παπά-Ιωσήφ Σωτηρίου έκ Ραχώβας Κολώνιας ήλθον / έκ Κορυτσάς καί ετέλεσα λειτουργίαν επί τών ήμερών τού / Ηγουμένου Ζαχαρίου τή 29 Ιουνίου 1904. “Saqellari papa Josif Sotiri nga Rehova e Kolonjës erdhi në Korçë dhe celebroi liturgjinë në ditët e igumenit Zaharia, më 29 korrik 1904”.
Froni dhespotik dhe proskinitari. Froni dhespotik është punuar me teknikën e gdhendjes në reliev. Ai përbëhet prej tri pjesësh. Mbi fron ishte një shtatore gjashtëkëndore me tufëza trëndafili, të kufizuara prej shtyllëzash me gjethe të mbivëna. Pjesa ballore e fronit përbëhet nga tre harqe, të zbukuruara me gjethëza. Mbi ballinat e harqeve janë gdhendur tri metope trëndafilash. Shtatorja e fronit mbështetet mbi katër shtylla cilindrike, tek të cilat janë gdhendur lule, zogj që çukasin dhe kafshë të ndryshme. Në krahët e fronit dhespotik janë gdhendur tufëza gjethesh, të cilat lakohen rreth lafshës së një shqiponje, që është duke mbajtur në sqep një tufë me trëndafila. Froni dhespotik mbështetet mbi dy luanë[25]. Në ikonën e Krishtit në fronin peshkopal të kishës është shkruar: Δέησις τού δούλου σου Κ(ύριε) Χατζί Θανάσι, Χείρ Κωνσταντίνου ίερομονάχου α ψ ι (=1710). “Lutje e shërbëtorit tënd o zot, Haxhi Thanasit. Dora e Kostandin Jeromonakut – 1710”[26]. Kurse mbi një ikonë të Shën Mërisë është shkruar: Διά χειρός βασιλήου Φραστανίτη 1819. Μνήστητη Θ. Κ. τής δούλι σου δεσπήνα Φούηα και Μαρία. “Me dorën e Vasil Frashtanit 1819. Kujto o zot, perëndi, shërbëtoren tënde Dhespinë Fugën si dhe Marinë”[27]. 
Proskinitari i kishës së manastirit të “Shën Pjetrit dhe Pavlit”, Vithkuq, Korçë daton në shek. XVIII. Aktualisht është i ekspozuar në pavijonin e ikonave pasbizantine të Muzeut Historik Kombëtar[28]. Ai është gdhendur në dru dhe është i larë me ar nga gdhendësi Dhimitër Dibrani. Proskinitari ose (mbajtësi i ikonës) është objekti mbi të cilin vendoset ikona që e shenjtit që i kushtohet kisha. Proskinitari përbëhet nga dy pjesë, e sipërmja është ndërtuar me katër harqe trillapëshe, të cilat mbështeten mbi katër shtylla me krejsa gjethesh. Ballzinat e harqeve janë zbukuruar me helika dredhëse. Në pjesën e poshtme është tamburi mbi të cilin janë katër pano të zbukuruara me poça lulembajtëse e shtjellëse që valëzon deri lart në trajtë helike. Anash kufizohen me gjysmështyllëza këndrejtë me lajle, të cilat peshojnë mbi trupat e dy bishave. Pjesa e poshtme e epistrofeut është daltuar cekët me bistakë e gjethe hardhije. Pjesa e sipërme e epistrofeut është ndërtuar mbi një kube të zbukuruar si kambanë, e cila qëndron në kryqe të kësulës gjashtkëndëshe të pajisur me tufëza trilulesh e shtyllëza të vargëzuara gjethesh të mbivëna, pas të cilave rreshtohen katër pano të pajisura me tufa trëndafilash e krerë zogjsh si ancake. Mbi to janë vendosur ballorë të lakuar që përfytyrojnë zogj të kundërvënë në të dy anët e një bisku trëndafili që simbolizon pemën e jetës. Shtatorja mbështetet mbi katër shtylla të holla me krejsa të përdredhura, shtatin e të cilave e mbulojnë lulevarse me trëndafila[29].
Pronat e manastirit. Manastiri ka pasur shumë prona: Një korije lisi rrotull kishës, si edhe një korie tjetër përtej nga Bodrishta; toka të shumta në katundin Leshnjë; një arë te vendi që quhej Varri i Bramkës; një arë mbi udhë të Bodrishtit; një pjesë are në vendin që quhej Arat e Igumenit, si edhe një livadh në Shën Thanas. Manastiri ka pasur ullishta në Nartë të Vlorës. Në vendin, që quhej Mizo, kishte në pronësi 21 rrënjë ullinj, si edhe 14 rrënjë ullinj te Buvillta etj[30].
Manastiri ka pasur rreth 25 dyqane në Korçë. Në pronësi të manastirit ka qenë mulliri i fshatit dhe dërstila. Të ardhurat vjetore të manastirit kanë qenë 400 lira në vit. Në vitin 1746 është ndërtuar metoqi në Korçë, ndërsa në vitin 1754 u ndërtua metoqi në Voskopojë[31].
Manastiri i Shën Pjetrit ka pasur rreth 500 kokë dhen. Me anën e një vendimi, që mban datën 19-III-1945, bëhet fjalë për një fushatë për grumbullimin e bagëtive. Kjo fushatë bëhej për rimëkëmbjen e mamastirit. Këshilli i manastirit kishte ngarkuar famullitarin e katundit, atë Gjergj Detin të kryesonte fushatën. Në vendim, ndër të tjera thuhej: Janë lutur gjithë dashamirësit që do të kenë mirësinë për rimëkëmbjen e manastirit tonë, që është dëmtuar aq rëndë nga okupatorët fashistë që do të japi secili në këtë libër të inventarit, i cili libër do të ruhet me kujdes prej gjithë këshillave të ardhshëm. Emrat e dhuronjësve do të shënohen në listat që do të vihen në sallonin e pritjes që do të ketë manastiri. Disa nga dhuruesit qenë: Vëllazëria Shpore, Vangjel Zharkalli, Naqe Zguri, Leonidha Kapurani, Taqo Dhimari, Foto Davani etj[32]. Manastiri i Shën Pjetrit në vitin 1948 është shpallur monument kulture[33].
[1] -Pjesë nga vepra e Evlogjio Kurillës: Grigor Argjirokastriti dhe historia e Moskopolit, Përkthyesi anonim, Dispensa është shtypur në Institutin e Monumenteve të Kulturës, faqe 104.
[2] -Duke ardhur fort i nderuari Arkond Haxhi Thanasi, Rimara prej mëhallës Borishtë, që nga qyteti i shenjtë Jerusalem, e vu ndër mend ……që të ndërtojë manastir në këtë qytet, që e thonë Vithkuq, edhe dërgoi në Stamboll, edhe i suallnë fermanin e manastirit, në vitin …1790 dhe shtinë themeli të këtij manastiri…Këtë vit mbaruan muret vetëm dhe kollonat; Ilo Mitkë Qafëzezi, Kontribut në historinë e qytetit Vithkuq. Themelimi dhe ndërtimi i manastirit (dorëshkrim në arkivin personal); Aleko Papakozma, Manastiri i Shën Pjetrit e Pavlit në Vithkuq, datimi, urbanistika, arkitektura, mjeshtrit e ndërtimit, Monumentet 1 / 1983 (25), faqe 78.
[3]-Në atë kohë mitropolia e Vithkuqit dhe e Kolonjës ka qenë në juridiksionin e mitropolisë së Kosturit; Pjesë nga vepra e Evlogjio Kurillës: Grigor Argjirokastriti dhe historia e Moskopolit, Përkthyesi anonim, Dispensa është shtypur në Institutin e Monumenteve të Kulturës, faqe 100-104.
[4] -Aleko Papakozma, Manastiri i Shën Pjetrit e Pavlit në Vithkuq, datimi, urbanistika, arkitektura, mjeshtrit e ndërtimit, Monumentet 1 / 1983 (25), faqe 77-85.
[5]-Gjikë Kurtiqi, Vithkuqi i 100 krojeve dhe 24 kishave, shoqata “Naum Veqilharxhi”, Tiranë, 2008, faqe 34.
[6]-Shumë vithkuqarë kanë qenë në emigracion. Sipas një regjistrimi të bërë në fshat, rezulton se Vithkuqi kishte 950 banorë, prej të cilëve 810 banonin në fshat dhe 140  në emigracion; General Descoins, Six mois d’Historie de l’Albanie (Novembre 1916-Mai 1917), Paris, faqe 33.
[7]-Kodiku nr. 2, Regjistrimi i ndërtesave të manastirit, viti 1943, faqe 9-11.
[8]-Dymbëdhjetë volume në latinisht dhe greqisht janë të Joan Gojartit, kryepiskopit të Kostandinopojës. Libri i Shën Joan Gojartit, Tomos primos, shrypur në Veneti, në vitin MDCC XXXIV. Libri i Shën Joan Gojartit, Tomos secundis, shrypur në Veneti, në vitin MDCC XXXIV. Libri i Shën Joan Gojartit, Tomos tertius, shrypur në Veneti, në vitin MDCC XXXIV. Libri i Shën Joan Gojartit, Tomos oktanus, shrypur në Veneti, në vitin MDCC XXXIV. Libri i Shën Joan Gojartit, Tomos quindus, shrypur në Veneti, në vitin MDCC XXXIV. Libri i Shën Joan Gojartit, Tomos decimus, shrypur në Veneti, në vitin MDCC XXXIV. Libri i Shën Joan Gojartit, Tomos sectus, shrypur në Veneti, në vitin MDCC XXXIV. Libri i Shën Joan Gojartit, Tomos secundis, shrypur në Veneti, në vitin MDCC XXXIV. Libri i Shën Joan Gojartit, Tomos extant, shrypur në Veneti, në vitin MDCC XXXIV. Libri i Shën Joan Gojartit, Tomos nonus, shrypur në Veneti, në vitin MDCC XXXIV etj. 
[9]-Kodiku nr. 2, Regjistrimi i librave të bibliotekës së manastirit, viti 1943, faqe 5.
[10] -Më poshtë janë librat që ndodheshin në bibliotekën e manastirit, duke dhënë numrin vargor, numër që do të jetë edhe në libër, ashtu dhe mesin e librës ku është e shtypur dhe në çë vit.  Libri i shkrojtur prej Ohnës Orologjitit në gjuhë elenisht e latinisht, shtypur në Veneti, në vitin 1756. Libri i Shën Dionis Aeropagitit, Tomus secundis, MDCC XXXIV. Libër, fjalor tregjuhësh elenisht, Tomi i dytë, shtypur në Athinë, në vitin 1891. Librat e shërbesës së Shën Visarionit, episkopit të Larisës, çudibërësit. Të këtillë libra janë copë njëqind e trembëdhjetë (113), shtypur në Voskopojë në vitin 1744. Libri fjalor, Tomi i parë, si i sipërpërmenduri, shtypur në Athinë, në vitin 1891. Libër, Jeta e Jesu Krishtit, shtypur në Athinë në vitin 1893. Të katër ungjijtë në gjuhën elenisht, data u mungon. Histori kishtare prej Meletios, mitropolitit të Athinës, shtypur në Veneti në vitin 1783. Gjimnastikë shpirtërore prej monak Nikodhimit, shtypur në Veneti  në vitin 1800. Libër, i quajtur Katekizma prej zotit Qirill, shtypur në Lipsi  në vitin 1758. Libër kishtar prej Dhositheut të Jeruzalemit, data i mungon. Libër Dhiatë e Vjetër, që përmban Të bërët dhe gjithë Dhiatën e Vjetër, data i mungon. Një Ungjill prej Theofilaktit, kryepeshkopit të Vollogarisë, data i mungon. Libri prej Krisanthit, patrikut të Jeruzalemit, që flet për dhenë e shënjtë të Palestinës, shtypur në Hio, në vitin 1726. Libri i Krisanthit, noterit prift dhe arkimandrit, patrik i Jeruzalemit që flet për shkronjë e rrumbullakët e dheut, libër me matëse gjeomentike, shtypur në Paris në vitin 1716. Libri i Simeonit, kryepeshkopit të Thesalonikës, shtypur në Moldavi në vitin 1683. 29-12 copë libra, shtypur në Voskopojë në vitin 1744. Libri Neos Klimakos (shkallët e reja), shtypur në Veneti, në vitin 1693. Librat e sipërpërmendur janë gjysmat në elenisht dhe gjysmat në latinisht. Kodiku nr. 2, Regjistrimi i librave të bibliotekës së manastirit, viti 1943, faqe 5.
[11] -Aleksandër Meksi, Pirro Thomo, Arkitektura pasbizantine në Shqipëri (bazilikat), Monumentet, 1/1981, faqe 102-103; Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, Tiranë, 1998, faqe 52.
[12] -Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë, 1998, nr. 367, faqe 181; Theofan Popa, Piktorët korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi dhe freskat e tyre me skenat e apokalipsit, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Nr. 1, 1959, faqe 25.
[13] -Mjeshtri Dhimitër ka qenë shqiptar nga Konica e Janinës. Ai ka guxuar të gdhendë ikonostasin e parë tip "rrokoko" në Shqipëri. Në gdhendjet e tij tregon forcën e daltës në lëvizjet helikoidale të gjetheve të lisit, si edhe realizimin e përkryer të figurave njerëzore të shenjtorëve. Në vitin 1756, Dhimitër Konicioti ka gdhendur me mjeshtëri ikonostasin e kishës “Burimi Jetëdhënës” në qytetin e Korçës. Menjëherë pas mbarimit të ikonostasit të kësaj kishe, ai ka filluar të gdhendë ikonostasin e Vithkuqit dhe në vijim ikonostaset e këtyre kishave: Shën Prodhromit, të Shën Kollit, Shën Mërisë dhe Shën Thanasit të Voskopojës.
[14] -Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë, 1998, nr. 375, faqe 183-184.
[15] -Stilian Adhami, Voskopoja, 8 Nëntori, Tiranë, 1989, faqe 134.
[16] -Panoja e parë tregon një zog mbi mollë, ndërsa banda sipër saj ka dy zogj të kundërvënë. Panoja e dytë ka një kalë mbi dy mollë dhe banda e saj një dredhkë me zogj. Panoja e tretë paraqet një centaur me topuz e fazanë, ndërsa banda sipër saj gjashtë zogj në mes të luleve. Panoja e katërt mban një meduzë sirene me një trup e dy bishta peshku, të cilët i përfshin me të dyja duart; ka një kurorë guaskë në krye e rrotull saj janë katër fazanë; ndërsa banda paraqet zogj e kafshë pylli në mes të tufëzave. Panoja e pestë paraqet një centaur me një dragua të rrethuar nga fazanë e dredhka. Te panoja e gjashtë shquhet një drenushë, ndërsa banda e saj ka disa njerëz që ndeshen me njëri-tjetrin. Banda e shtatë paraqet një bari mbi kalë, ndërsa banda paraqet Herodin dhe Salomenë me kokën e prerë të Gjon Pagëzorit në pjatë, rreth së cilës ka zogj, drenusha e kaproj, që simbolizojnë Shën Mërinë. Në panonë e tetë hasim një shqiponjë, e cila është duke ngrënë katër mollë, e shoqëruar nga dy zogj, ndërsa banda paraqet dy zogj përballë njëri-tjetrit. Panoja e nëntë ka dy zogj mbi dy mollë duke ngrënë një mollë të tretë dhe banda e sipërme paraqet bisqe të dredhura me gjethëza rreth medaljonit. Panoja e dhjetë paraqet një zog duke fluturuar dhe banda e saj një medaljon të rrethuar nga bisqe.
[17] -Fatbardha Shkupi, Zbukurimorja e ndërtimtarisë së kultit në qytezën e Vithkuqit gjatë shekujve XVIII-XIX, Monumentet, 2 / 1983 (26), faqe 130-140.
[18] -Kostandin Jeromonakut i përkasin rreth 100 ikona, në harkun kohor 1693-1728. Emrin e tij e gjejmë në ikonat e kishave të Voskopojës, të manastirit të Shën Marenës në Llëngë të Pogradecit, të kishës së manastirit të Gjon Vladimirit në Elbasan, të kishës së manastirit të Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq, të kishës Burimi Jetëdhënës në Korçë etj; Kristofor Naslazi, Kristaq Balli, Ndihmesa e piktorëve korçarë në artin mesjetar shqiptar, Tempulli, Nr. 2, Korçë 2000, faqe 40.
[19] -Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, nr. 365, faqe 181.
[20]-Ikona Shën Mëria në fron vjen nga kisha e Shën Pjetrit në Vithkuq të Korçës. Ka përmasat 84×53.5×3.2 cm dhe numër inventari 5816. Ikona është pikturuar nga Kostandin Jeromonaku në vitin 1710. Shën Mëria është e ulur në fron, duke mbajtur në prehër Krishtin. Ky i fundit me dorën e djathtë është duke bekuar ndërsa me dorën e majtë mban një pergamen të mbështjellë role. Mbi kryet e Shën Mërisë është një kurorë mbretërore. Anash saj paraqiten dy engjëj. Në këmbët e Shën Mërisë paraqitet Jeseu prej të cilit dalin dy degë që rrethojnë Shën Mërinë. Nëpër medalione rrethore janë pikturuar dymbëdhjetë profetët; Davidi, Moisiu, Aaroni, Isaia, Danieli, Abakumi, në anën tjetër janë: Solomoni, Jakovi, Gedeoni, Jeremia, Jezekil dhe Zaharia. Në pjesën e poshtme të ikonës "Shën Mërisë me Krishtin" është mbishkrimi: Δέησις τού δούλου τού Θεού …Ιεσέ…..κ(αί) τού Δαυίδ. Χείρ Κωνσταντίνου ίερομονάχου α ψ ι (=1710) “Lutje e shërbëtorit të perëndisë … Jese .. dhe të Davidit. Dora e Kostandin Jeromonakut 1710”. Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri,  Tiranë 1998, nr. 324, faqe 164; Ευγενια Δρακοπουλου, Εικονες απο τις ορθοδοξες κοινοτητες της Αλβανιας, Θεσσαλονίκη, 2006, σελ. 124-125.
[21] -Ikona "Shën Joan Pagëzori" vjen nga kisha e Shën Pjetrit në Vithkuq të Korçës. Ka përmasat 82×52 cm dhe numër inventari 5518. Ikona është pikturuar nga Kostandin Jeromonaku në shek. XVII. Ylli Drishti, Ikona bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri, Davinci, Tiranë, 2003, faqe 31; Ylli Drishti, The Byzantine and Post-Byzantine Icons in Albania, Davinci, Tirana, 2003, page 31.
[22] -Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë, 1998, nr. 364, faqe 180.
[23] -Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, nr. 377, faqe 184.
[24] -Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë, 1998, nr. 366, faqe 181.
[25] -Fatbardha Shkupi, Zbukurimorja e ndërtimtarisë së kultit në qytezën e Vithkuqit gjatë shekujve XVIII-XIX, Monumentet, 2 / 1983 (26), faqe 138.
[26] -Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë, 1998, nr. 325, faqe 164.
[27] -Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë, 1998, nr. 421, faqe 196.
[28] -Dorian Koçi, Andrea Llukani, Pavijimi i ikonave pasbizantine në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë 2018, faqe 146-147; Ylli Drishti, Ikona, Koleksioni i Muzeut Historik Kombëtar (Shek.XIV-XIX), Konsulent shkencor Andrea Llukani, Botimet Mali Pleshti, Tiranë 2017, faqe 83; Ylli Drishti, Icons, Colektion of the National History Museum (14th-19th centuries), Scientific advisor Andrea Llukani, Mali Pleshti, Tirana 2017, page 83.
[29] -Fatbardha Shkupi, Zbukurimorja e ndërtimtarisë së kultit në qytezën e Vithkuqit gjatë shekujve XVIII-XIX, Monumentet, 2 / 1983 (26), faqe 137-138.
[30] -Kodiku nr. 2, Regjistrimi i tokave të manastirit, viti 1943, faqe 27-66.
[31] -Aleko Papakozma, Manastiri i Shën Pjetrit e Pavlit në Vithkuq, datimi, urbanistika, arkitektura, mjeshtrit e ndërtimit, Monumentet 1 / 1983 (25), faqe 77-85.
[32] -Kodiku nr. 2, Vendim i Këshillit Manastirial për një fushatë për bagëti, 20 mars 1945, faqe 192-194.
[33] -Mbrojtja e monumenteve, Botim i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë, 1974, faqe 36; Trashëgimia Kulturore akte ligjore dhe nënligjore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Tiranë, 2003, faqe 71.
A. LLUKANI
M. NGJALLJA, NËNTOR 2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse