Goranxia është një nga vendbanimet e shumta të Dropullit e cila ashtu si edhe fshatrat e tjerë të kësaj krahine etnografike është e vendosur në bregun e majtë të lumit Drino (1). Ndërkohë nga pikëpamja administrative-territoriale ajo është pjesë e njësisë administrative Dropull i Poshtëm, të Bashkisë Dropull, së bashku me fshatrat: Dervican, Vanistër, Haskovë, Dhuvjan, Sofratikë, Terihat, Goricë, Frashtan, Lugar, Grapsh, Peshkëpi e Sipërme, Peshkëpi e Poshtme, Glinë, Vrahogoranxi dhe Radat (2). Pikërisht në këtë zonë kemi një sërë objektesh të spikatura kulti, të tilla si: kisha e ‘’Shën Mërisë’’ në Peshkëpinë e Sipërme (shek. XI), kishat e ‘’Shën Anës’’ (shek. XVI), ‘‘Burimit Jetëdhënës’’ (shek. XVII) dhe të manastirit të ‘’Kryeëngjëjve’’ në Dervican (shek. XVIII); kishat e manastirit të ‘’Ungjillizimit’’ (1582) dhe të ‘’Shën Gjergjit’’ në Vanistër (shek. XVIII); kisha e ‘’Shën Qiriakut dhe Julitës’’ në Dhuvjan (1588), kisha e ‘’Shën Mërisë’’ në Vrahogoranxi (1622), etj (3). Ndërkohë që midis objekteve të kultit mund të veçojmë edhe kishën e manastirit të ‘’Shën Mërisë’’ së Ravenjës në Goranxi (4). E vlerësuar për tiparet specifike të formulimit arkitektoniko-figurativ, ajo konsiderohet si një shembull me vlera të rëndësishme në arkitekturën pasbizantine (5). Kisha e këtij manastiri ndodhet e veçuar në një distancë prej 4 km mbi fshatin Goranxi duke dominuar pejsazhin përreth (6). Objekti ka formë kryqi me kupolë me tre absida dhe përbëhet prej naosit, altarit, narteksit dhe aksonarteksit (7). Naosi me përmasa 6.80 x 5. 60 m, ndahet në tre nefe nëpërmjet dy kolonave dyshe dhe dy pilastrave. Në nefin qëndror mbi katër kolonat mbështetet bërthama mbi të cilën ngrihet tamburi me kupolën. Ndërsa naosi së bashku me altarin krijojnë krahët e kryqit, të cilët në anën veriore dhe jugore janë më të shkurtër, ndërsa krahu perëndimor është më i gjatë. Po kështu, nëpërmjet absidave anësore krijohen kushtet për barazinë e dy akset gjatësore dhe tërthore. Ndërkohë që pjesët këndore të naosit mbulohen me kësula sferike, të cilat ngrihen mbi bërthama të mbështetura në harqe që lidhin muret anësorë me kolonat (8). Pikërisht këtu, në absidën që ndodhet në murin jugor gjendet një mbishkrim dedikues, pa datë. “Lutje e shërbëtorit të perëndisë, Gjokë Qiriakut, nga katundi Mashkullorë”, shkruhet në të (9). Duhet theksuar se altari ndahet nga naosi me një ikonostas druri, vepër e realizuar diku në shek. XVIII (10). I gdhëndur në dru arre dhe i polikromuar, ai ka përmasa 650 x 300 cm ku dallohet për zbukurimet kryesisht me karakter floreal (11). Në altar ndodhen edhe absida qëndrore e bemës dhe dy absida të vogla anësore për protezisin dhe diakonikonin. Ndërkohë, në anën perëndimore, naosi, kufizohet me narteksin e mbuluar me kësulë sferike, që veçohet prej tij nga tre hapësira të harkuara. Për ndriçimin e brendshëm të kishës shërbejnë një sërë dritaresh të vogla, të hapura në absidat, tamburin, muret veriore dhe ato jugore (12). Po kështu, në pjesën perëndimore të narteksit është vendosur eksonarteksi, që ngrihet mbi mure të hapura anësore dhe mbulohet me qemer cilindrik. Ata ndahen midis tyre nga disa harqe të mprehta që nuk mungojnë edhe në anën e jashtme të eksonarteksit. Pikërisht këtu ndodhen edhe tre hapësira që shërbenin si hyrje. Ndërkohë, kisha është ndërtuar me gurë shtresorë që janë vendosur në mënyrë të rregull dhe të lidhur me llaç (13). Sipas mbishkrimit të gdhëndur në gur, mbi portën perëndimore brenda narteksit, ky objekt është ndërtuar në vitin 1600. “Mbretëreshë e të gjithë profetëve, e quajtur fidanë e Joakimit dhe e Anës shterpë, që u bëre e denjë të dëgjoje zërin e engjëllit që thoshte: gëzohu ti o e gëzuar prej gjithëpushtetësit, vajzë, virgjëreshë dhe nënë, prano lutjen prej meje shërbëtorit tënd jeromonak Kristoforit, që ndërtoi tempullin tënd me dëshirë, viti i lindjes karnate të Krishtit 1600”, lexohet në të (14). Ndërsa nga një tjetër mbishkrim mësojmë se manastiri i Ravenjës, kishte një strukturë të organizuar dhe funksiononte si një institucion i mirëfilltë monastik. “Vula e së Mbishenjtës Hyjlindëse, e mbiquajtur e Ravenias, mbi katundin Goranxi 1622”, shkruhet në vulën me të cilën ishte i pajisur ai (15). Ndërkohë nga brenda dhe jashtë, kjo kishë dallohet për një proporcion të goditur të elementëve arkitektonikë, të cilët shoqërohen edhe me një dekoracion të pasur (16). Një gjë e tillë shihet te brinjët e absidave pesëfaqëshe, të punuara me koloneta elegante, të cilat lidhen midis tyre me harqe që ndërpresin njëri-tjetrin. Po kështu, këto harkada të verbëra mbyllen në pjesën e sipërme nga një kornizë e hollë guri në formën e dhëmbëve të sharrës. Ndërkohë përgjatë këtyre brinjëve janë gdhendur në reliev edhe figura me karakter antropomorf dhe zoomorf. Me një dekoracion të tillë të pasur është pajisur edhe tamburi tetëfaqësh, ku nuk mungojnë edhe figurat, niket, harqet e verbër, kornizat dhembësharre, etj. Sipas studjuesve të fushës, ky dekor, dëshmon për një influencë perëndimore të zbatuar në këtë objekt. Ndërsa mbi murin perëndimor ndodhet këmbaneria e cila përbëhet nga tri kamare në pjesën e sipërme dhe dy kamare në pjesën e poshtme (17). Ndërkohë që kisha e ‘’Shën Mërisë’’ është zbukuruar nga brenda me afreske, që përbëjnë një tjetër vlerë të shtuar të këtij objekti. I shpallur monument kulture në vitin 1963, kisha e këtij manastiri është e hapur në çdo kohë për besimtarët, vizitorët dhe njërezit e apasionuar pas besimit, arkitekturës, historisë dhe të bukurës (18).
*****
1-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 211, 314
2-www.bashkiadropull.gov.al
3-A. Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 295; P. Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 106-110, 114-126, 128-135, 140-141
4-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 120-123
5-Po aty, f. 120-123
6-G. Giakoumis, Manastiret dhe murgëria në Kishën Ortodokse të Shqipërisë (Shek. VII-XIV), Art e Trashëgimni, 7, Dhjetor 2016, f. 74; A. Llukani-Y. Drishti, Ikonostaset e Shqipërisë-Shek. XVI-XX, Kristalina-KH, Tiranë 2024, f. 48-49
7-P. Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 120-123; A. Meksi-P. Thomo, Arkitektura pasbizantine në Shqipëri, Momumentet, 20, Tiranë 1980, f. 52
8-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 120-123
9-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 229
10-Pirro Thomo, Kishat pasbizanine në Shqipëri, Berk, Tiranë 2023, f. 142-143
11-Andrea Llukani-Ylli Drishti, Ikonostaset e Shqipërisë-Shek. XVI-XX, Kristalina-KH, Tiranë 2024, f. 48-49
12-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 120-123
13-Po aty, f. 120-123
14-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 224
15-Po aty, f. 159
16-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 120-123
17-Po aty, f. 123
18-Të njohim monumentet e kulturës, IMK, Tiranë 1967, f. 151
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse