Kisha e Shën Ilias ndodhet pranë fshatit Shtyllas, midis kodrave, rreth një kilometër larg fshatit Shtyllas dhe manastirit të Apollonisë në lindje, përballë kodrave, rreth dy kilometra me vijë ajrore. Ajo është ndërtuar nga një besimtar mysliman nga fshati Shtyllas me mbiemrin Driza. Qani Driza, i cili nuk jeton, më ishte një njeri pa familje, i mbështetur te një prej kushërinjve të tij, të cilëve u la amanet që t’i ndërtonin kishën. Në një shërbesë, kur kisha ende nuk ishte ndërtuar, ai tregon se, gjatë një dreke pranë stanit ku mbanin delet, iu shfaq në ëndërr Shën Ilia në mesditë dhe i tha: Të lutem, ndërtoje shtëpinë time për shpëtimin tënd. Dhe ai tha: Unë, pa ndërtuar kishën e Shën Ilias, nuk ndërtoj shtëpinë time. Kështu u bë realitet. Ai i la amanet djemve të shtëpisë, mes tyre Besnikut dhe Hikmetit, të cilët e çuan në fund amanetin. Pastaj ata vazhduan ndërtimin e shtëpive të tyre dhe Zoti i bekoi me ndërmjetësinë e Shën Ilias. U shtuan në vreshta, në bagëti të imta e të trasha, hapën pulari, madje edhe për pula deti, hapën tre-katër dyqane mishi ku tregtojnë, therin, përpunojnë mishin që prodhojnë dhe sot kanë një biznes të mirë. Çdo vit marrin pjesë familjarisht në shërbesat e Kishës së Shën Ilias, që festohet më 20 korrik, ku kontribuojnë për drekën që bëhet për nder të shenjtorit të madh. Kjo drekë shtrohet për shërbestarët dhe shumë njerëz që ndodhen rastësisht aty. Shën Ilia është mrekullibërës, por ka fuqi të mistershme që gjykon.
Një histori që tregohet brez pas brezi është për dikë nga Radostina. Ishte bërë problem çështja e vakëfeve, vendeve të shenjta, si te kisha e Ferazit, në Frakull, në Pishporo, te xhamitë etj. Ky njeri, duke u kthyer në errësirën e mbrëmjes, futet në kishën e vjetër të Shën Ilias, e cila ishte ende e paprishur në atë kohë, dhe merr lekët që gjendeshin në arkën e kishës. Sapo merr paratë, do të dalë nga kisha, po mbyllen dyert. Ai ra në panik, mundohej të hapte dyert, por nuk dilte dot. Të afërmit e tij ishin jashtë dhe panë se çfarë po ndodhte. Ata shkuan të hapnin dyert, dhe në mënyrë të mrekullueshme, dyert u hapën. Kjo mjaftoi që atij t’i ndodhte një tronditje e madhe shpirtërore dhe psikologjike. Më vonë, aq sa kam dëgjuar, e çuan për kurim në Itali, por mjekët thoshin: Ky ka dalë nga linja. Si përfundim, dëgjova se vdiq në spitalin psikiatrik të Vlorës. Kjo quhet shenja e dytë që u bë aty, për të ruajtur vakëfet (vendet e shenjta), kishat dhe institucionet fetare.
Më vonë, kisha u përdor si repart ushtarak, dhe një oficer i thotë një ushtari me besim katolik (nga veriu), pak kohë para se të prishej kisha: Merr sëpatën prije atë lisin atje, se kemi shumë të ftohtë dhe të ndezim zjarr.
Ushtari i thotë: Zotëri, unë jam besimtar dhe nuk e bëj dot këtë punë. Atëherë vetë oficeri mori sëpatën, shkoi të priste drurin, por, sapo e vuri sëpatën te druri, te rrënja e tehut, ajo u këput dhe i mbeti vetëm bishti në dorë. U fut shumë lehtë në dru, por tehut i ra krisja dhe u këput. Aty u trembën të dy, edhe oficeri.
Vitet më vonë, erdhi në fshatin Shtyllas një i ardhur, Alush Vernozi, në një kohë kur ai vend shihej si vend i nënvleftësuar. Ky e prishi kishën dhe i mori materialin, për të bërë shtëpinë e tij. Shtëpia ekziston edhe sot, është në këmbë, por e çarë përmes. Natën e parë, që kishte caktuar për ta festuar shtëpinë, kishte thirrur miq. U bë errësirë dhe u dëgjua një krismë e madhe. Të gjithë dolën jashtë të tronditur dhe që nga ajo natë shtëpia nuk u banua më. Shtëpia nuk banohet as sot e kësaj dite, nuk e blen njeri, nuk e do njeri. Ajo është një plagë në mes të fshatit.
Mrekullia me vajzën e re në Kishën e Shën Ilias
Ka shumë mrekulli të tjera. Një rast konkret që e kam përjetuar, sepse atyre gjërave që u themi “rastësi” në fakt nuk janë rastësi, janë të prekshme, por ne nuk duam të besojmë. Ne besojmë vetëm atë që shohim dhe prekim, por besimi është për atë që nuk e pa me sy, por e beson me zemër. Një familje, burrë e grua, erdhën me vajzën e tyre 20 a 22 vjeçare, duke ulëritur dhe klithur, për të marrë kungatën e shenjtë. Atë vit shërbeja në prani bashkë me Imzot Ignatin, Mitropolitin e Beratit. Ndihmoja Mitropolitin për të shpërndarë kungatën.
Unë, ngaqë i njihja besimtarët e vendit, u thashë prindërve: Lëreni vajzën këtu se është në dorën e Perëndisë.
Nga ai moment që i fola, një metër para kungatës, vajza filloi të qetësohej dhe u kthjellua. U habitën prindërit edhe të gjithë pjesëmarrësit në kishë. Mori kungatën e shenjtë dhe iku e qetë. Në moment prindërit ofruan dhuratë për kishën aq sa kishin në xhep. Më kujtohet që ofruan 60.000 lekë të vjetra. Vitin tjetër, kur erdhën prapë, sollën dy karrige dhuratë për kishën.
Mrekullia te Kisha e Shën Marisë në Havaleas
Po ashtu, mund të them për Kishën e Shën Marisë në Havaleas, një ngjarje që e kam dëgjuar nga vetë personi, Ilia Doraci, i cili nuk jeton më. Ka vdekur rreth 3 apo 4 vjet më parë. Në moshën 17 vjeçare bënte dru me qerre për dimër. Babai i thotë: Liu, merre qerren me shokët dhe bëni dru për dimër. Kur kalonin pranë Kishës së Shën Marisë në Radostinë, panë një shkurre të madhe drize, shumë të mirë për hostenda (thupra, degë për furrë). Ai mori sëpatën nga qerrja dhe preu atë drizën pranë kishës, për ta çuar në shtëpi. Sapo shkoi në shtëpi, pa arritur të hante mirë, e zunë ethet dhe ra në shtrat.
Kur vjen i ati, e pyet: Ç’ke more bir, pse u ktheve kështu?!
Ai i thotë: Erdha mirë deri aty, po sa preva ato drizat te Shën Maria në Havaleas, më zunë ethet.
I ati mori një qengj nga tufat që kishin, e hodhi në krahë dhe e çoi te Shën Maria. Njerëzve që shërbenin atje, që mbanin ekonominë e kishës, u tha: Kam sjellë këtë qengj për Shën Marinë, për djalin, se e kam të pamundur. Dhe po lë edhe ca lekë për qirinj dhe vaj. U përshëndet me shërbesëtarët dhe u kthye në shtëpi. Kur mbërriti, djali ishte ngritur në këmbë dhe kishte filluar të shërohej. Që nga ai moment mrekullia ndodhi.
Kisha e Shën e Premtes “te lumi i vdekur”
Kam dëgjuar edhe nga një e moshuar mbi njëqind vjeçare, gjyshja e kunatës sime, e cila e kishte përjetuar nga afër një tjetër mrekulli. Në vendin e quajtur “anë lumit të vdekur”, të Shën e Premtes, dikur i thoshin “vendi i mallkuar” dhe nuk banohej, ishte vend këneta. Më vonë aty u ngrit një varrezë, pastaj iu vu emri “anë lumit të vdekur” dhe në mes të kënetës u ngrit kisha e Shën e Premtes, e Parashqevisë, që festohet më 26 korrik. Aty, dikur, gjendej një gur masiv, rreth një metër i lartë, si shenjë orientimi për kalimtarët dhe barinjtë. Shpesh në atë vend dukej një dritë e ndezur gjatë natës. Njerëzit orientoheshin me atë dritë, por nuk afroheshin se i trembte dhe thoshin: Aty nuk është vend i thjeshtë.
Në një fshat të vjetër aty pranë, jetonte një nuse e re, e martuar prej 3 apo 4 vjetësh. Një ditë ajo u kthye në shtëpi e tronditur, si e hutuar. Më vonë, kur u kthjellua, u tregoi se i ishte shfaqur Shën e Premtja me rroba të bardha dhe i kishte thënë: Po vjen dimri, vjeshta e parë, vjeshta e dytë, shirat filluan. Ju keni çati, strehë, por mua më keni lënë aty pranë lumit, në mes të ujërave. Drita që mbaj ndezur stërmundohet dhe vetëm digjet. Atëherë ata kuptuan se ajo dritë pranë gurit ishte shenja e Shën e Premtes. E çuan nusen dhe bënë lutje tek ai gur, ndezën qirinj, vunë vaj, lanë taksë lekësh “për Shën e Premten”. Aty filluan të shkonin besimtarë të tjerë nga zona, u bënë shumë mrekulli dhe u mblodhën njerëz të mirë që vendosën të ndërtonin kishën. Mblodhën materialet dhe e ndërtuan Kishën e Shën e Premtes, e cila qëndron edhe sot. Edhe pse më vonë Besimi Orthodhoks u godit në Shqipëri, Kisha mbeti në hartat ushtarake dhe i shpëtoi shkatërrimit total, por mbeti pa çati. Në vitin 2020 bëmë një mbrëmësore aty, isha unë, atë Dhimitri dhe disa nxënës katekistë. Këtë vit, në ditën e Shën Parashqevisë, organizuam dhe bëmë meshë bashkë me Imzot Nikollën, me atë Dhimitër Lloshin, dhjakon Niko Davidin dhe unë. Për herë të parë, pas 30-të vjetësh, në atë kishë u bë sërish meshë. Atëherë duhet të shkruhet diçka tha hirësia. Dhe në gazetën e muajit që pasoi, ai shkruajti pak fjalë për atë Kishë. E kemi dhe historikun të dokumentuar në dosje që e ka çdo klerik. Këto janë disa nga ngjarjet dhe mrekullitë që lidhen me këto kisha dhe vende të shenjta. Shumë të tjera mund të tregojmë, por ndoshta do t’i lëmë për një herë tjetër. Uratën e Perëndisë!
Media Ngjallja 20 Nëntor 2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse