Të Dielën e sotme VII të Llukait, Mitropoliti i Gjirokastrës z. Nathanail drejtoi Shërbesat e Shenjta të Mëngjesores dhe Liturgjisë Hyjnore në Kishën Metropolitane të Metamorfozës së Shpëtimtarit në lagjen Pazar i Vjetër në qytetin e Gjirokastrës.
Kjo kishë, e njohur nëpër Kodikë të vjetër, edhe si kisha e Pandokratorit, shërbeu për shumë shekuj si kishë qëndrore e Episkopatës dhe më pas Mitropolisë së Gjirokastrës dhe Drinopojës. Ndërsa ndërtesa krah saj shërbente si seli dhe rezidencë episkopale.
Qysh në fillimet e krijimit të qytetit të Gjirokastrës, më vonë edhe gjatë shekujve osmanë e deri në ditët e sotme, lagjja Pazar i Vjetër në Gjirokastër është njohur për karakterin e saj të krishterë orthodhoks. Edhe pse të paktë në numër, për shkak të emigrimit, besimtarët e krishterë të lagjes rendën të gjithë në kishë për t’u kishëruar, por edhe për të marrë bekimet e Mitropolitit Nathanail, i cili përpara se të dorëzohej në gradën episkopale, shërbeu për rreth 20 vite në Kishën e Metropolitane të Metamorfozës si përgjegjës i saj.
Në përfundim të Shërbesës së Mëngjesores Mitropoliti i dha ofiqin Ikonom-Stavrofor Atë Viktor Janit, priftit përgjegjës të kishës, ndërsa të riun Vasil, i cili shërben si ndihmës në këtë kishë e dorëzoi në Anagnost (Lexues).
Në fund të Liturgjisë Hyjnore Mitropoliti Nathanail kreu edhe Shërbesën e Përkujtimores në kujtim të Atit të tij shpirtëror, të ndjerit Krisostom, Mitropolit i Rodhostolit, i cili sot mbush 40 ditë nga fjetja e tij në Zotin.
Pas Liturgjisë Hyjnore Mitropoliti, kerikët dhe besimtarët u mblodhën në qendrën enorike të kishës për të konsumuar mëngjesin dhe për të ndarë me njëri tjetrin biseda shpirtërore dhe kujtime të ndryshme.
Dh. Pandeleimon Zeneli
Data: 9.11.2025



Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse