Kavaja është një nga qytetet më të njohura të Shqipërisë me rrënjë të thella në histori. E vendosur 20 km në jug të Durrësit, ajo dhe territori i saj, përveç rëndësisë së tij ka shërbyer edhe si një zonë e ndërmjetme komunikimi midis qytetit-port dhe rajonit përreth të Shqipërisë së Mesme dhe më gjerë. Si pjesë integrale e provincës së Epirit të Ri, kjo trevë, do të përfshihej qysh prej shek. IV-V nën juridiksionin e strukturave kishtare të peshkopatës së Durrësit. Një fakt të tillë e mbështesin jo vetëm dokumentet historike por edhe dëshmitë dhe gjetjet e shumta arkeologjike. Kështu, prej kërkimeve të kësaj disipline kemi evidentimin e një sërë gjurmësh të ndërtimeve të vjetra kishtare me origjinë që nga periudha e antikitetit të vonë (1). Gjurmimet dhe gërmimet arkeologjike të zhvilluara përgjatë viteve 70-80 të shekullit të kaluar na kanë dhënë një hartë të pasur të objekteve të kultit kristian. Të tilla janë edhe mbetjet e një kishe që gjenden në fshatin Qerret (Fushë Qerret), përballë malit të Robit, midis rrugës automobilistike dhe bregut të detit (2). Në një sipërfaqe të mbuluar prej fragmentesh materiali ndërtimor dhe enësh balte u gjetëm mbetjet e një muri anësor, themelet e një abside gjashtëkëndëshe, pjesë elementësh arkitektonike, tulla, enë balte, qeramikë, fletë qelqi, objekte metalike, një monedhë e periudhës së Justinianit, etj (3). Në studimin e tij, ‘’Hartë e monumenteve dhe e gjurmëve antike e mesjetare të rrethit të Durrësit’’, botuar në vitin 1982 në revistën ‘’Monumentet’’, arkeologu Halil Myrto do të shfaqte mendimin se: ‘’… këtu ruhen rrënojat e një kishe paleokristiane me vazhdimësi deri në mesjetën e mesme’’. Sipas tij ‘’ … ky është vendi i kishës së Shën Todrit që përmendet në shekullin XI’’ (4). Prej materialeve të gjetura në këtë kishë mund të veçojmë një pjesë pllake mermeri ku është paraqitur në reliev një pjesë e monogramit të Krishtit dhe copa tullash me shenja kryqi në reliev (5). Por gjendja e rrënojave dhe dëmtimet nga marrja e materialeve dhe punimet bujqësore nuk do të mundësonin përcaktimin e përmasave, planimetrisë dhe arkitekturës së kësaj kishe. Gjithsesi gjetja e elementëve arkitektonikë prej mermeri të ardhur nga Prokonezi, ishullit në detin Marmara, i cili përdorej për ndërtimin e veprave të rëndësishme, tregon se këtu ndodhej një objekt jo i zakonshëm i kultit kristian (6). Ndërkohë gjurmë të faltoreve të vjetra i ndeshim kudo. Kështu, në fshatin fqinj Kanaparaj, në majën e një kodre të quajtur ''Kodra e Kishës'', ngrihej dikur godina e një tjetër kishe paleokristiane. Në studimit, ‘’Ndihmesë për hartën arkeologjike të rrethit Durrës’’, botuar në vitin 1987 në revistën ‘’Iliria’’, arkeologu Afrim Hoti thekson se pranë saj u gjetën: një trakt muri me përmasa 2.30 x 0.80 m, qeramikë ndërtimi, enë balte, objekte metali, etj, të cilat i përkasin periudhës së shek. V-XIV (7). Këtyre gjurmimeve nuk mund ti shpëtonte edhe gjeomonumenti i njohur i Shkëmbit të Kavajës, ku janë kryer kërkime për ekzistencën e një tjetër kishe. Në të njëjtin studim, arkeologu Halil Myrto, thekson se këtu duhen kërkuar mbetjet e një kishe mesjetare, që sipas të dhënave të Ana Komnenës, Gulielmit të Apulias, apo Atlasit të Kamocios, duhet ti përkisnin kishës së Shën Nikollës (8). Pikërisht këto të dhëna dokumentare ky autor do ti lidhte edhe me gjurmët e gjetura në terren. Kështu gjatë sondazhit të vitit 1973, të kryer në majën e Shkëmbit ku ruhet toponimi ‘’Qishë’’, u evidentuan fragmente të shumta tullash dhe tjegullash, si dhe një fragment kolone mermeri me përmasa 0.80 x 0.45 m (9). Edhe gjatë gërmimeve të pjesëshme të zhvilluara në vitin 1988 në të njëjtin vend, do të zbuloheshin: një trakt muri me përmasa 3 x 0.80 m, fragmente tullash dhe tjegullash mesjetare, një fragment kapiteli prej mermeri, një pjesë pllake guri gëlqeror e dekoruar në reliev, si dhe gjashtë varre që i përkisnin periudhës së shek. XIII (10). Ndërkohë që gjurmët e një tjetër kishe të vjetër vijnë edhe nga fshati Lis-Patros, në lindje të Kavajës. Në një sipërfaqe të konsiderueshme që ndodhet pranë luginës së një përroi do të evidentoheshin disa rrënoja, midis të cilave edhe një trakt muri me përmasa 2.40 x 1.10 m dhe fragmente të ndryshme tullash. Në bazë të tyre, arkeologët, do të theksonin se këto mbetje i përkisnin manastirit të dikurshëm të Petras, nga bashkimi i emrit të së cilit me atë të fshatit Ilias, duket se vjen edhe emri Lis-Patros (11). Interesant është edhe fakti se nga zona e Kavajës kemi edhe dy toponime të tjera që lidhen me faltoret kristiane. Kështu, në fshatin Shtodhër që ndodhet disa kilometra në jug të këtij qyteti ndeshim toponimin e kishës së Shën Todrit, i cili si duket i ka dhënë edhe emrin këtij vendbanimi (12). Ndërsa në fshatin Beden kemi toponimin ‘’Kodra e Kishës’’, në majën dhe shpatet e së cilës janë gjetur objekte arkeologjike, si: qeramikë ndërtimi dhe enë balte të shek. IV-V (13). Ndërkohë që objekti më përfaqësues i trashëgimnisë kristiane në këtë trevë është padyshim kisha e Shën e Premtes në Çetë, një faltore me origjinë nga mesjeta e vonë, që vijon të funksionojë jo vetëm si objekt kulti, por edhe si monument i trashëgimnisë kulturore. Ky është pikërisht një përshkrim i shkurtër i hartës së monumenteve kristiane të zonës së Kavajës, në të cilën duket në mënyrën të qartë rrënjët e vjetra të krishtërimit.
*****
1-H. Myrto, Hartë e monumenteve dhe e gjurmëve antike e mesjetare të rrethit të Durrësit, Monumentet, 1, Tiranë 1982, f. 11-35; A. Hoti, Ndihmesë për hartën arkeologjike të rrethit Durrës, Iliria 1, Tiranë 1987, f. 247-264; A. Hoti, Aspekte të përhapjes së krishtërimit të hershëm në provincën e Epirit të Ri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 23-27
2-Halil Myrto, Hartë e monumenteve dhe e gjurmëve antike e mesjetare të rrethit të Durrësit, Monumentet, 1, Tiranë 1982, f. 16
3-Afrim Hoti, Ndihmesë për hartën arkeologjike të rrethit Durrës, Iliria 1, Tiranë 1987, f. 248-249
4-Halil Myrto, Hartë e monumenteve dhe e gjurmëve antike e mesjetare të rrethit të Durrësit, Monumentet, 1, Tiranë 1982, f. 16
5-Afrim Hoti, Ndihmesë për hartën arkeologjike të rrethit Durrës, Iliria 1, Tiranë 1987, f. 248-249
6-Po aty, f. 262
7-Po aty, f. 257, 262,
8-Halil Myrto, Hartë e monumenteve dhe e gjurmëve antike e mesjetare të rrethit të Durrësit, Monumentet, 1, Tiranë 1982, f. 11
9-Po aty, f. 11-12; Halil Myrto, Gërmime arkeologjike të vitit 1988-Gjuricaj, Shkëmbi i Kavajës (Durrës), Iliria, 2, Tiranë 1988, f. 266-267
10-Po aty, f. 266-267
11-Halil Myrto, Hartë e monumenteve dhe e gjurmëve antike e mesjetare të rrethit të Durrësit, Monumentet, 1, Tiranë 1982, f. 15
12-Po aty, f. 18
13-Afrim Hoti, Ndihmesë për hartën arkeologjike të rrethit Durrës, Iliria 1, Tiranë 1987, f. 253
Media Ngjallja
Data: 22.11.2025
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse