Opari përfaqëson një zonë gjeografike dhe etnografike që shtrihet në perëndim të Korçës në lartësinë 400-1500 m mbi nivelin e detit. Në veri ai kufizohet me Moglicën dhe Gorën, në perëndim me vargun malor Bofnjë-Ostrovicë-Qafa e Martës, në jug me malësinë e Vithkuqit, kurse në lindje me malësinë e Voskopojës. Ndërsa përrenjtë e Çemericës dhe Mazrekës, degë të lumit Devoll, e përshkojnë hapësirën e tij (1). Ndërkohë nga pikëpamja administrative-territoriale kjo zonë bën pjesë në njësinë administrative Lekas të Bashkisë Korçë (2). Pikërisht në këtë zonë që karakterizohet nga një reliev i thyer dhe i copëzuar janë krijuar vlera të rralla të kulturës shpirtërore dhe materiale. E tillë është edhe kisha e ‘’Shën Triadhës’’ në fshatin Tudas e cila njihet edhe si kisha e Muzakajve.
Tudasi është një prej fshatrave të zonës së Oparit nga të cilët përmenden edhe Lekasi, Brozdoveci, Misrasi, Mazreka, Xerja, Lavdari, Marjani, Gurmujasi, etj (3). Në territorin e tij kalonte dikur rruga që lidhte Beratin me Voskopojën dhe Korçën. Pikërisht këtu gjejmë një prej kishave të ndërtuara nga Muzakajt, një prej familjeve të shquara të Shqipërisë mesjetare. Një fakt i tillë vërtetohet nga shënimet e Kronikës së Gjon Muzakës botuar në Itali në vitin 1510.
‘’… gjyshja ime kish ndërtuar kishës e Shën Triadhës në Lavdar të Cerisë’’, shkruan ai në një pasazh të saj (4). Nëse do ti referoheshim kronikës së mësipërme bëhet fjalë për Kiranëna, të bijën e Gjon Zenebishit dhe gruan e Andrea Muzakës III. ‘’Djali i këtij zotit Gjin të parë, që quhej zoti Andrea i tretë, pati për grua zonjën Kiranë, e cila ishte vajza e zotit Gjon Zenebishi, zot i qytetit të Gjirokastrës dhe i Vajenetisë…’’, thekson Gjon Muzaka në ligjëratë të drejtë në gjenealogjinë e kësaj shtëpie. Ndërkohë njihet fakti se Andrea III ishte i biri i Gjinit I, ndërsa ky vetë, së bashku me Teodorin dhe Stojën, Ishin djemtë e despotit Andrea II që krijoi principatën e Muzakajve. Pikërisht Andrea II pasi theu në betejën e Peristerit në vitin 1370, krajl Vukashinin, mori nga perandori bizantin Joani V Paleolog, konfirmimin e titullit të despotit dhe simbolet perandorake (5). Por Muzakajt njihen në historinë mesjetare të Shqipërisë edhe si ktitorë të kishave dhe manastireve ortodokse. Të tilla janë kisha e ‘’Shën Athanasit në Kostur ndërtua nga Stoja dhe Teodor Muzaka (1383-1384), kisha e Ristozit në Korçë ndërtuar nga Jani dhe Theodhor Muzaka (1389), si dhe kisha në fjalë e ‘’Shën Triadhës’’ në Tudas ndërtuar në fillim shek. XV nga Ana (Kirana), e shoqja e Andreas III Muzaka (6). Ndërsa në zonën e Oparit nga ku kishin edhe origjinën e tyre dhe zotëronin edhe fshatrat Voskop, Lavdar, Xerje, Bec, Mazrek, Marjan, Zerec, etj, përveç kishës së Tudasit, Muzakajt, ndërtuan edhe dy kisha të tjera (7). Sipas kronikës së Gjon Muzakës, të tilla ishin: Kisha e ‘’Shën Gjergjit’’ në Erost dhe kisha e ‘’Shën Mërisë’’ në Zereciabungë (Zerec). Pikërisht në këtë të fundit ishin edhe varret e kësaj familjeje. Atje ishin varrosur edhe Gjin Muzaka II, shoqja e tij, si dhe e ëma, Kirana Muzaka Zenebishi (8).
Kisha e ‘’Shën Triadhës’’ ndodhet në dalje të fshatit dhe quhet ndryshe edhe kisha e Lavdarit, një lagje e sotme e Tudasit (9). Si ndërtim i përket arkitekturës bizantine të tipit kryq i brendashkruar me kupolë me katër mbështetje të brendshme. Për kohën e ndërtimit të saj studjuesi Aleksandër Meksi thekson se është ndërtuar në fillim të shek XIV (10). Ndërsa arkeologia Suela Xhyheri mendon se datimi i saj i takon shek. XII (11).
Kisha përbëhet nga naosi i shtruar me pllaka guri dhe altari i cili qëndron disa shkallë më sipër tij. Pjesa e brendshme mbështetet mbi dy kolona në anën perëndimore dhe dy pilastra në anën lindore. Ato janë të lidhura me breza të drunjtë dhe tiranta deri në nivelin e krahëve të kryqit, ku nisin të ngrihen qemeret mbajtëse dhe kupola me një tambur të lartë tetëfaqesh. Krahët e kryqit mbulohen me qemerë cilindrikë që hapen në drejtim të krahëve anësorë. Ndërsa për katër ambientet këndorë është gjetur si zgjidhje mbulimi me qemerë cindrikë të hapur në drejtim të krahëve perëndimorë dhe lindorë (12). Hyrja në kishë bëhet nga një portë në anën perëndimore mbuluar me arkitra guri të rrafshët. Në këtë pjesë muri përbëhet prej dy brezash. I poshtmi është ndërtuar me gurë ploçak të lidhur me llaç gëlqereje. Ndërsa brezi i sipërm përbëhet nga muraturë klausonazhi ku kombinohet vendosja e tullave dhe gurëve midis tyre. Në anën e jashtme, pjesën kryesore të faqes perëndimore e zë një nike e madhe e harkuar, ndërtuar me tulla të kuqe. Ajo qarkon një pjesë të ndërtuar me gurë në mes të të cilës ndodhet një dritare e ngushtë. Po nga jashtë, në anët veriore, lindore dhe jugore, kisha, përforcohet nga mure mbajtëse, kurse tamburi lartësohet mbi krahët e kryqit. Në faqet e tij bien në sy katër dritare të ngushta dhe kolonetat në këndet e faqeve të ndërtuara me gurë çmërsi. Ndërkohë që e gjithë godina e faltores është e mbuluar me pllaka guri në formë rrasash (13). Nga brenda ajo ka qene e dekoruar me afreske nga të cilat kanë mbetur një pjesë e tyre, të cilat ndodhen në gjendje jo të mirë. Prej vitit 1963 kisha mban statusin monument kulture dhe përbën sot një trashëgimi të drejtëpërdrejtë të traditës ortodokse në këtë zonë. E rikonstruktuar tashmë, krahas funksionit si qendër shpirtërore ajo është vënë edhe në qendër të turizmit historik dhe kulturor.
……………..
1-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, ASH e RPSSH, Tiranë 1985, f. 775
2-portavendore.al/bashkia-korce
3-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, ASH e RPSSH, Tiranë 1985, f. 775
4-La breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, në Karl Hopf Chroniques Greco-romanes inédites ou peu connus pubbliées avec notes et tables généalogiques, Berlin, Ëeidman 1873, f. 270-340
5-Po aty; Historia e popullit Shqiptar, ASH, Toena, Tiranë 2002, f. 247-249, 252-255
6-V. Djuriç, Mali Grad, Saint Athanas a Kastoria Borje, Zograf, 6, 1975, 39; Theofan Popa, Mbishkrime të Kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 151-152; La breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, në Karl Hopf Chroniques Greco-romanes inédites ou peu connus pubbliées avec notes et tables généalogiques, Berlin, Ëeidman 1873, f. 270-340
7-Historia e popullit Shqiptar, ASH, Toena, Tiranë 2002, f. 252
8-La breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, në Karl Hopf Chroniques Greco-romanes inédites ou peu connus pubbliées avec notes et tables généalogiques, Berlin, Ëeidman 1873, f. 270-340
9-Suela Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tezë doktorature, Tiranë 2016, f. 305
10-Aleksandër Meksi, Kishat e Shqipërisë: historia, arkitektura, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 424-427
11-Suela Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tezë doktorature, Tiranë 2016, f. 305-306
12-Aleksandër Meksi, Kishat e Shqipërisë: historia, arkitektura, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 424-427
13-Po aty, f. 424-427
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse