Një grup të rinjsh ortodoksë të Tiranës zhvilluan sot një udhëtim të veçantë shpirtëror në disa prej vendeve të shenjta të Mitropolisë së Elbasanit, një itinerar që u shndërrua në një mozaik reflektimi, përjetimi, uniteti dhe rigjallërimi të besimit.
Që në mëngjes grupi i të rinjve nën drejtimin e Atë Grigorit morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore të mbajtur nga kleriku i enorisë Atë Petro dhe Dhjak Martini në kishën e restauruar të fshatit Shtërmen, “Fjetja e Hyjlindëses Mari”.
Pas Liturgjisë Hyjnore, të rinjtë e Tiranës mbollën në ambientetet e jashtme të kishës disa pemë selvish të ofruara nga vet ata dhe më pas udhëtuan drejt kishës së Shën Llazarit, ku u panë nga afër punimet ndërtuese dhe u njohën me historitë që banorët vendas ruajnë me fanatizëm për këtë vend të shenjtë dhe mrekullibërës.
Udhëtimi më pas vijoi drejt Manastirit të Shën Joan Vladimirit, ku të rinjtë u mirëpritën nga kleriku i këtij manastiri Atë Irineu i cili na foli për historikun dhe rëndësinë e këtij vendi të shenjtë. Gjithashtu të rinjtë patën mundësinë të nderonin lipsanet e shenjta të shenjtorit që tashmë ndodhen në këtë manastir.
Në përfundim, ky udhëtim nuk mbeti thjesht një ecje nëpër vendet e shenjta të zonave të Elbasanit, por u shndërrua në një përvojë të thellë formuese, që bashkoi brezin e ri me rrënjët e besimit dhe trashëgimisë sonë shpirtërore. Çdo ndalesë, nga Liturgjia e mëngjesit e deri te nderimi i lipsaneve të shenjta, u bë një gur i çmuar në mozaikun e një dite të mbushur me përjetim, qetësi, mësim dhe frymëzim.
Mbjellja e selvive, një akt simbolik i jetës dhe vazhdimësisë, u kthye në shenjë të përkushtimit të këtyre të rinjve për ta lënë gjurmën e tyre të gjallë në truallin e kishës së Hyjlindëses Mari dhe në kujtesën e komunitetit shpresëtar të Shtërmenit. Ashtu si këto pemë që do të rriten në heshtje dhe do t'i japin hijeshi këtij vendi të shenjtë, edhe brezi ynë i ri kultivon sot vlera që do të japin fryte në të ardhmen.
Nën udhëheqjen e klerikëve të përkushtuar dhe të përqafuar me ngrohtësi nga komuniteti vendas, grupi i të rinjve ortodoksë të Tiranës dëshmoi se besimi nuk është vetëm trashëgimi, por edhe udhëtim i përbashkët, që rigjallërohet sa herë prekim me përulësi vendet e shenjta dhe sa herë ofrojmë kohën tonë për të kërkuar dritën brenda vetes.
Data: 15 Nëntor 2025


Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse