EmailFacebookKontakt
Oshënar Pais Velickofski
Oshënar Pais Velickofski

Ati ynë Paisi lindi më 1722, në një familje të madhe. I ati ishte prift i qytetit të Poltavës në Ukrainë. I butë, i përmbajtur, me një zgjuarsi të gjallë, mësoi shpejt të lexonte dhe u zhyt me pasion në studimin e Shkrimit të Shenjtë, të jetëve të murgjve të shenjtë, si dhe të shkrimeve të Etërve të Kishës, veçanërisht për asketizmin dhe dërrmimin e shpirtit. U dërgua për të vazhduar studimet në Akademinë kishtare të Kievit, por shpejt u zhgënjye nga mësimdhënia e thatë, e ndikuar nga skolastika latine dhe kultura pagane, si dhe nga shembujt e këqij që pa atje. Pas 4 vjetësh, braktisi studimet dhe u nis në kërkim të një ati shpirtëror dhe të një manastiri, ku do të mund të jetonte në varfëri si Krishti. Qëndroi në shumë manastire, u bë rasofor me emrin Platon, më pas dëgjoi të lavdërohej jeta që bëhej në skitet e Moldavo-Vllahisë (Rumania sot), ku ishin strehuar murgjit më të mirë rusë, të përndjekur nga reformat e Pjetrit të Madh dhe shkoi shpejt atje bashkë me murgj të tjerë. Jetoi për disa vjet në kushtet ideale për jetën murgërore, pranë etërve që ndiqnin besnikërisht mësimdhëniet e Etërve të shenjtë, dhe tregoi cilësitë e një dishepulli të vërtetë: bindje absolute, përulësi, dashuri për vëllezërit, qëndrueshmëri e gëzim në prova, zell për meditimin e lutjen. Etërit, kur panë përparimin e shenjtit, donin ta dorëzonin prift para moshës kanonike (30 vjeç), por, duke iu druajtur udhëzimeve të Traditës së Shenjtë, ai braktisi manastirin e tij dhe Rumaninë, për të shkuar në destinacionin e shumëdëshiruar, në Malin e Shenjtë.

Për shkak të pushtimit turk, situata në Malin Athos nuk ishte e mirë: padituria mbretëronte dhe njerëzit shpirtërorë ishin të rrallë, si midis murgjve grekë, ashtu edhe atyre sllavë. Ngaqë nuk gjeti një atë shpirtëror pas përpjekjeve që bëri, Platoni u vendos vetë pranë Manastirit Pantokrator, duke pasur si udhëzues Ungjillin, shkrimet e Etërve dhe dëshminë e ndërgjegjes së tij. Jetonte në varfëri ekstreme, hante një herë në dy ditë, luftonte shumë kundër mendimeve dekurajuese. Pas 4 vjet përpjekjesh, Vasili, një jeront që kishte njohur në Rumani, gjatë një vizite në Malin Athos, e qethi murg me emrin Pais dhe e këshilloi të kishte pranë edhe shokë të tjerë, për t’u shpëtuar rreziqeve të jetës vetmitare të parakohshme. Pak kohë më vonë, një murg rumun i quajtur Visarion, i cili, ashtu si Paisi nuk kishte gjetur atë shpirtëror, i kërkoi shenjtit me lot ta pranonte si nxënësin e tij. Duke e gjykuar veten të padenjë për të mësuar të tjerët ai e pranoi, por jo si dishepull, por si shok asketizmi. Jetuan në bindje ndaj njëri-tjetrit, duke pasur një shpirt e një zemër vetëm për Zotin. Jeta e tyre ishte kaq e pëlqyeshme, saqë erdhën edhe vëllezër të tjerë rreth tyre, rumunë e sllavë. Kur numri i vëllazërisë arriti në 12, filloi jeta e përbashkët, pasi jeta në një manastir me jetë të përbashkët është ikona e jetës së apostujve të shenjtë,) mbledhur rreth Zotit dhe e Liturgjisë së vazhdueshme rreth fronit të Mbretit Qiellor.

Më 1758, me kërkesën e vëllezërve të tjerë, pranoi të bëhej prift dhe ati i tyre shpirtëror. Me gjithë vështirësitë materiale, vëllazëria u rrit, ndaj ndryshuan vend. Shkuan te Skiti i Profetit Ilia dhe u përpoqën t’i jepnin jetë Manastirit të Simonopetrës. Por turqit nuk i lanë të qetë, prandaj u larguan nga Athosi për t’u vendosur në Rumani (1763).

Paisi dhe 70 dishepujt e tij u pritën me gëzim nga mitropoliti i Moldavisë, i cili u dha Manastirin e vogël të Ngushëllimtarit, në Dragomirna. Paisi vendosi jetën e përbashkët sipas modelit athonit dhe në përputhje me porositë të Etërve të shenjtë. I zhveshur nga çdo e mirë materiale dhe çdo lidhje me botën, duke hequr dorë vazhdimisht nga vullneti vetjak, secili qëndronte me ndërgjegje të zbrazur para Perëndisë, duke pasur si ndërmjetues atin e tyre të përbashkët, simbol i gjallë i Krishtit. “Bindja, mësonte ai, është shkalla, e cila të çon nga toka në qiell, rruga që të çon në papasionshmëri. Duke hequr dorë nga vullneti personal në shumë raste që ofron jeta e përbashkët, me përulësi, paqe e frikë Perëndie, murgu mund të ruajë vazhdimisht kujtimin e Perëndisë dhe të thërrasë në fshehtësi emrin e shenjtë të Jisuit”. Kur hynte në qeli, meditonte gjatë për Shkrimet e bënte metani me lot. Në vëllazërinë murgërore të Paisit të lumur u adaptuan për herë të parë në kushtet e jetës kinoviake metodat e lutjes së brendshme, që deri atëherë ishin rezervuar vetëm për eremitët dhe asketët. Në kishë shërbesat ishin të rregulluara në mënyrë të përsosur, një kor psalte në sllavisht dhe tjetri përgjigjej në rumanisht. Çdo mbrëmje murgjit rrëfeheshin te jeronti, në mënyrë që perëndimi i diellit të mos i gjente të zemëruar (Ef. 4.26) ose në grindje. Por nëse ndonjëherë një vëlla ishte i zemëruar me një tjetër, e kishte të ndaluar të hynte në kishë, madje edhe të thoshte lutjen “Ati ynë”.

I lumuri Pais e udhëhiqte grigjën e tij, e cila shtohej pa pushim, duke u thelluar me devotshmëri në shkrimet e mësuesve të mëdhenj të murgërisë. I trajtonte tekstet me gjithë respektin, përulësinë, dashurinë e një dishepulli për atin e tij shpirtëror. Që nga vitet që kishte studiuar në Kiev, kishte përvojë të hidhur të pamjaftueshmërisë së përkthimeve të vjetra sllave, që e bënin shpesh tekstin të pakuptueshëm dhe të cilat më kot përpiqej t’i krahasonte midis tyre. Kur ishte në Malin e Shenjtë, Paisi filloi të mësonte greqishten e vjetër dhe ndërmori me durim shqyrtimin e një sërë dorëshkrimesh të teksteve të etërve në gjuhën e tyre origjinale. Në Dragomirna punoi pa pushim, me respekt të admirueshëm dhe me një metodë të ashpër e kritike në korrigjimin dhe dalëngadalë edhe në përkthimin nga greqishtja të shumë veprave të Etërve, si: shën Andoni, shën Hezikiusi, shën Makari, shën Diadoku, shën Filothe Sinaiti, shën Theodhor Studiti, shën Simeoni Theologu i Ri, shën Grigor Sinaiti e mbi të gjitha ava Isak Siriani. Me ndihmën e një grupi bashkëpunëtorësh që shtohej vazhdimisht, korrigjonte shpesh përkthimet dhe i përdorte në praktikë me leximin dhe komentimin e tyre në mbledhjen e vëllazërisë, një natë në sllavisht dhe natën tjetër në rumanisht.

Pas luftës ruso-turke (1774) vëllazëria e braktisi Dragomirnën dhe u vendos në Seku. Por vëllazëria u rrit shumë, prandaj Paisi vendosi ta ndante në dy pjesë familjen shpirtërore dhe u vendos me shumicën e murgjve në manastirin afër Neamtsit (1779), qendër e jetës shpirtërore e Moldavisë që nga shekulli i 14-të. Ushtria murgjërore arriti shumë shpejt numrin e 1000 murgjve: 700 në Neamts dhe 300 në Seku dhe, përveç aktiviteteve liturgjike e shpirtërore, u organizuan edhe aktivitete bamirëse që vareshin nga manastiri. Vizitorë vinin nga Rusia dha nga tërë anët e Ballkanit. Admironin rregullin, paqen, dashurinë reciproke, devotshmërinë që ekzistonte dhe shumë prej tyre qëndronin për t’u bërë murgj. Paisi, me gjithë punën e madhe të përkthimit, pranonte këdo që i kërkonte këshilla dhe mbante një korrespondencë të gjerë me gjithë botën sllave.

Fjeti në paqe më 15 nëntor 1794, një vit pas publikimit të përkthimit të parë sllavisht të Filokalisë, botuar 10 vjet më parë në greqisht nga shën Makari i Korinthit (17 prill) dhe shën Nikodhim Agjioriti, e cila përbëhej kryesisht nga përkthimet e përgatitura që më përpara nga Paisi e nxënësit e tij. Përkthimet dhe rrezatimi i tij shpirtëror ishin origjina e një lëvizjeje për ripërtëritjen e jetës shpirtërore dhe për rimëkëmbjen e murgjërisë tradicionale, e cila zgjati deri në Revolucionin e vitit 1917.