EmailFacebookKontakt
Lajme

Dita e Shën Joan Përdëllimtarit – Kujdesi për njeriun në nevojë si vepër dashurie dhe besimi.

12/11/2025

Sot, më 12 nëntor, Kisha Orthodhokse nderon Shën Joan Përdëllimtarin, shenjtorin e njohur për dhembshurinë, përulësinë dhe dashurinë e tij të pakufishme për të varfërit. 
Me emrin e tij është bekuar edhe Mensa e Njerëzve në Nevojë që funksionon në qytetin e Beratit, pranë Mitropolisë së Beratit, një vepër që për më shumë se 15 vjet mbetet një shembull i gjallë i dashurisë së krishterë në veprim.
Kjo Mensë, që u hap në janar të vitit 2010, vijon me përkushtim të ofrojë ushqim të gatuar dy herë në javë për rreth 200 persona, duke u gjendur pranë atyre që përballen me vështirësi ekonomike. 
Shërbimi ofrohet pa dallim besimi apo përkatësie, si një shprehje konkrete e dashurisë për njeriun dhe kujdesit që Kisha ka për çdo shpirt që ka nevojë për ngrohtësi e ndihmë.
Në këtë ditë të bekuar, shprehim mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite në mbajtjen gjallë të kësaj nisme, e cila është bërë tashmë një shembull i gjallë i dhembshurisë së Perëndisë, ku shumë familje dhe persona të moshuar gjejnë ngushëllim, ndihmë dhe dinjitet.
🕊️ Sot, në ditën e shenjtit që mban këtë emër, ftohen të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë vepër dashurie, që ajo të mund të zgjerojë shërbimin nga dy ditë në tre apo katër ditë gatimi në javë, për të ndihmuar ata që vuajnë mungesën e ushqimit të përditshëm.
Kontributet mund të jepen:
Në llogarinë bankare:
UNION BANK
KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPERISE
IBAN: AL87214111060111485096020711
SWIFT: UNALALTR
• Ose në ushqime bazë që nevojiten për gatimin e përditshëm: oriz, makarona, fasule, vaj, salcë, miell, mish, patate, perime e të tjera.
📞 Për çdo bashkëpunim apo ndihmë, mund të kontaktoni Atë Kristaq Subashin, përgjegjës i mbarëvajtjes së mensës, në numrin 069 348 4061.
🙏 Gëzuar dhe bekuar dita e Shën Joan Përdëllimtarit!
Urojmë që dashuria dhe mëshira e Krishtit Perëndisë sonë, që frymëzoi këtë shenjtor, të udhëheqë edhe jetët tona, duke na kujtuar se çdo vepër e vogël dashurie ka peshën e madhe të bekimit hyjnor.

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse