
Është oshënar i ri i shquar, i njohur zyrtarisht si shenjt më 1986. e bëri të njohur nxënësi i tij jeronti i shenjtëruar Paisi nga Mali i Shenjtë. Lindi rreth vitit 1840 në Farasa të Kapadhokisë së bekuar, në mes të Turqisë, nga prindër të virtytshëm, Elefteri, mësues, dhe Varvara. Theodhori, siç quhej më parë, dhe vëllai i tij mbetën jetimë para kohe. Për ta kujdesej një grua nga fisi i tyre. Kur ishte i vogël, ndërsa po mbytej në një përrua, i shpëtoi jetën një kalorës që ngjante me një murg. Kështu, ai vendosi t’i përkushtohej Perëndisë.
Në këtë mënyrë, në moshën 26-vjeçare, muskuloz, me gjuhë të huaja dhe tepër i shkolluar edhe në Izmir, shkoi në manastirin e afërm, në manastirin e lashtë të Flavianëve. U qeth murg me emrin Arsen, por për shkak të nevojave e dërguan si mësues në fshatin e tij pasi e hirotonisën dhjak.
Në moshën 30 vjeçare u bë arkimandrit dhe atë shpirtëror. Me mençurinë dhe mrekullitë e tij ruante grigjën nga tinëzitë e turqve, kryesisht nga kusarët dhe nga misionarët heretikë. Nuk ishte koprrac. Ishte asketik, i urtë dhe dijetar “me dallueshmëri” dhe shquhej për aftësi didaktike. Dinte të urtësonte, i ndjeshëm në dashuri, që të mos lodhte kafshët, asnjëherë nuk hipi në to, edhe pse ecte më këmbë me ditë të tëra, për shembull, kur shkonte larg, në bregdet (rrugë që e bënte pesë herë) që të lundronte në Tokën e Shenjtë. “Jam murg”, thoshte, pra jetonte me mundime dhe nuk lejonte gratë që t’i shërbenin.
Shijoi zbulesa, u dëftua si krua i çudirave të mrekullueshme për të krishterët dhe myslimanët, si i barabartë me shenjtorët e mëdhenj! Në shenjë respekti e thërrisnin “haxhiefendi” dhe meqenëse e adhuronin, bënte “marrëzi”, pra e konsideronin si shenjtor, por edhe trillan njëkohësisht! Lutjet e tij i kërkonte edhe patriarku. Refuzonte herë pas here të bëhej episkop, u bë vetëm eksark i Varrit të Tërëshenjtë dhe zëvendës mitropolitan. Në rrëfime përpiqej të ngrinte sedrën dhe jo të ishte i rreptë.
Gjatë shkëmbimit të popullsive midis Greqisë dhe Turqisë, në vitin 1924 përfundoi në Korfuz, ku shpejt u sëmur dhe ndërroi jetë (10.11.1924). Zhvarrosja e lipsaneve të tij mrekullibërëse u bë në vitin 1958 dhe që nga viti 1970 ruhen në Manastirin e Hyjlindëses në Suroti, afër Selanikut.
********