Kisha e Shën Gjerasimit dhe Gjithë Shenjtorëve, në lagjen “Kombinat” të Tiranës, pranë kompleksit “Nazaret” të Kishës sonë dhe është ndërtuar me nismën dhe fondet e Kryepiskopit të ndjerë, Imzot Anastasit, i cili, në vitin 2012, kreu shërbesën e Hapjes së Dyerve. Qëllimi i themelimit të saj është t’i shërbejë komunitetit të kësaj lagjeje, e cila, në kohën e komunizmit, nuk kishte asnjë kishë, duke ungjillëzuar popullin e Perëndisë nëpërmjet predikimit dhe pjesëmarrjes në Misteret e Shenjta të Kishës sonë. Siç mësojmë nga Shkrimi i shenjtë për enorinë që: “Ata vazhdonin me ngulm në mësimin e apostujve, në bashkësinë vëllazërore, në thyerjen e bukës (kungimin) dhe në lutje” (Vep. Ap.2:42-47), këto mësime zbatohen edhe në organizimin e kësaj enorie.
Kështu zhvillohen mësime katekizmi çdo të shtunë dhe të diel, madje edhe mësime online, kur nevojitet, për përgatitjen për pagëzim. Një rëndësi të veçantë i kushtohet punës me fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë, me ndihmën e çmuar të katekistëve të Zyrës së Fëmijëve të Kryepiskopatës, ku zhvillohen mësime katekizmi, lojëra, kurse, ekskursione, kolendra, pagëzime dhe vizita familjare. Gjatë festave të mëdha të vitit kalendarik organizohen programe festive dhe koncerte nga anëtarët e enorisë. Mësimet, predikimet dhe jeta e enorisë paraqiten në median sociale nëpërmjet faqes së facebook-ut: Kisha Orthodhokse Shën Gjerasimi dhe Gjithë Shenjtorët – Lagje Kombinat dhe në Radio “Ngjallja”. Që prej vitit 2017, enoria qëndron e hapur çdo ditë. Kleriku i enorisë u përgjigjet nevojave të anëtarëve të komunitetit dhe është aktiv në veprimtari të ndryshme akademike me tema historike tek Instituti i Historisë, tek Revista Shkencore “Kërkimi”, në takimet me fetë e tjera, në kolegjin Universitar “Logos”, si pedagog, si përfaqësues i Kishës Orthodhokse etj. Enoria disponon bibliotekë të pasur dhe mundëson literaturë për dhurim ose lexim.
Një përkujdesje e veçantë tregohet për familjet, me anë të organizimit të vizitave baritore, nismave sociale në ndihmë të familjeve në nevojë. Kështu zbatojmë mësimin e Shkrimit të Shenjtë: “Mbani barrët e njëri-tjetrit, dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit” (Gal. 6:2), i cili është thelbi i jetës në komunitetin e kishës: ndihma, solidariteti dhe dashuria praktike. Për festat e mëdha, Pashkën dhe Krishtlindjen, ndihmohen familjet në nevojë dhe të moshuarit. Edhe gjatë vitit, jepen ndihma të vazhdueshme për njerëzit në nevojë. Po zhvillohet një traditë e bukur që besimtarët të “binjakëzohen” me njerëz në nevojë, të sëmurë, të vetmuar, të paralizuar, për t’u gjendur pranë tyre dhe për t’i ndihmuar.
Me anë të kontribuesve të enorisë, miq dhe dashamirës janë realizuar nisma të ndryshme për mirëmbajtjen dhe zbukurimin e kishës dhe të ambienteve ndihmëse. Është realizuar afresku i kupolës, janë përmirësuar ambientet e ndezjes së qirinjve, lyerja e kishës dhe sallës, sistemi elektrik, si edhe është ngritur një bibliotekë bashkëkohore dhe organizohen panaire në nder të emrit të kishës. Kështu, janë ofruar rreth 50 mijë euro investime për kishën dhe 30 mijë euro qeraja e skelës për bërjen e afreskut.
Të gjitha veprimtarisë e enorisë frymëzohen dhe fuqizohen nga përkushtimi në mësimin e Kishës dhe pjesëmarrja në Misteret e Shenjta: Pagëzimi, Kurorëzimi, Efqelia etj. Janë kryer 110 pagëzime dhe 15 kurorëzime, dhjetëra shërbesa të Ajazmës në shtëpitë e besimtarëve dhe kungime të të sëmurëve në shtëpi. Enoria mblidhet rregullisht në adhurim, për të forcuar besimin dhe dashurinë ndërmjet anëtarëve: “Le të mendojmë për njëri-tjetrin për ta nxitur në dashuri dhe në vepra të mira, pa lënë mbledhjet tona, siç kanë zakon disa, por duke u inkurajuar njëri-tjetrin, aq më tepër sa shihni që afrohet dita” (Heb.10:24-25). Në zbatim të mësimit të Kryepiskopit Anastas: “Liturgjia Liturgjisë”, është funksionale salla e pritjes pranë kishës, ku besimtarët mblidhen pas shërbesave për të forcuar ndjenjën e bashkësisë, dashurisë dhe përgjegjësisë së ndërsjellë ndaj Kishës dhe njëri-tjetrit. Kështu, enoria, si “një trup në Krishtin”, me anë të dashurisë për njëri tjetrin, bën të njohur se i përket Krishtit. Kjo bashkësi e trupit të Krishtit, e ndërtuar mbi dashurinë, shërbimin, unitetin dhe lutjen e përbashkët, është familja shpirtërore ku Krishti jeton midis nesh.
Atë Emanuel Lusha, Ikonom Stavrofor,
prift në Kishën e Shën Gjerasimit dhe Gjithë Shenjtorëve
Pedagog në Kolegjin Universitar" Logos"


Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse