EmailFacebookKontakt
Lajme

Sot, në të dielën e IX të Llukait, katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u mbush me dritën e Liturgjisë Hyjnore

23/11/2025

Sot, në të dielën e IX të Llukait, katedralja "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë u mbush me dritën e Liturgjisë Hyjnore.
Në këtë të diel, pjesa e Ungjillit që u lexua në Liturgjinë Hyjnore na risjell para nesh një nga mësimet më të thella të Zotit tonë Jisu Krisht; paravolia e “të pasurit të pamend”. Është një kujtesë e fuqishme se pasuria e vërtetë nuk qëndron në grumbullimin e gjërave materiale, por në pasurimin e shpirtit dhe në vepra të mëshirës. Në predikimin e tij, Kryepiskopi Joan ndaloi pikërisht në këtë mesazh se njeriu që e mbush jetën me veten e tij humbet gjithçka, kurse ai që e mbush me Perëndinë fiton gjithçka.
"I pasur i vërtetë është ai që është i pasur te Perëndia dhe i pasur te Perëndia është pikërisht ai që bën vepra të mira. Pasuria është neutrale në vetvete.
Raporti që vendosim në pasurinë na përcakton ne se kush jemi, prandaj dhe pjesa e ungjillit të sotëm na kujton të gjithëve ne, se gjithçka që ne kemi nuk është e jona, është një dhuratë nga Perëndia dhe kjo gjë që kemi ne, nuk është vetëm për ne por edhe për njerëzit që janë rrotull nesh" theksoi ndër të tjera Fortlumturia e tij imzot Joani.
Në këtë periudhë përgatitjeje shpirtërore intensive, Atë Aleksi dha njoftimin për një nga momentet më të rëndësishme të javës; të Premten, më 28 Nëntor, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, menjëherë pas Liturgjisë Hyjnore, do të zhvillohet Dhoksologjia e Flamurit, nën drejtimin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit. Ky rit solemn, që bashkon falënderimin ndaj Perëndisë me nderimin për atdheun, është një çast ku feja dhe identiteti kombëtar gërshetohen në një harmoni të bukur. Ai na kujton se atdheu është një dhuratë që kërkon përgjegjësi, dashuri dhe lutje.
Pas Liturgjisë Hyjnore, komuniteti nuk shpërndahet menjëherë. Mbas Përlëshimit, besimtarët mblidhen për të vazhduar atë që aq bukur e formuloi Kryepiskopi ynë i lumur imzot Anastasi “liturgji pas Liturgjisë”, takimi i gjallë dhe i përditshëm me Krishtin në jetën e përbashkët.
Çdo të diel mbas Liturgjisë zhvillohen takimet shpirtërore me fëmijët, të rinjtë dhe prindërit.
Ky rrugëtim i përbashkët shndërrohet në një pasuri të përbashkët, një pasuri që nuk humbet, nuk prishet dhe nuk vidhet nga askush. Është pasuria që rrënjoset në zemër dhe lulëzon në çdo vepër të dashurisë së krishterë. Kështu, komuniteti rritet, forcohet dhe bëhet një dëshmi e gjallë e pranisë së Zotit në botë.
E diela e sotme na ftoi të reflektojmë – ku i kemi sytë dhe zemrën tonë? Në hambarë të mbushura pa kuptim, apo në thesarin që nuk shterojnë kurrë?
Dhe teksa përgatitemi për Dhoksologjinë e Flamurit, jemi thirrur të falënderojmë Perëndinë jo vetëm për jetën dhe besimin, por edhe për tokën që na ka dhënë, për gjuhën, kulturën dhe historinë që trashëgojmë.
Në këtë mënyrë, dita e sotme u bë një mozaik shpirtëror; një ditë që na rikujton se jeta në Kishë nuk është një çast, por një udhëtim drejt Mbretërisë së Perëndisë që i jep kuptim çdo dite, çdo gëzimi dhe çdo përpjekjeje njerëzore.
Media Ngjallja  23 nëntor 2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse