EmailFacebookKontakt
Lajme

“Përputhja noliane e teksteve liturgjike në shqip me meloditë psaltike bizantine”, Ph.D.c Theodhor Peci

17/11/2025

Abstrakt
Kjo kumtesë trajton procesin e përputhjes së teksteve liturgjike në gjuhën shqipe të përkthyera nga Fan S. Noli me meloditë tradicionale psaltike bizantine, duke shqyrtuar dy fazat kryesore të punës së tij liturgjiko-muzikore (1908–1914 dhe 1941–1952). Në fazën e parë, përkthimet e Nolit ishin kryesisht literalë dhe synonin furnizimin urgjent të komuniteteve ortodokse shqiptare me tekste shqipfolëse të kultit, duke shërbyer si instrument për jetësimin e adhurimit në gjuhën kombëtare dhe si bazë për organizimin e kishave shqiptare në diasporë. Por këto përkthime shpesh nuk përputheshin me metrikën e melodive bizantine, duke mos lejuar këndimin e tyre të saktë sipas modeleve tradicionale.
Faza e dytë (1941–1952) shënon përpjekjen e vetë Nolit për të rishikuar dhe ripërpunuar tekstet, me qëllim përputhjen e tyre me melosit bizantin. Në veprat Uratorja, Kremtorja dhe Triodi dhe Pesëdhjetorja, Noli ndjek parimin e kanonit izosilabik dhe homotonik, duke përshtatur troparet sipas modeleve melodike të të përshembulltave. Megjithatë, analiza muzikologjike tregon se, ndonëse në shumicën e rasteve arrihet një përputhje e kënaqshme tekst-melodi, ka raste ku metrika nuk ndjek besnikërisht origjinalin, ku troparet shkurtohen ose ku modelet melodike sinoptike zëvendësojnë ato të plota, duke sjellë një reduktim të thellësisë poetike e teologjike.
Kumtesa vë në dukje gjithashtu tendencën e Nolit për t’i përgjithësuar shërbesat e shenjtorëve, duke e vendosur atë në një rol të dyfishtë: përkthyes dhe himnograf. Një tjetër vërejtje përfshin trajtimin e idiomelave si të përshembullta për arsye praktike melodike, gjë që tregon qartë se Noli i jep epërsi traditës melodike bizantine në raport me tekstin.
Studimi konkludon se puna e Nolit, pavarësisht kufizimeve dhe vështirësive, përuron traditën shqipfolëse të adhurimit, duke vendosur themelet e një identiteti liturgjiko-muzikor kombëtar. Ajo e lidh organikisht kishën shqiptare me traditën e përbotshme të muzikës bizantine, duke u bërë orientuese për brezat e ardhshëm dhe një trashëgimi e vyer e kulturës sonë shpirtërore dhe muzikore.

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse