EmailFacebookKontakt
Lajme

Familja, qeliza fillestare e jetës shoqërore dhe themeli bazë për ndërtimin e shoqërisë – nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Imzot Joani

20/11/2025

Mesazh i dhënë për aktivitetin “Festojmë Familjen”
Kisha Orthodhokse mëson se një familje e shëndetshme ndërtohet mbi shenjtërinë e martesës. Në mësimin e saj afirmohet, pa asnjë ekuivok, shenjtëria e martesës, si një doktrinë themelore e padiskutueshme dhe e patjetërsueshme. Bashkimi i lirë, ndërmjet një burri dhe një gruaje është një kusht i domosdoshëm i martesës dhe martesa është baza dhe zemra e familjes. Ajo konsiderohet si institucioni më i vjetër i të drejtës hyjnore, sepse është themeluar në të njëjtën kohë kur edhe njerëzit e parë u krijuan. Perëndia e themeloi martesën, si një besëlidhje ndërmjet një burri dhe një gruaje dhe e bekoi atë, duke i dhënë asaj një karakter sakramental. Të bashkuar në Perëndinë, ajo bëhet, jo vetëm thjesht një lidhje natyrale konvencionale, për të siguruar vazhdimësinë e jetës së gjindjes njerëzore, por edhe një bashkim shpirtëror, mbi të cilin mund të ndërtohet institucioni i shenjtë i familjes.
Siç dihet dhe pranohet nga të gjithë, familja është qeliza fillestare e jetës shoqërore dhe themeli bazë për ndërtimin e shoqërisë. Shën Klementi i Aleksandrisë e përshkruan familjen, si një kishë dhe si një shtëpi të Perëndisë, ndërsa Shën Joan Gojarti e quan familjen “kishë e vogël”. Kështu që një burrë dhe një grua, të bashkuar në martesë në Perëndinë, formojnë një kishë shtëpiake, duke ruajtur karakterin sakramental të martesës dhe të familjes.
Familja na jep identitetin dhe ndijimin e përkatësisë dhe brenda saj aftësohemi të bashkëndajmë përvojat e përditshme, si edhe na ndihmon t’i japim jetës sonë kuptim dhe qëllim. Njeriu është një qenie komunitare dhe është pikërisht familja, komuniteti, ku, qysh prej fëmijërisë, mësojmë vlerat morale, të duam, të nderojmë dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin, sidomos për më të dobëtit, sepse moskultivimi i kësaj i gjen familjet në raste nevoje të papërgatitura. Jeta e familjes është një inicim në jetën në shoqëri.
Përvoja e lidhjeve familjare e mëson një person ta kapërcejë egoizmin shkatërrues dhe të ndërtojë themelet për një qëndrim të drejtë ndaj të tjerëve dhe që më pas vazhdon edhe në shoqëri. Roli i familjes në formimin e personalitetit është i jashtëzakonshëm; asnjë institucion social tjetër nuk mund ta zëvendësojë atë. Erozioni i lidhjeve familjare sjell në mënyrë të paevitueshme deformimin e zhvillimit normal të fëmijëve.
Kultura bashkëkohore është sot në një krizë të thellë në lidhje me martesën dhe familjen. Në shoqëritë e sotme postmoderne familja, e bazuar në vlerat hyjnore dhe njerëzore, ndihet e rrezikuar nga tentativat për të ligjëruar lidhje jo natyrale. Duhet të kemi gjithmonë parasysh se familja dhe martesa janë ide e Perëndisë dhe si institucione hyjnore nuk janë të hapura për ndryshime dhe devijime njerëzore. 
Shoqëria e sotme ka nevojë për t’i rizbuluar dhe për t’i ribërë normë të jetës së saj vlerat e patjetërsueshme të martesës dhe familjes, sepse ndodh shpeshherë që në emër të lirisë dhe progresit, janë shkatërruar vlerat dhe lidhjet tradicionale, duke e dëmtuar rëndë familjen, martesën dhe vetë personin njerëzor. 
Të ruash vlerat nuk do të thotë të jesh kundër lirisë dhe progresit. Përkundrazi, do të thotë t’i sigurosh lirinë e vërtetë dhe progresit, bazën e tij të domosdoshme, pa të cilën gjithçka do të shkojë drejt degradimit dhe shkatërrimit.
Besimi në Perëndinë është një garanci për ruajtjen e këtyre vlerave jetike për njerëzimin. Fjalët e famshme se nëse Perëndia nuk ekziston, të gjitha janë të lejueshme, mund të shihen të realizuara me të gjitha pasojat tragjike, në të gjitha familjet dhe shoqëritë që e kanë larguar Perëndinë nga jeta e tyre. Sepse, duke mos pranuar ekzistencën e Perëndisë, nuk mund të pranohet as Ligji Moral i dhënë nga Perëndia. Duke mos qenë Ligji Moral, nuk mund të ketë besnikëri dhe duke mos pasur besnikëri, nuk mund të ketë martesë. Duke mos pasur një martesë normale, nuk mund të ketë një familje normale dhe duke mos pasur një familje normale, ne nuk mund të kemi një shoqëri normale. Prandaj, mbrojtja e shenjtërisë së martesës, ka qenë gjithmonë e një rëndësie kryesore për mbrojtjen e familjes. 
Nga Kryepiskopi Joan në kuadër të aktivitetit "Festojmë familjen" mbajtur më 18 maj 2024 organizuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komuniteteve të krishtera në Shqipëri
Media Ngjallja 20 Nëntor 2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse