Katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u mbush plot këtë të dielë me qindra besimtarë ortodoksë, të cilët morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore të udhëhequr nga Kryepiskopi Joan. Atmosfera e kremtimit, prania e komunitetit dhe solemniteti i shërbesave të shenjta i dha ngjarjes një rëndësi të veçantë shpirtërore.
Në fjalën e tij, Kryepiskopi Joan u ndal në jetën dhe veprën e Ungjillorit Mateut, një prej personaliteteve themelore të traditës ungjillore. Ai theksoi karakterin transformues të thirrjes së Mateut nga taksambledhës në dishepull të Krishtit; duke e marrë këtë shembull si një mesazh shprese dhe ringritjeje për çdo njeri. Ungjilli i shën Mateut mbetet një dëshmi e fuqishme e përmbushjes së profecive mesianike dhe e hapjes së besimit drejt të gjithë popujve.
Në përfundim të shërbesës, Atë Aleksi u drejtua me një njoftim për të gjithë të pranishmit se Festa e Hyrjes së Hyjlindëses Mari në Tempull do të kremtohet të premten datë 21 Nëntor 2025 në Kishën “Ungjillëzimi” në Tiranë. Ai ftoi besimtarët të marrin pjesë në këtë shërbesë të rëndësishme të kalendarit liturgjik, e cila nderon rolin e Hyjlindëses në historinë shpirtërore të Kishës.
Liturgjia e së dielës, e karakterizuar nga pjesëmarrja e gjerë dhe mesazhet e thella teologjike dhe shpirtërore, dëshmojnë edhe një herë vendin qendror që mbajnë Tradita, Liturgjia dhe Fjala Shpirtërore në jetën e Komunitetit Orthodhoks të kryeqytetit.
Liturgji Hyjnore zhvillohen edhe në kishat orthodhokse në rrugën e Kavajës, kisha e Ungjillëzimit, në lagjen Kombinat, kisha e Shën Gjetasimit dhe Gjithë Shenjtorëve dhe në qendrën Thavor pranë ish-uzinës së Autotraktorëve në Tiranë, në kishën e Metamorfozës së Krishtit Shpëtimtar.
Media Ngjallja
Data: 16.11.2025


Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse